Tsipras: 7 akset për Greqinë e gjithë qytetarëve dhe Europën e popujve
TV Tribuna
07 Prill 2019
Me parullën “Bashkojmë forcat tona për Greqinë e shumicës dhe Europën, e popujve”, kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka shpjeguar Aleancën Progresive”, gjatë një fjalimi në palestrën Olimpike në Galatsi, Athinë.
Përveç mbështetësve dhe simpatizantëve të SYRIZA-s, në sallë ndodheshin dhe politikanë nga parti të tjera të qendrës së majtë, që i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit dhe kryetar i SYRIZA-s, për krijimin re një koalicioni të madh të së majtës, nën siglën “Aleanca progresive”.
Në fakt, gjallimi i zotit Tsipras shënon fillimin e fushatës elektorale për zgjedhjet në parlamentin Europian dhe zgjedhjet periferike dhe bashkiake, që do të mbahen në Greqi më 26 maj 2019.
Në fjalën e tij Tsipras ka theksuar ndër të tjera:
“Sot është më e rëndësishme se kurrë që t’i vendosim një barrierë ngritjes së ekstremit të djathtë. Mirëpo, më lejoni t’ju them se nuk ka kuptim thjesht të flasësh kundër ngritjes së ekstremit të djathtë në Europë. Ajo që ka kuptim është të ofrojmë mënyrën se si ky makth të ndalojë.
Dhe ky makth do të ndalojë vetëm kur të fillojnë të marrin fund pabarazitë. Vetëm kur të fillojë të marrë fund politika e shtrëngesës.
Vetëm kur të fillojë të përballohet papunësia. Kur të fillojë të përballohet pasiguria sociale.
Dhe mbi bazën e këtij këndvështrimi, me lejoni të them që nëse nevojitet diçka sot Europa, ajo është një Kontratë e re Sociale”.
Më tej, kryeministri grek ka prezantuar shtatë akset e Kontratës së re Sociale “për një Europë që do të mundet të triumfojë mbi ekstremin e djathtë dhe do të bëhet tërheqëse për qytetarët e saj”.
Aksi i parë, sanksionimi i Shtyllës Sociale Europiane, domethënë, garantimi i të drejtave shoqërore dhe të punës. Që do të thotë, pagë minimale europiane, kontrata kolektive pune europiane, shërbime shoqërore të përbashkëta europiane me akses të lirë për gjithë qytetarët.
Aksi i dytë, shtimi vendimtar i buxhetit social. Nuk mund të ketë politikë sociale pa fonde të përbashkëta europiane, dhe na nevojiten fonde të reja, pa rënduar shtresat popullore.
Aksi i tretë, ai që na pëlqen ta quajmë mekanizëm i ndarjes së përgjegjësisë, por edhe i barrës, domethënë i risqeve dhe i borxhit publik në brendësi të Eurozonës. Ajo që dikur u quajt bond europian, eurobond.
E pra, nuk mund të ketë politikë të përbashkët monetare, pa reciprocitetin e barrës, pa ndihmuar njeri tjetrin. Nuk mund të ketë Eurozonë pa eurobond.
Akti i katërt është ai që i diferencon prej vitesh të majtët me të djathtë dhe është e sigurt se për interes të kujt lufton secila palë. Atëherë, cili është aksi i katërt? Është luftimi i evazionit fiskal dhe shmangia e pagimit të taksave nga pasanikët shumë të mëdhenj.
Aksi i pestë është kthimi rrënjësor i politikës ekonomike europiane nga shtrëngesa në investimet, për atë që ne e quajmë një zhvillim të drejtë ekonomik.
Aksi i gjashtë është aksioni i menjëhershëm i shteteve anëtare për përballimin e rrezikut të madh të së ardhmes, dhe e kam fjalën për ndryshimet klimatike.
Dhe aksi i shtatë, i fundit, çështja e demokracisë. Zgjerimi i demokracisë. Dhënia fund dominimit të teknokratëve mbi politikanët.
Nuk mund të flasim për një Europë demokratike dhe të shkojmë në një organ informal siç është Eurogrupi dhe të marrin vendime përcaktuese për jetën tonë teknokratë dhe jo politikanë të zgjedhur, jo ministrat e financave, jo samitet e BE-së.
Pësimi i Greqisë duhet të bëhet mësim. Sepse, nëse sot dhe dje ishte Greqia, nesër mund të jetë cilido vend tjetër. Dhe kjo është një mungesë e madhe e demokracisë së Europës që duhet të marrë fund”, ka theksuar Aleksis Tsipras.