0030 210 33 18 483

1,4 milionë karta identiteti dhe pasaporta skadojnë këtë vit. Si do të rinovohen

Tribuna TV 08 Janar 2019

1,4 milionë karta identiteti skadojnë këtë vit duke filluar nga muaji mars. Dhe kjo sepse në mars 2009 janë dhënë kartat e para biometrike, që kanë afat dhjetë vjet.

Ministri i brendshëm, Sandër Lleshaj, ka apeluar me një status në rrjetet sociale, duke u bërë thirrje gjithë shqiptarëve që të verifikojnë vlefshmërinë e kartës së identitetit dhe të pasaportës nëse u skadon në gjysmën e parë të vitit 2019. Sipas tij, në të kundërt qytetarët do të kufizohen në marrjen e shumë shërbimeve në institucionet e vendit.

“Pajisja me kartat e identitetit dhe pasaportat e reja për shumë qytetarë, të cilëve ato u skadojnë në gjysmën e parë të vitit 2019, është një prioritet i rëndësishëm.

Qytetarët duhet të informohen për datën e skadimit të dokumenteve, pasi me të lidhet fati i shumë shërbimeve të rëndësishme. Zyrat e Gjendjes Civile janë në dispozicion për të informuar dhe ndihmuar qytetarët.

Neglizhenca për të kryer detyrimin e pajisjes me dokumentet bazë të identifikimit mund të krijojë probleme për marrjen e shumë shërbimeve të rëndësishme, që nga udhëtimet jashtë vendit e të tjera.

Institucionet do të kushtëzojnë dhënien e shërbimeve, për personat që janë në muajt e fundit të vlefshmërisë së dokumenteve, me paraqitjen e vërtetimeve mbi aplikimin për dokumentin e ri.

Ndaj lutem, verifikoni dokumentet e identitetit dhe mos harroni t’i bëni shërbimin e duhur vetes”, shkruan ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.

 

Ndërkohë, ministria e brendshme ka publikuar një intervistë me drejtorin e përgjithshëm të Gjendjes Civile, Bledar Doracaj.

 

Përse skadojnë në këtë periudhë rreth 1.4 milionë karta identiteti?

Bledar Doracaj: Karta e parë e identitetit e lëshuar nga Autoriteti, daton në mars 2009. Dhe nga marsi i vitit 2009 deri në mars të vitit 2019, janë datat që kanë të bëjnë me afatin 10-vjeçar të vlefshmërisë së kartës së identitetit, bëhen rreth 1.4 milionë shqiptarë të cilëve ju mbarojnë kartat e identitetit.

A mund të aplikohet për kartë ID, edhe para datës së skadencës së saj?

Bledar Doracaj: Absolutisht po, çdo qytetar, për të bërë të mundur pajisjen me dokumentin e ri të identitetit, ID kartën në rastin konkret, mund të paraqitet pranë sporteleve të kompanisë koncensionare “Aleat” dhe mund të aplikojë edhe para kësaj date me qëllim që në rast të ndonjë fluksi të mundshëm në këtë fillim viti apo edhe përgjatë vitit, të shmangë sa më shumë radhët apo fluksin nëpër sportelet e kompanisë “Aleat”.

Shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, a mund të aplikojnë edhe në vendet ku jetojnë?

Bledar Doracaj: Po, janë në disa shtete si Greqia, Italia, SHBA, Belgjika, Anglia, Gjermania, ku shteti shqiptar ofron mundësinë e aplikimit për shtetasit e tij që jetojnë përtej territorit të Republikës së Shqipërisë, pranë ambasadave tona, për të aplikuar për pasaporta dhe karta identiteti.

Çfarë masash shtesë janë marrë për të përballuar këtë fluks?

Bledar Doracaj: Në bashkëpunim me kompaninë “Aleat” ne tashmë kemi të hartuar një plan veprimi për të mundësuar pajisjen e shtetasve me kartën e identitetit në të gjitha qendrat ku ka shërbim të gjendjes civile dhe jemi në fazën e implementimit. Gjithashtu kemi filluar një komunikim intensiv me publikun për ta sensibilizuar dhe për ta bërë të vetëdijshëm që të gjithë atyre që u skadojnë dokumentet e identitetit, nga marsi i vitit 2019 e në vijim të paraqiten në sportelet e kompanisë “Aleat” për t’u pajisur me karta identiteti. Kemi filluar dhe janë shpërndarë postera në të gjithë sportelet e shërbimit, jo vetëm të zyrave të gjendjes civile apo kompanisë “Aleat”, por dhe në sportelet e shërbimit të kujdesit ndaj klientit OSHEE dhe Postës Shqiptare. Gjithashtu nëpër pikat e kalimit kufitar shtetasit pajisen me fletëpalosje të cilat bëjnë me dije ata por dhe vlefshmërinë e kartës së identitetit dhe procedurat që duhet të ndjekin.

Çfarë dokumentesh nevojiten për të rinovuar kartën e identitetit dhe pasaportën?

Bledar Doracaj: Për kartën e identitetit nuk nevojitet asnjë dokument me përjashtim të kuponit, i cili blihet pranë sporteleve të Postës Shqiptare dhe vetë paraqitja fizike e personit në momentin e aplikimit. Për pajisjen me pasaportë, dokumentet janë thjesht formulari i Policisë, i cili bën identifikimin e shtetasit, kopje e kuponit për t’u pajisur me pasaportë dhe paraqitja në sportelet e kompanisë “Aleat” për të bërë aplikimin dhe më pas për t’u pajisur me pasaportë dhe me kartë.

A janë kapacitetet e mjaftueshme për të pajisur 1.4 milion shqiptarë me kartë para datës së zgjedhjeve të qershorit?

Bledar Doracaj: Besoj që kompania koncensionare ka kapacitetet e nevojshme, por këtu nuk është thjesht dhe vetëm thjesht çështje kapacitetesh, është çështje fluksi. Jemi këtu që të ofrojmë një shërbim sa më të mirë dhe cilësor qytetarëve dhe të shpejt gjithashtu dhe prandaj kemi filluar komunikimin që të mos mbajnë radhë nëpër sportele për pajisjen me kartë identiteti.

Ndaje me miqte