0030 210 33 18 483

Zgjedhjet, Ndragheta dhe një përsiatje mbi mesazhet e dhëna për to...

Juli NDRIKO

05 Shkurt 2021

Duket se përgjimet e antimafias italiane janë surpriza e parë në këto kohë parazgjedhore, ku palët, secila të pasigurta me atë çka do të ballafaqohen në 25 prill, kanë nisur gjuetinë e shtrigave ndaj njëra- tjetrës.

 

Në mes të krizës së vaksinave, e cila nuk është aspak vetëm shqiptare, opinion publik shqiptar u trondit, (ndoshta jo në masë aq të madhe sa do të donin publikuesit e tyre, pasi skandalet janë aq të shumta sa duket sikur bluhen pa shumë vështirësi nga opinioni), nga pjesët e publikuara të përgjimeve të antimafias italiane, e cila mes të tjerash fliste për lehtësinë me të cilën penetronte dhe mund të vepronte në Shqipëri mafia italiane “Ndrangheta”. Ndonëse intensiteti i ndërtimeve shumëkatëshe, të quajtura ndryshe si kullat e Tiranës dhe jo vetëm, dhe kilogramët e betoneve me të cilën vishen qytetet e Shqipërisë çdo ditë bëjnë që bisedat në këtë vend të fokusohen drejt parave të pista që qarkullojnë bizneset e paligjshme dhe ato mafioze, e dëgjuara me veshë, luajti rolin e pasqyrës ku pasi shihesh nuk mund të pyesësh më “Kush është më e bukur?”

Megaoperacioni i autoriteteve italiane zbuloi lidhjen e klanit mafioz “Ndrangheta” me politikanë dhe zyrtarë në Shqipëri. Përgjimet përmendin biznesmenin shqiptar Besnik Halili me pseudonimin Nik, gruaja e të cilit është drejtoreshë në administratën Rama, këshilltarin e Presidentit Ilir Kulla, Presidencën, Kryeministrinë dhe Bashkinë e Tiranës, por këta të fundit pa emra konkretë.

Opozita nisi menjëherë reagimet dhe plaku i PD-Së, Berisha, i futur në qoshen e rehatshme të shtëpisë së tij nga ku drejton me dorë të hekurt sërish PD, doli në një deklaratë në të cilën u shpreh se ishte Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu figura qendrore të cilës i referoheshin përgjimet, pasi “...Ata kanë korruptuar Veliun, siç thonë vetë, sepse donin te mos i shqetësonte njeri në Tiranë”.

Reagimet në kampin tjetër ishin gati mospërfillëse dhe tallëse. U deklarua si përherë se drejtësia duhet të bënte punën e vet,  dhe me kaq duket se mazhoranca largoi nga vetja “mëkatet” për të cilat fliste Ndrangheta.

Por duket se përgjimet e antimafias italiane janë surpriza e parë në këto kohë parazgjedhore, ku palët, secila të pasigurta me atë çka do të ballafaqohen në 25 prill, kanë nisur gjuetinë e shtrigave ndaj njëra- tjetrës.

Në përpjekje për të fituar ditë pas dite deri në 25 prill besimin e votuesve të lodhur nga krizat e qeverisjes që u rënduan më shumë nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit 2019 dhe nga pandemia e marsit 2020, që vazhdon ende dhe sot, palët politike po përpiqen të përfitojnë sa më shumë nga gabimet e kundërshtarit dhe njëherësh të veshin rrobën e duhur me të cilën duhet të mbulojnë fytyrat e njohura prej opinionit.

