0030 210 33 18 483

1 korriku afati i fundit për pasaportat 10 vjeçare për fëmijët

17 Qershor 2016

Ministria e Punëve të Brendshme rikujton se 1 korriku 2016 është afati i fundit i vlefshmërisë së pasaportave biometrike të lëshuara në periudhën Prill 2009 - Korrik 2010, me afat të pasaktë vlefshmërie për shtetasit shqiptar nën moshën 16 vjeç në momentin e aplikimit. MPB fton qytetarët që kanë hasur këtë problematikë, të aplikojnë sa më shpejt për pasaportat e reja duke shmangur radhët në ditët e verës, ku shtohet fluksi për shkak të ardhjes së emigrantëve. Ministria e Punëve të Brendshme sqaron dhe njëherë lidhur me çështjen e afatit të vlefshmërisë të pasaportave biometrike të lëshuara në periudhën Prill 2009 deri në Korrik 2010 për shtetasit e moshës nën moshën 16 vjeç në momentin e aplikimit për pasaportë biometrike, se (në bazë të ligjit nr. 8668, datë 23.11.2000 “Për pajisjen e shtetasve me pasaportë për jashtë shtetit” i ndryshuar), afati i vlefshmërisë së pasaportave për këtë kategori shtetasish është 5 vjet, në përputhje me standardet ndërkombëtare të dokumenteve të udhëtimit. Gjatë periudhës Prill 2009 - Korrik 2010, për shtetasit shqiptarë nën moshën 16 vjeç në momentin e aplikimit, janë lëshuar rreth 156 mijë pasaporta me afat vlefshmërie jo të saktë (10 vjet), ndërkohë që duhet të ishin 5 vjet. Ministria e Punëve të Brendshme nënvizon se afati 5-vjeçar i vlefshmërisë së pasaportave biometrike për fëmijët 0 -16 vjeç është një standard i njohur ndërkombëtar, për shkak të ndryshimit në kohë të karakteristikave fizike të shtetasve të kësaj moshe. Me ardhjen e qeverisë së re në vjeshtën e 2013, duke konstatuar problematikën, Ministria e Punëve të Brendshme mori masa për menaxhimin dhe zgjidhjen e saj. U propozua shtyrja e afatit të këtyre pasaportave me 1 vit, duke i bërë ato të vlefshme për 6 vjet, që t’u lihet kohë shtetasve për pajisjen me pasaportë të re biometrike. Propozimi i MPB-së u miratua në Kuvend në Prill 2014. Për të njoftuar emigrantët në pikat kufitarë janë shpërndarë fletëpalosje. Njoftimet janë bërë edhe ne zyrat konsullore për qytetarët që jetojnë jashtë shqiperisë. Ndërkohë në zyrat e gjendjes civile janë shtuar masat per perballimin e fluksit. Ministria e Punëve të Brendshme thotë se ka marrë të gjithë masat për përballimin e kërkesave në rritje për pajisjen me pasaportën, duke fuqizuar infrastrukturën e nevojshme në zyrat e aplikimit dhe shpërndarjes së këtyre dokumenteve.

Ndaje me miqte