0030 210 33 18 483

Ç"??po ndodh në SHBA? Paketa me lëndë eksplozive në adresë të politikanëve, etj...

Tribuna TV 25 Tetor 2018

Paketa të dyshimta i janë dërguar mes të tjerash ish-sekretares së shtetit Clinton, ish-presidentit Obama, CNN-it në Nju Jork, dhe multimiliarderit George Soros.

President Donald Trump deklaroi të mërkurën se vënia në shënjestër e figurave politike amerikane dhe një rrjeti televiziv me paisje shpërthyese është “e neveritshme” dhe “e përçmueshme” dhe nuk ka vend në skenën politike amerikane.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump tha se ishte “jashtëzakonisht i indinjuar” për dërgimin e paketave rë dyshimta shpërthyese në adresë të Presidentit Barack Obama, të rivales së tij demokrate në zgjedhjet e vitit 2016, Hillary Clinton, rrjetit televiziv CNN në Nju Jork dhe figurave të tjeta politike dhe publike që kanë kritikuar presidencën e tij.

Presidenti amerikan, Donald Trump tha të se "veprime ose kërcënime për dhunë politike nuk kanë vend në Shtetet e Bashkuara".

"Nuk mund t'i tolerojmë këto sulme prej frikacakësh. Dhe i dënoj me forcë të gjithë ata që zgjedhin dhunën. I jam mirënjohës Shërbimit Sekret, si edhe organeve lokale dhe fedarale të rendit për gjithçka që bëjnë çdo ditë për të ruajtur sigurinë tonë dhe u bëj thirrje njerëzve në gjithë vendin që të zgjedhin mirësinë dhe jo urrejtjen", tha Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë. "Ne duhet të bashkohemi", tha ai.

Presidenti tha se "një hetim madhor federal” po kryhet për të identifikuar se kush i ka dërguar paketat.

Ndërtesa Time Warner në Nju Jork u evakuua pasi në magazinën e postës së rrjetit CNN u gjet një paketë e dyshimtë që ishte dërguar në adresë të këtij rrjeti.

Paisja që ishte në një zarf, u transportua me një kamion të posaçëm të departamentit të specializuar për bomba të policisë së Nju Jorkut. CNN-i njoftoi se paketa i ishte drejtuar ish-drejtorit të CIA-s, John Brennan, një kritik i ashpër i zotit Trump.

Ende nuk është konfirmuar nëse paketa ishte e ngjashme me pako të tjera që janë dërguar në adresë të Shtëpisë së Bardhë, si dhe në banesat e ish-Presidentit Obama, dhe çiftit Bill dhe Hillary Clinton.

Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara tha të mërkurën se ka interceptuar paketa të dyshimta, të identifikuara si paisje të mundshme shpërthyese, dërguar në shtëpitë e ish-Presidentit Barack Obama, dhe ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton.

Shërbimi Sekret tha se kishte kapur një paketë që i ishte dërguar zonjës Clinton në Westchester, një zonë në veri të Manhatanit të martën.

Gazeta New York Times njofton se paisja e gjetur pranë shtëpisë së ish-Presidentit Bill Clinton dhe kandidates demokrate për presidente në vitin 2016, është e ngjashme me atë që ishte vendosur në një kuti postare para shtëpisë së filantropistit, George Soros të hënën.

Një paketë tjetër u dërgua në banesën e zotit Obama në Uashington të mërkurën.

"Paketat u identifikuan menjëherë gjatë procedurës rutinë të kontrollit si paisje që mund të jenë shpërthyese dhe u trajtuan si të tilla”, tha Shërbimi Sekret në një deklaratë.

Në deklaratë shtohet se as zonja Clinton, as zoti Obama nuk i morën paketat dhe nuk ishin në rrezik t’i merrnin.

Ndërkohë Departamenti i Policisë në Sunrise të Floridës, njoftoi se po hetonte një paketë të dyshimtë që u gjend pranë një ndërtese kur është zyra lokale e anëtares së Kongresit, Debbie Wasserman Schultz, ish-kryetare e Komitetit Kombëtar Demokrat. Sipas njoftimeve të medias, paketa i ishte drejtuar ish-Prokurorit të Përgjithshëm në administratën e ish-Presidentit Obama, Eric Holder.

(Burimi: Zeri i Amerikes)

Ndaje me miqte