"Homazh"?/ Sabri Godo, kontribut në politikë dhe në letrat shqipe
ATSH
09 Gusht 2020
Kryeministri Edi Rama përkujtoi përmes rubrikës “Homazh”, politikanin edhe shkrimtarin Sabri Godo.
“Sabri Godo do të kishte vetëm 91 vite sot, e kur ishte ende shumë larg kësaj moshe, të tërë e thërrisnin, Plaku Godo. Në fakt nuk ishte Sabriu plak, por ishin shumë kalamaj mesoburrat e politikës adoleshente të atyre viteve të tranzicionit shqiptar”, tha Rama.
Rama u shpreh se e ka njohur pak Plakun Godo, por kishin një simpati reciproke në distancë, bashkë me rezervën për përkatësinë në kampe të kundërta politike.
“Atij i dukej ironike që unë, “gjatoshi gjuhëshpatë” i Lëvizjes Studentore, të isha majështiza e ombrellës rozë të socialistëve, mua më dukej satirike që ai, “gjarpëroshi mendjemprehtë” i Shqipërisë letraro-politike, të ishte fundbishti i ombrellës blu të demokratëve. Kjo në fakt tregon që simpatia për personazhin e tjetrit ishte prej vërteti dhe më kujtohet njëherë, kur Plaku Godo erdhi tek unë në bashki për të zbutur një situatë konflikti politik, e vetmja pjesë ku u morëm vesh ishte admirimi im për librin e tij “Ali Pashë Tepelena” dhe admirimi i tij për punën time në bashkinë e Tiranës”, tha Rama.
“E vetmja nuancë në këmbimin e admiratave, ishte se unë, “gjatoshi”, i tregova Plakut mbresat e mia për Aliun e tij të jashtëzakonshëm, ndërsa ai, “gjarpëroshi”, më tregoi mua mbresat e jashtëzakonshme të zonjës së tij fisnike për punën e kryebashkiakut”, vijoi ai.
“Nuk jam unë njeriu i duhur për të vlerësuar kontributin e Sabri Godos në politikën shqiptare. Dua s’dua, s’mund të jem dot objektiv. Prandaj le të mos ma marrë kush për keq kur them se Plakun Godo do ta kujtojnë, me respekt padyshim, ata që e njohën e do ta njohë më tutje ndonjë tjetër, që do të ketë taksiratin të bëjë ndonjë studim për skenën e rrëmetshme politike të kohës. Por pikë dyshimi nuk kam se autorin e kamares së hatashme biografike të “Ali Pashë Tepelenës”, do ta admirojnë brezat e lexuesve dhe lëvruesve të letrave shqipe”, shtoi Kryeministri.
Ndaje me miqte