Çmimi i Konferencës së Mynihut për Aleksis Tsipras e Zoran Zaev
Tribuna TV
01 Shkurt 2019
Konferenca e Mynihut për sigurinë do t’u japë çmimin e vet vjetor kryeministrit grek Aleksis Tsipras dhe atij të Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, si njohje e kontributit në favor të mirëkuptimit dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjes midis të dy vendeve, njofton radio gjermane Deutsche Welle.
Çmimi i sivjetëm “Ewald von Kleist” i konferencës së 55-të të Mynihut për sigurinë, do t’u jepet atyre më 16 shkurt.
Vendimi për dekorimin e dy kryeministrave ishte njoftuar pak ditë më parë, përmes një mesazhi në Twitter nga kreu i Konferencës, Wolfganf Ischinger.
Të enjten, një përfaqësues i institucionit konfirmoi se edhe zoti Tsipras, edhe zoti Zaev e pranuan ftesën dhe do të jenë të pranishëm në punimet e konferencës më 15 dhe 16 shkurt.
Çmimi “Ewald von Kleist” jepet që nga viti 2009. Ndërmjet personaliteteve që janë nderuar në të kaluarën, përfshihen Henry Kisinger, Javier Solana, Helmut Shmidt, Valery Guiskard d’ Estaing, OSBE, ish presidenti i Gjermanisë Joachim Gauck.
Me këtë çmim vlerësohen personalitete udhëheqëse të politikës për sigurinë me kontribut të spikatur për mirëkuptimin ndërkombëtar dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Me dhënien e çmimit kryeministrave Tsipras e Zaev, konferenca e Mynihut vlerëson rëndësinë e Marrëveshjes së Prespës për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan, po edhe në Europë.
Ndaje me miqte