0030 210 33 18 483

Çfarë po ndodh me testet në Kakavijë

TV Tribuna 23 Gusht 2020

Hallet e shqiptarëve në Kakavijë nuk kanë të sosur.

Por kësaj radhe duket se disa e kanë blerë belanë me paren e tyre.

Çfarë po ndodh konkretisht?

Siç na kanë informuar me mesazhe në TV Tribuna, edhe pse ata paraqiten në kufi me testin e koronavirusit, policia greke nuk u lejon hyrjen dhe i kthen mbrapsht.

Na u duk mjaft i habitshëm ky fakt, prandaj komunikuam me ministrinë e mbrojtjes së qytetarit në Athinë.

Përgjigjja që morëm ishte kjo:

Disa qytetarë paraqesin testin serologjik, i cili evidenton vetëm nëse e ke kaluar apo jo koronavirusin.

Në fakt, e rregullta është që të kryhet testi PCR ose tamponi siç njihet në Shqipëri, i cili test pasqyron gjendjen aktuale të organizmit ndaj Covid-19.

Këtë tampon, pra PCR-në duhet të bëjnë qytetarët 72 orë përpara mbërritjes në kufirin grek.

Duket se ngatërresa është bërë për arsye ekonomike.

Testi serologjik kushton rreth 40 euro, ndërsa ai PCR 90-100 euro.

Gjithsesi, bashkatdhetarët tanë nga Greqia vazhdojnë të udhëtojnë drejt Shqipërisë, ndonëse në masë jashtëzakonisht shumë të vogël.

Për të mos pasur problem në kufi, u kujtojmë edhe një herë se çfarë duhet të kenë parasysh:

72 orë përpara mbërritjes në kufi duhet të kenë kryer testin apo tamponin PCR në laboratorët e certifikuar nga ministria e shëndetësisë.

Rezultati i testit duhet të jetë negativ, ndryshe nuk lejohet kalimi.

Gjithashtu, 48 orë përpara duhet të plotësojnë online formularin PLF.

Pas plotësimit të formularit, në email do t’u vijë një kod që quhet QR.

Pa pasjen e këtij kodi nuk mund të kalojnë kufirin.

Që prej datës 16 gusht, qeveria greke ka vendosur kuota për kalimet në dy pikat e vetme kufitare që funksionojnë me Shqipërinë.

750 persona në ditë nga Kakavija dhe 300 persona në ditë nga Kapshtica.

Dhe, e fundit, që na duket absurde, por që duhet respektuar, është që cilido që vjen nga Shqipëria në Greqi, duhet të qëndrojë 7 ditë karantinë në shtëpi.

Është një masë që zbatohet ndaj kujtdo, pavarësisht nëse është shqiptar, grek apo çfarëdo tjetër.

Policia kryen kontrolle dhe shkelësit gjobiten me 5.000 euro.

Ndaje me miqte