0030 210 33 18 483

"Rama 3"?, pak ndryshime në qeverinë e re

Zëri i Amerikës, ATSH 02 Shtator 2021

Në Shqipëri, qeveria e re e kryeministrit Edi Rama do të ketë shumë pak ndryshime. Në postet kryesore, u rikonfirmuan ministrat aktualë: Olta Xhaçka në krye të diplomacisë, Niko Peleshi te Mbrojtja dhe Bledi Çuçi si i Brendshëm. Po ashtu, asnjë ndryshim nuk do të ketë as në krye të ministrisë së Infrastruktrës dhe Energjisë, të Shëndetësisë, të Arsimit apo dhe të Kulturës.

Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj, merr postin e zëvendëskryeministrit, duke pasuar Erion Braçen, i cili e kishte bërë të qartë vetë se nuk do të ishte më pjesë e ekzekutivit të ri. Ndryshime pati në krye të Financave dhe Ekonomisë, ku Anila Denaj, zëvendësohet nga Delina Ibrahimaj, drejtoresha aktuale e Tatimeve. Në ministrinë e Drejtësisë, ikën Etilda Gjonaj. Në vend të saj, Ulsi Manja, i cili vitet e fundit drejtoi Komisionin parlamentar të Ligjeve. Edhe në krye të Bujqësisë vjen një emër i ri, Frida Krifca, e cila pason Milva Ekonomin. Kjo e fundit merr një ministri pa portofol, atë për Standartet dhe Shërbimet.

Dy emra të tjerë të rinj, do të jenë po ashtu ministra Shteti: Edona Bilali për Mbrojtjen e sipërmarrjes dhe Bora Muzhaqi. Rikthim në qeveri dhe për Mirela Kumbaron, ish ministren e Kulturës e cila do të drejtojë Mjedisin dhe Turizmin. Në total, nga 16 poste ministrore, 12 i janë besuar grave.

Lindita Nikolla – Kryetare e Kuvendit
Rama deklaroi se Kryetare e Kuvendit do të jetë Lindita Nikolla. “Lindita Nikolla, një grua me një kontribut e përvojë të gjatë në familjen tonë politike është shembull i përkushtimit në kryerjen e detyrës dhe politikane karriere”, tha ai.

Ndërkohë për sa i takon kabinetit qeveritar, Zv.kryeministër do të jetë Arben Ahmetaj, i cili do të mbikëqyrë deri në fund rindërtimin.

Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka
Ministër i Mbrojtjes, Niko Peleshi
Ministër i Drejtësisë, Ulsi Manja
Ministër i Punëve të Brendshme, Bledi Çuçi
Ministre e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimi
Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku
Ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu
Ministre e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi
Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca
Ministre e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro
Ministre e Kulturës, Elva Margariti.

Po ashtu, qeveria e re do të ketë 4 Ministra Shteti:

Elisa Spiropali për Marrëdhëniet me Parlamentin

Edona Bilali për Mbrojtjen e Sipërmarrjes

Bora Muzhaqi për Rininë dhe Fëmijët

Milva Ekonomi për Standardet dhe Shërbimet

Ndaje me miqte