0030 210 33 18 483

1.800 euro për të blerë ditët e siguracionit...

03 Maj 2016

Ministria greke e Punëve të brendshme ka dhënë një shtesë të re afati për blerjen e ditëve të siguracionit, për gjithë ata që kanë aplikuar që të pajisen me leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme. Shkaku i kësaj shtyrjeje të afatit lidhet me faktin se IKA ende nuk ka përcaktuar modalitetet përkatëse se si do të veprohet. “Meqenëse IKA nuk e ka nxjerrë ende qarkoren përkatëse, iu lutemi shërbimeve kompetente të vendit që në intervalin deri në nxjerrjen e kësaj qarkoreje, të mos i refuzojnë aplikimet në rastet që pritet paraqitja e vërtetimit mbi blerjen e ditëve të nevojshme për siguracion, përtej gjashtëmujorit dhe përderisa dosja e të interesuarit është e plotë sa u përket dokumenteve të tjera”, thuhet në shkresën e firmosur nga sekretari i përgjithshëm për politikën e emigracionit, Vasilis Papadopulos. Në shkresë, sekretari Papadopulos informon shërbimet në varësi se janë të detyruar të shqyrtojnë edhe ato siguracione që mund të jenë bërë më përpara se aplikimi për pajisje me leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme. Sa i shtrenjtë sigurimi në OGA!... Ditët e nevojshme të siguracionit nuk është kusht që të blihen vetëm në IKA. Ato mund të blihen edhe në OGA (Enti i Siguracioneve të Bujqësisë). Ky ent e ka nxjerrë tashme qarkoren me gjithë modalitetet. Ajo që të bën përshtypje që në shikimin e parë, është tarifa tepër e lartë që duhet të paguajnë të interesuarit: 1.864,92 euro, për 150 ditë siguracioni. Dhe kjo është vetëm për 2016-n, sepse vitin tjetër tarifa parashikohet të jetë më e lartë, sipas ndryshimeve të fundit që pritet të votohen në kuadër të reformës së sigurimeve shoqërore. Ndërkaq, në vend të blerjes, ekziston edhe mundësia që dikush të punojë realisht këto 150 ditë dhe të paguhet me kuponin e Ergosimos. Sipas qarkores së OGA, të drejtën për të marrë vërtetimin e aftësisë siguruese (asfalistiki ikanotita), e kanë: - qytetarët e vendeve të treta që ishin të siguruar në OGA dhe siguracioni i tyre është ndërprerë, - qytetarë të vendeve të treta që nuk janë të regjistruar në amzën e OGA, por punojnë në punë që i përfshin siguracioni i OGA. Për të marrë vërtetimin e aftësisë siguruese, duhet që qytetarët të cilët përfshihen në njerën nga këto kategori: - të blejnë numrin e nevojshëm të ditëve të siguracionit, - të realizojnë 150 ditë pune, që të paguhen nëpërmjet Ergosimos, nëse punojnë si punëtorë të tokës, - të realizojnë 75 ditë pune nëse punojnë si rrogëtarë apo punonjës të pakualifikuar. Qarkorja përcakton se shuma prej 1.864,92 paguhet e tëra përnjëherë. Në këtë shumë përfshihet kontributi për kategorinë e dytë të siguracionit, kontributi për kujdesin mjekësor, për vatrën agrare si dhe pjesa që kalon në favor të shtetit. Me pagesën e 1864,90 eurove, i interesuari përfiton një vit siguracion. Tribuna

Ndaje me miqte