"New York Times: Izraeli kishte dijeni për planin e sulmit të Hamasit që një vit më parë
Tribuna News Network
01 Dhjetor 2023
Raporti i Gazetës New York Times pretendon se zyrtarët izraelitë ishin të informuar për planin e sulmit të 7 tetorit të kryer nga militantët e Hamasit në Izrael, një vit para se të ndodhte.
Sipas raportit, zyrtarët izraelitë kishin marrë planin e betejës së Hamasit për sulmin, i cili rezultoi në vdekjen e 1200 personave. Gazeta pretendon se zyrtarët që i panë planet i hodhën poshtë si "aspirative", duke e vlerësuar atë të vështirë për t'u realizuar nga Hamasi.
Raportohet se një dokument prej 40 faqesh përshkruante me detaje goditje pas goditjeje, po ato veprime që ndodhën më 7 tetor. "Hamasi e ndoqi planin me saktësi tronditëse", shkruan New York Times.
Në dokument, përfshiheshin edhe detajet lidhur me vendndodhjen dhe madhësinë e forcave ushtarake izraelite, qendrat e komunikimit dhe informacione të tjera të ndjeshme. Raporti në NYT ngrit pikëpyetje se si Hamasi mblodhi informacionin dhe nëse ka pasur rrjedhje të mundshme brenda inteligjencës izraelite.
Për momentin, ky raport ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, por po shkakton polemika të shumta rreth mënyrës së infiltrimit të militantëve të Hamasit në territorin izraelit.
Ndaje me miqte