0030 210 33 18 483

Çfarë është tanku ”Leopard 2″?

ATSH 26 Janar 2023

Gjermania vendosi sot t’i dërgojë Ukrainës 14 tanke të tipit ”Leopard 2”.
Tanku i rëndë ”Leopard 2”, të cilin Ukraina e kërkon prej muajsh prej Gjermanisë dhe Perëndimit, është një armë me famë botërore, që ka të ngjarë të ketë një ndikim të rëndësishëm në fushën e betejës.
– Përparësi të shumta –
I projektuar nga prodhuesi gjerman ”Krauss-Maffei” dhe i ndërtuar në seri nga fundi i viteve ’70 për të zëvendësuar tanket amerikane ”M48 Patton” dhe më pas tankun ”Leopard 1”, ”Leopard 2” kombinon fuqinë e zjarrit, lëvizshmërinë dhe mbrojtjen.
Ky tank luftarak prej rreth 60 tonësh, nga të cilët rreth 3 500 kanë dalë nga linja e prodhimit, është i pajisur me një top të kalibrit 120 milimetra, që e lejon atë të luftojë armikun gjatë lëvizjes, falë fuqisë së tij prej 1 500 kuajsh fuqi, deri në 70 km/h, me një distancë prej 450 kilometrash.
Ai është gjithashtu i pajisur, sipas prodhuesit, me mbrojtje pasive integrale efektive kundër minave dhe raketave.
Ekuipazhi i tij prej katër anëtarësh përfiton gjithashtu nga mjetet teknologjike për të lokalizuar dhe synuar armikun në rreze të gjatë.
– Disponueshmëri e gjerë në Evropë –
Një tjetër avantazh i madh është që ”Leopard” është i përhapur në kontinent duke lehtësuar kështu aksesin në municione dhe pjesë këmbimi dhe duke thjeshtuar mirëmbajtjen, gjë që është kërkuese për këtë lloj pajisjeje.
Katër modelet e fundit deri më sot janë ende në përdorim, nga 2A4, nga të cilat Polonia ofron të dorëzojë 14 copë në Kiev, deri te 2A7, me të cilin Berlini nuk është i gatshëm të ndahet, duke preferuar ta mbajë atë, si Franca me tankun e saj ”Leclerc” për të siguruar mbrojtjen.
Finlanda, e pajisur me më shumë se 200 të tillë, sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), është gjithashtu e gatshme të pajisë ushtrinë ukrainase.
Sipas shtypit gjerman, një pjesë e vogël e vendeve të tjera evropiane, të pa përmendura, do të ishin gjithashtu të gatshme të merrnin pjesë në këtë përpjekje.
Greqia me 350 tanke dhe Turqia që i përdori kundër forcave kurde në veri të Sirisë, janë vendet me më shumë kopje të modelit 2A4.
– Ndikim i rëndësishëmnë fushën e betejës –
Nëse Kievi mund të merrte 100 tanke të tillë, efekti do të ishte i rëndësishëm në fushën e betejës kundër rusëve, vlerëson IISS.
E pajisur me ”Leopard 2”, një ushtri mund të thyejë linjat e armikut dhe t’i japë fund një lufte të gjatë në llogore, shkruan ”Bild”.
“Me Leopardin, ushtarët mund të përparojnë disa dhjetëra kilometra në të njëjtën kohë”, thekson gazeta.

Ndaje me miqte