0030 210 33 18 483

Izraeli vazhdon bombardimet në Gaza dhe Liban gjatë bisedimeve për paqe në Doha; të paktën 20 të vrarë, përfshirë fëmijë

Tribun News 17 Gusht 2024

Pavarësisht bisedimeve për paqe që po zhvillohen në Samitin e Dohas, situata në terren mbetet e tensionuar. Izraeli ka vazhduar bombardimet gjatë natës midis 16 dhe 17 gushtit, duke sulmuar territoret e Gazës dhe Libanit. Sipas raportimeve, të paktën 21 persona kanë humbur jetën, ndër ta edhe fëmijë, dhe shumë të tjerë janë plagosur. Në qytetin Al-Zawaida në Gaza, 10 persona u vranë kur forcat izraelite bombarduan tendat që strehonin të zhvendosurit. Ndërkohë, një tjetër sulm ajror izraelit në Nabatieh të Libanit jugor rezultoi në vdekjen e të paktën 10 personave, përfshirë fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Bejrut.

 

Hezbollahu, në përgjigje të sulmeve izraelite, ka lëshuar dronë drejt trupave izraelite në kufirin libanez, duke goditur Batalionin e 188 të blinduar të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit. SHBA ka konfirmuar gjithashtu se ka shkatërruar një anije pa pilot të rebelëve Houthi në Detin e Kuq, ndërkohë që tensionet në rajon vazhdojnë të përshkallëzohen.

 

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pritet të mbërrijë në Izrael të dielën për të zhvilluar bisedime me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në përpjekje për të çuar përpara bisedimet për një armëpushim në Gaza. Ndërkohë, autoritetet iraniane shpresojnë që bisedimet e paqes do të shmangin hakmarrjen dhe përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

 

Ndaje me miqte