Vizita e Tsipras-it në Shkup dhe negociatat Athinë "?? Tiranë
Robert GORO
03 Prill 2019
Një ditë pas vizitës së kryeministrit Tsipras në Shkup, opozita dhe media greke kanë kritika të ashpra, duke i ndërlidhur zhvillimet dypalëshe edhe me Shqipërinë.
Greqia dhe Maqedonia e Veriut kanë hedhur hapin e parë për inaugurimin e një bashkëpunimi strategjik.
Ky është konkluzioni i përftuar në Athinë, pas vizitës së kryeministrit Tsipras në Shkup, me ç’rast u zhvillua dhe mbledhja e parë e përbashkët e dy qeverive. Ose, siç emërtohet, Këshilli Suprem i bashkëpunimit.
Biznesmenë të fuqishëm grekë, që shoqëronin kryeministrin, deklarojnë se konstatuan shanse të mëdha për investime në Maqedoninë e veriut.
Por ndryshe nga qeveria, partitë opozitare dhe shumica dërrmuese e analistëve kanë shprehur kritika të ashpra, duke nënvizuar se shkuarja e zotit Tsipras në Shkup ishte thjesht një përpjekje për të retushuar imazhin negativ që krijoi në opinionin grek marrëveshja e Prespës.
Mediat kritike nënvizojnë faktin se të nesërmen e vizitës së kryeministrit grek, në Shkup ka mbërritur ministri turk i mbrojtjes Hulusi Akar.
Athina zyrtare ka promovuar si një nga rrjedhojat pozitive të marrëveshjes së Prespës faktin se avionë luftarakë do të monitorojnë hapësirën ajrore të maqedonisë së veriut.
Por kritikët thonë se kjo është një procedurë që bëhet në kuadër të NATO-s, dhe që emërtohet si Air Policing.
Analistët shtojnë me nënkuptim se Greqia asiston me Air Policing edhe hapësirën ajrore të Shqipërisë, por nuk ka pasur kurrfarë influence pozitive në marrëdhëniet Athinë – Tiranë, të cilat që prej disa muajsh mbeten krejt të ngrira .
Negociatat për marrëveshjen e Prespës kishin filluar në janar 2018.
Në të njëjtën periudhë kur ministrat e jashtëm të Shqipërisë e Greqisë u takuan në Korçë, në një raund tjetër të negociatave për zgjidhjen e problemeve dypalëshe të mbartura nga e kaluara.
Këto negociata janë stopuar që nga vera e kaluar.
Marrëveshja e Prespës është cilësuar nga shumëkush si një model që duhet ndjekur edhe për problemet e tjera dypalëshe mes vendeve të rajonit.
Athina e kishte dhënë e para këtë shembull, por nuk duket e prirur që ta zbatojë këtë model edhe me Shqipërinë.
Të paktën jo tani afër.
Jo para se të përfundojnë tre ballafaqimet elektorale të këtij viti: zgjedhjet europiane dhe ato lokale në maj, si dhe zgjedhjet e përgjithshme që duket se do të mbahen në vjeshtë.
Ndaje me miqte