0030 210 33 18 483

Këshilli Koordinues i Diasporës nuk njeh organizatat dhe drejtuesit e tyre!

19 Qershor 2020

Reagon Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi

Përshëndetje të nderuar anëtarë të KKD!
Padyshim që nuk do duhet të ishte kjo arsyeja e komunikimit së bashku, por gjithsesi mbetet një hap përpara. Duke qenë tepër koshientë për rolin e shoqatave dhe organizatave të së kaluarës, si dhe vlerën e punës sonë 3-vjeçare, për t’i dhënë një imazh të ri komunitetit shqiptar në Greqi, me kontribut cilësor, real e të vazhdueshëm në integrimin tonë të mëtejshëm në shoqërinë greke e atë europiane, ju informojmë se z. Etmond Guri nuk është as president e as anëtar i FSHSHG nga viti 2017.
Çdo përpjekje në dobi të emigrantëve shqiptarë në Greqi e mbështesim, vlerësojmë dhe përshëndesim. Në këtë kuadër, respektojmë kontributin e z. Guri, gjatë periudhës që ai drejtonte këtë institucion. Tashmë, ne kemi hyrë në një epokë të re, ashtu si dhe vetë Greqia, duke u përshtatur e plotësuar aktivitetin tonë me frymën e re bashkëkohore, intelektuale të vërtet-jo të diplomave e rrjedhimisht dijeve të sajuara e fuqizuara në media sociale, apo figurave patriarkale që e mbanin peng çdo inisiativë serioze në të kaluarën- dhe në këtë drejtim do të vijojmë të zhvillojmë veprën tonë.
Së pari, jeni të mirëpritur të njihemi e të bashkëpunojmë për të evidentuar jo vetëm problematikën, por edhe sukseset e arritjet e bashkatdhetarëve tanë në Greqi.
Së dyti, ne nuk jemi pozicionuar për të drejtën e votës, për arsyen e thjeshtë se nuk ka ardhur akoma koha, jemi duke investuar në institucionalizimin e komunitetit, nga njëra anë masiv, nga ana tjetër të injoruar me apo pa dashje prej vitesh, si nga qarqet politike greke ashtu dhe ato shqiptare.
Të jeni të bindur se ne do të kemi zërin tonë në këtë vendim, e se zëri ynë do dëgjohet detyrimisht, sepse është shumë i fuqishëm. Për këtë arsye kërkojmë që përmes votes emigrantët të bëhen aksionerë të politikës shqiptare për ndryshim, jo thjesht pjesëtarë të listës.
Shqiptarët e Greqisë kanë vërtetuar se janë mëse të aftë të integrohen e tejkalojnë çdo pritje, akoma edhe pa një përfaqësim konstant në asnjë instancë të lartë të dy vendeve.
Tani është momenti të sigurojnë këtë përfaqësim, një njeri të denjë, vizionar, intelektual, dashamirës, shumëdimensional. Dhe është momenti se për fat ne kemi me qindra të tillë mes nesh.
Thirrja jonë sot nuk është votoni peticionin, votoni në Shqipëri apo mos votoni në Shqipëri!
Thirrja jonë sot është Ejani të Njihemi, ejani të bashkëpunojmë për atë që e dimë fare mirë të gjitha palët se është objektiva jonë e përbashkët: Integrimi i Shqipërisë në BE, progresi i shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare, një e ardhme më e begatë e vendit tonë dhe sigurimi i të gjitha të drejtave për shqiptarët në të gjithë botën.

Përzemërsisht
Ermal Sulaj
Presidenti i FSHSHG nga tetori 2017

Ndaje me miqte