0030 210 33 18 483

11 masa për mbështetjen e familjeve të viktimave dhe të plagosurve

TV Tribuna 11 Mars 2023

Qeveria greke ka shpallur 11 masa mbështetëse për familjet e viktimave, por edhe të plagosurit e aksidentit tragjik në Tempi.

Në të njëjtën kohë, qeveria thekson se “jeta e njeriut nuk ka çmim. Obligim minimal i shtetit në këto kushte është që të lehtësojë dhe të mbështesë, me modesti dhe respekt, të afërmit e viktimave dhe të plagosurit”.

Masat ndër të tjera përfshijnë: pensione të posaçme për familjarët, shuarje të detyrimeve tatimore dhe ndaj enteve të tjera, mbulim të plotë të shpenzimeve të kurimit dhe rikuperimit të të plagosurve, mbështetje psikologjike falas.

Më konkretisht:

1) U jepet pension i posaçëm familjeve të viktimave, si dhe atyre që pësojnë invaliditet mbi 50% për shkak të aksidentit. Vlera e pensionit caktohet baras me katërfishin e pensionit kombëtar (që është 380 euro), dhe do të jepet duke filluar nga 1 marsi 2023.

2) Detyrimet tatimore dhe siguruese të familjarëve të viktimave si dhe të personave që do të kenë mbi 50% invaliditet për shkak të aksidentit, fshihen.

3) Në bashkëpunim me institucionet bankare dhe administratorët e kredive, detyrimet kreditore të familjareve të viktimave, si kredi strehimi apo personale, pavarësisht nëse janë duke e shlyer ose jo, shuhen.

4) Trashëgimtarët e personave që humbën jetën si pasojë e aksidentit në Tempi, përjashtohen nga taksa e trashëgimisë.

5) Jepet e drejta e emërimit në sektorin shtetëror për një pjesëtar deri në shkallë të dytë të familjes së viktimave. Të drejtën e emërimit e kanë edhe personat që u trajtuan në reanimacion apo që pësuan invaliditet të përhershëm mbi 50%. Në rast se nuk është i mundur emërimi i tyre për shkak të gjendjes shëndetësore, këtë të drejtë e përfiton  bashkëshortja apo fëmijtë.

6) Sa i përket procedurave gjyqësore për të përshpejtuar pagesën e dëmshpërblimeve, do të kihet kujdes ligjor për lehtësimin e ekzekutimit të vendimeve që nga shkalla e parë. Më tej ofrohet asistencë ligjore falas për viktimat dhe të afërmit në rast se e dëshirojnë.

7) Gjithë studentët që ndodheshin në tren si dhe studentët wqë janë fëmijë, bashkëshortë apo persona që kanë lindhur kontratë bashkëjetese, vëllezër dhe prindër të viktimave, apo personave që pësuan invaliditet mbi 50%, kanë të drejtën e transferimit gjatë këtij viti kalendarik në një degë të sistemit të arsimit të lartë.

8) Gjithë përfituesit e mësipërm marrin prioritet sa i përket strehimit dhe u ofrohet falas ushqimi gjatë periudhës së studimit.

9) Në provimet panelinies për vitet 2023, 2024, 2026 do të zbatohen rregullime për pikaverazhin e kandidatëve që ndodheshin në tren, si dhe për fëmijtë, bashkëshortët, apo personat që kanë lidhur kontratë bashkëjetese, apo personat që pësuan invaliditet mbi 50%.

10) Mbulohen tërësisht nga EOPPY shpenzimet e kurimit dhe rikuperimit të të plagosurve në materiale dhe shërbime në të gjitha strukturat e sektorit publik dhe privat, si dhe shpenzimet e transportimit në struktura rikuperimi jashtë shtetit, pa asnjë detyrim nga të interesuarit.

11) U ofrohet falas mbështetje psikologjike në shtëpi për gjithë jetën familjeve të viktimave, të plagosurve dhe pasagjerëve.

Ndaje me miqte