0030 210 33 18 483

Vota, fuqia e re e komunitetit Shqiptar në Greqi

Ermal SULAJ 06 Shtator 2019

Të vërtetat e pathëna, për të nesërmen që  meritojmë!

Historikisht, vera më e nxehtë elektorale sapo kaloi në Greqi, me katër fushata të njëpasnjëshme, të cilat ndryshe nga më parë, nuk i vrojtuam thjesht me shpresën le të zgjidhen më vizionarët!

Sivjet, komuniteti shqiptar në Greqi, pas një rruge të gjatë, plot sakrifica e vetëmohim, arriti të renditet në plejadën e kandidatëve dhe njëkohësisht, votuesi emigrant të gëzojë një rol, akoma dhe deçiziv –po të këmbëngulte- në rezultatin për mandatet 4-vjeçare. 

Në katër etapat zgjedhore, të pushtetit lokal për bashkitë, prefekturat, zgjedhjet europarlamentare dhe ato parlamentare, shqiptarët e Greqisë kishin të drejtën e votës dhe të kandidimit, me shifra votuesisht tepër të denja për realitetin vendas.

Dihet që në botën e civilizuar perëndimore një nga të drejtat themelore të njeriut është vota. E cila kur përdoret sic duhet si mjet trysnie kundrejt pushtetit, jep dhe frytet e veta.

Greqia, me gjithë problematikën e viteve të fundit, krizën ekonomike, recensionin e thellë të shkaktuar nuk ka devijuar aspak nga standardi i lartë i demokracisë në procesin zgjedhor, duke u bashkuar denjësisht vendeve të tjera perëndimore. Për këtë arsye, e shoh të domosdoshme, që ne shqiptarët e Greqisë të drejtat tona ti kërkojmë nëpërmjet votës politike. E faktikisht, e drejta për votim dhe pjesëmarrja në këtë proces është pikërisht indikatori bazë, që vërteton dhe integrimin tonë real në shoqërinë greke.

Në këto zgjedhje, duke marrë si bazë argumenti numrin e votave që morën kandidatët me origjinë shqiptare, besoj se konkluzionet apo mësimet e duhura rezultojnë lehtë, për të gjithë, individë apo organizma që pretendojnë se mund të jenë “zëri i komunitetit shqiptar në Greqi”.

Pavarësisht se organet kompetente nuk kanë, apo më saktë nuk kanë publikuar kurrë zyrtarisht shifra të sakta sa i përket votuesve shqiptarë (nuk do të ndalem në hamendësitë e shumta që lexuam dhe si burime zyrtare, për të cilat kishte gjithmonë një përgënjeshtrim paralel zyrtar nga pala greke), pjesëmarrja e jonë ishte jashtëzakonisht e ulët, thuajse indiferente.

Ky konkluzion del nga krahasimi që mund të bëjmë midis numrit të shqiptarëve me nënshtetësi greke në të gjithë vendin (mbi 200.000, përfshi minoritarët grekë të Shqipërisë) dhe numrit jashtëzakonisht të vogël të votave që morën kandidatët shqiptarë, në rang vendi për eurodeputetë  (rreth 4500 vota).

Në një analizë të domosdoshme për shifrat e ulëta të pjesëmarrjes tonë, arsyet që rezultojnë janë disa. Në debate të ndryshme, një nga qëndrimet është se nuk kishim përfaqësimin e duhur nga kandidatët tanë. Padyshim, qëndron dhe fakti që nuk kemi organizimin e duhur si komunitet. Një tjetër konstatim për disfatën tonë është dhe se nuk e kemi ne shqiptarët në kulturë të votojmë, pra nuk besojmë tek vota e lirë. Vërtet, për ne shqiptarët e ardhur nga një vend postkomunist, vota e lirë, si para dhe pas ardhjes së demokracisë ëndërr, ka qenë dhe mbetet një Utopi. Akoma dhe sot në Atdheun tonë të shtrenjtë ekziston perceptimi që vota vidhet apo blihet në mënyrën më abuzive të mundshme. Një përqindje të madhe të kësaj psikoze ne shqiptarët e Greqisë e mbartim akoma me vete. Me një ndryshim që për fat, mbart njëkohësisht dhe shpresën tonë: brezi i dytë, që konkretisht përfaqëson dhe pjesën më të madhe të votuesve me origjinë nga Shqipëria,  të lindur, rritur e edukuar në Greqi, nuk kanë të njëjtin këndvështrim apo mentalitet me prindërit e tyre.

Një pyetje, thuajse retorike, qarkullon kaq muaj nëpër atmosferë: A e kishim ne përfaqësimin e duhur si komunitet, në mënyrë që të motivonim votuesit me origjinë shqiptare? Përgjigjja fshihet në shifrat ekzistente, analizat e tjera janë tepricë e denjë për Facebook: diferenca në vota e kandidatëve të brezit të dytë me përfaqësues të brezit të parë, në të njëjtat zona elektorale, dërgon një mesazh të qartë se emigrantët e ardhur të rritur, nuk kanë argumente të mjaftueshme të motivojnë jo vetëm grekët dashamirës e të gatshëm për të mbështetur mikun e tyre, por as vetë shqiptarët.

