Panairi i 20 i Librit Shqip në Tiranë kulmoi veprimtarinë pesëditore me disa çmime nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë për krijuesit, studiuesit dhe përkthyesit më të mirë, që morën pjesë në të. Vepra letrare më e mirë për këtë vit u shpall libri “Yjet janë fare pranë” nga Betim Muço, poeti dhe shkrimtari i njohur, që ndërroi jetë gati 3 vjet më parë në Maryland të SHBA, ku jetonte që në vitin 2001. "Yjet janë fare pranë" ishte i fundit që shkruajti Betim Muço, madje kishte disa faqe pa përfunduar kur ai vdiq në moshën 68-vjeçare. Poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë të botës, ndërsa ai njihej edhe si përkthyes në shqip i shumë autorëve që nga Alice Munro, James Joyce dhe Vladimir Nabokov. Betim Muço botoi shumë shumë vëllime me poezi e prozë, për ndjeshmërinë dhe sinqeritetin e të cilave fitoi disa çmime kombëtare në Shqipëri. Shoqata e Botuesve Shqiptarë shpalli veprën “Faik Konica” nga Agron Alibali fituese në fushën e studimeve. Autores Persida Asllani iu nda çmimi i letërsisë origjinale e artistike për fëmijë me librin “Unë quhem Musine Kokalari”. “Lumturia e pritjes” e Carmina V., përkthyer nga Diana ?uli, u vlerësua si përkthimi më i mirë i vitit 2017. Në Panairin e 20 të Librit erdhën 90 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe botues të tjerë shqiptarë në rajon, të cilët sollën një mori botimesh në shqip dhe gjuhë të huaja.