Në këtë vorbull, veç kahjeve të politikës shqiptare ka dhe një vektor të rëndësishëm, që ndërhyn dhe anon peshën herë nga njëra anë dhe herë nga tjetra. Mesazhi i Ambasadores Amerikane në Shqipëri, Juri Kim, se: “Është detyrë e krerëve të partive të pastrojnë listat e tyre nga kandidatët e korruptuar dhe me të shkuar kriminale”, shkaktoi jo pak kokëçarje në politikën e Tiranës, sidomos në mazhorancë, pasi opinionistë dhe analistë e interpretuan se së pari ajo i drejtohej PS, nga gjiri i të cilës kanë dalë edhe shumë individë të lidhur me krimin. Përkundrejt reagimit inatçor të Ramës “..se sovraniteti iu takon shqiptarëve... se përgjegjësia është individuale dhe se ai dhe partia e tij nuk mund të luajnë rolin e prokurorit...”, duket se kushtet për një Parlament të pastër nga krimi dhe korrupsioni nuk do të reshtin deri në fund.

“Ne jemi duke punuar me partitë politike duke i detyruar që të ndërtojnë besim tek votuesit duke emëruar kandidatë që s’kanë lidhje me krimin”, këmbëngul në mesazh Juri Kim, çka  është mbështetur edhe nga administrata e re e Joe Biden dhe Këshilli i Evropës që i sheh zgjedhjet e 25 prillit si çelësin e pritshëm për hapjen e negociatave me Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së.

Gjithë ky presion i nisur mbi politikën e çdo ngjyre, ka nisur të shkaktojë jo pak dhimbje koke në Tiranë, më pak se tre muaj para zgjedhjeve.

Rama, synon të ketë një mandat të tretë dhe ka nisur të artikulojë se ky mandat i duhet për të mbaruar punët e nisura për të bërë që shqiptarët të kenë një jetë më të mirë. Teksa shfaqet tv-ve i bindur në këtë fitore dhe rreshton punët e mira të qeverisjes së tij, Rama nuk harron asnjëherë të deklarojë se opozita që ka përballë nuk është veçse “tigri prej letre”, të cilës shqiptarët nuk i besojnë. Duke shprehur  “keqardhjen” për mungesën e një opozite që do ta bënte të mendohej dy herë në rrugëtimin e tij, ai ka nisur të eci drejt 25 prillit, jo pa dilemën nëse vërtetë do të jetë fituesi në këtë ditë. Përtej asaj që shihet, është e lehtë të prekësh zhgënjimin popullor mbi qeverisjen 8 vjeçare të Rilindjes, të cilën Rama mundohet ta justifikojë me tërmetin dhe pandeminë, sikurse të kuptosh se klanet brenda Rilindjes janë lodhur duke mbajtur ekuilibrat e brishtë brenda tyre.

Në anën tjetër, opozita, si duket nga deklarimet e para, jo aq e bashkuar sa promovon, ka avantazh qetësinë e mos pasjes përgjegjësi qeverisëse dhe kësisoj, e mundur për të sulmuar nga jashtë dhe pa u bërë pis nga dështimet jo të pakta të 8 viteve. Në përpjekje për të veshur kostumin e një politike perëndimore (e prekur lehtësisht kjo në çdo dalje ku shpaloset pak nga pak dhe me regji të mirëstudiuar programi i PD-së), partia më e madhe opozitare po synon të zgjerojë bazën e vetë me të lodhurit nga qeverisja si dhe të mbledhë copat e kundërshtarëve të Ramës në një front të konsoliduar opozitar, që ka pak gjasa të ndodhë.

Në gjithë këtë lojë që ka nisur të luhet dhe pritet të jetë çdo ditë e më e fuqishme, mesazhet e ndërkombëtarëve po shtohen gjithashtu. Në thelb brenda kontinentit dhe përtej Atlantikut, të gjitha konvergojnë në nevojë e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të pandikuara nga krimi dhe korrupsioni. Nëse politika në Tiranë do mund ta arrijë këtë kjo mbetet për tu parë në 26 Prill, ditë kur do të dalin rezultatet zgjedhore dhe bilanci të na tregojë se fitores së kujt i shërbyen më shumë përgjimet e Ndranghetas dhe presioni diplomatik i ndërkombëtarëve.

Deri atëherë, loja e kungulleshkave se për kë flasin mesazhet e çdo dite do të vazhdojë të luhet  në të gjitha skenat e politikës në Shqipëri.

Ndaje me miqte