Me pak fjalë, motivimi, që të jetë rezultativ, duhet të depërtojë në plejadën e brezit të dytë, tek të rinjtë shqiptarë që lindën e u rritën në Greqi, që janë dhe shumica me të drejtë vote.

Personalisht jam krenar dhe kështu duhet të ndjehemi të gjithë, për arritjet e kandidatëve të brezit të dytë, në disa nga zonat me shifra të larta votuesish shqiptarë. Me pak ose aspak fushatë elektorale, thjesht me të vërtetën e tyre, kapacitetin e lartë dhe idetë novatore që vetë rinia e sakrificës disponon, arritën të tejkalojnë ndjeshëm- akoma dhe katërfishin e votave- të kandidaturave të bujshme nga brezi i parë, me mbështetje partiake, mediatike, fushata të kushtueshme e përse ta fshehim, me propagandë të hapur nga vetë përfaqësia diplomatike e shtetit tonë amë, Ambasada e Shqipërisë në Greqi. Më gëzon mbështetja e Ambasadës në iniciativa të tilla; nuk “më” e as “na” krenon mbështetja e njëanshme, e kufizuar, e izoluar, individuale, me mik, shtoni vetë sa epitete mendoni se kanë vend...

Së fundi, le të prekim pa dorashka dhe temën tabu për ne, shqiptarët e aktivizuar, cili është niveli real i organizimit të komunitetit shqiptar në Greqi? Aktualisht komuniteti funksionon në dy lloje të vetme:

Së pari, në nivelin e shoqatave kulturore, në shumicë me baza krahinore shqiptare.

Së dyti, me përkatësi partiake shqiptare, kryesisht të Partisë Socialiste.

Në fakt, po ti shikosh që të dy llojet e organizimeve, në thelb ngjajnë me njëri tjetrin, pasi  janë të organizuar me bazë lokale në Shqipëri, me objektivë të vetme të sigurojnë disa vota për zgjedhjet parlamentare shqiptare.

Fatkeqësisht, asnjë nga dy formulat e sipërpërmendura nuk motivon askënd, kryesisht sepse në mes tyre ka pak anëtarë aktivë me të drejtë vote.

Me gjithë një përpjekje të viteve të fundit, për themelimin e organizatave të reja të përqendruara apo me mbështetje të pushtetit lokal grek, në lidhje me votën shumë pak janë bërë, jo pa arsye. Shumica e anëtarëve nuk janë shtetas grekë, apo kryesia përbëhet nga individë nostalgjikë të epokës së kaluar, që pak fare do t’ia dijë për zhvillimet socio-politike të vendit ku jetojmë. 

Por si do vazhdojë kjo në të ardhmen? Të mbetet, vallë, një komunitet kaq masiv, i pashfrytëzuar e i paangazhuar në procesin madhor e më demokratik për të ardhmen e Greqisë?

Partitë e majta greke kanë filluar të thithin në gjirin e tyre të rinj shqiptarë, pra brezin e dytë. Normalisht që kërkesa e radhës është t’i organizojnë ata në baza lokale, të mbledhin votën për çdo bashki fillimisht, dhe në vazhdim për zgjedhjet parlamentare.

Detyrimisht, vetë politika greke do ndikojë në ruajtjen e identitetit tonë, për të na mbajtur të bashkuar rreth votës, për sa kohë që vlerëson se kjo metodë funksionon.

Problemi qëndron se si mund ta shfrytëzojmë ne shqiptarët këtë fenomen në të mirën tonë, si komunitet, kur elemente nga brezi i pare vazhdojnë akoma dhe rreken me intriga nëpër shoqata e nëpër organizata partish, pa vizion e perspektivë, duke anashkaluar brezin e ri?

E kur referohem në brezin e ri, duhet të kemi të qartë të gjithë se e ka marrë tashmë drejtimin dhe nuk ka ndërmend ta kthejë kokën mbrapa. Një brez që të bën krenar me arritjet e sukseset në shoqërinë greke. Një brez që ndeshet me shumicë në auditoret e larta greke, apo të diplomuar në universitetet shtetërore, që flasin rrjedhshëm gjuhën greke, që kanë të njëjtat shanse e të drejta me të rinjtë vendas.

Përfundimisht, të gjitha llojeve të organizatave u ka ngelur vetëm një opsion, nëse duan të kontribuojnë për të ardhmen e komunitetit: të mbështeten tek brezi i ri për përfaqësimin tonë në institucionet e dikasteret shtetërore vendase. Mbetet e vetmja mënyrë që komuniteti ynë të vazhdojë natyrshëm rrjedhën e integrimit në shoqërinë greke dhe europiane. Paralelisht, të pozicionohet saktë e siç e meriton në rolin e mirëfilltë të urës lidhëse, për mbarëvajtjen e marrëdhënieve midis dy vendeve fqinje. 

*) Ermal Sulaj është kryetar i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

Ndaje me miqte