15 vjet nga 11 shtatori 2001 &ldquodita që ndryshoi botën&rdquo
TRIBUNA
11 Shtator 2016
11 shtator 2016. Sot mbushen 15 vjet nga sulmet terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 11 shtator 2001. Eshtë sulmi më i madh terrorist në histori që ka ndodhur deri më sot, ndërsa ka shkaktuar ndryshime të mëdha në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe në jetën shoqërore dhe politike në të gjithë botën. Prandaj dhe 11 shtatori 2001 konsiderohet si “dita që ndryshoi botën”.
Katër sulmet e kryera nga 19 terroristë, kushtuan me rreth 3.000 jetë njerëzish, 6.000 të plagosur. U dëmtuan pasuri dhe infrastrukturë me vlerë 10 miliardë dollarë në, ndërsa dëmi total si pasojë e këtyre sulmeve shkon në 3 trilionë dollarë.
Sulmi
Ishte ora 8.45 në Nju Jork, data 11 shtator 2001. Brenda pak minutash, mijra vetë vdiqën në rrenojat e kullave binjake në Qendrën Botërore të Tregëtisë në Nju Jork.
Kullat ishin simbol i kapitalizmit amerikan dhe një ndër objektet më të njohura të Nju Jorkut. Ato pak minuta ndryshuan botën dhe tronditën njerëzit në botë.
Që pas përplasjes së aeroplanit të 'American Airlines' në kullën veriore u bë e qartë se numri i të vdekurve do të ishte i madh.
Por ajo që pasoi ishte edhe me makabre. Më 9.03 minuta një aeroplan i dytë u përplas në kullën jugore.
Brenda një ore, një shpërthim i brendshëm, shkatërroi kullën jugore e cila u shëmb. Pas disa minutash u shëmb edhe kulla e dytë.
Kullat binjake u shkatërruan qëllimisht nga pilotë vetëvrasës islamikë që ishin të mbushur me urrejtje kundër Shteteve të Bashkuara dhe ishin të vendosur për t'u hakmarrë ndaj, asaj që ata e konsideronin, padrejtësi që Uashingtoni i kishte bërë botës islame.
Por, kishte edhe më. Më 9.43, një aeroplan i tretë i rrëmbyer goditi Pentagonin, selinë e Departamentit amerikan të Mbrojtjes, dhe shkatërroi pjesën perëndimore të godinës. Qindra vetë u vranë.
Në mbrëmjen e asaj dite, presidenti Bush mbajti një fjalim për vendin e tronditur. “Sot, bashkëatdhetarët e mij, mënyra jonë e jetesës, liria jonë u godit nga një seri sulmesh të qëllimshme terroriste. Viktimat ishin në aeroplanë, ose në zyrat e tyre - sekretarë, afaristë, punonjës ushtarakë e federalë, nëna dhe baballarë, miq e komshinj. Mijëra jetë njerish pa pritur morën fund për shkak të akteve terroriste keqdashëse dhe të neveritshme”, tha presidenti.
Hetimet që pasuan treguan se grupi radikal islamik al-Qaidës, i udhëhequr nga Osama bin Ladeni, ishte përgjegjës për sulmet terroriste. Të 19 rrëmbyesit e aeroplanëve ishin nga Lindja e Mesme.
Kronologjia e 11 shtatorit 2001
- ORA 8:46 e mëngjesit, një aeroplan i rrëmbyer u përlplas mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në New York, duke krijuar një çarje të thellë në faqen e ndërtesës dhe duke shkaktuar zjarr. 17 minuta më vonë, në orën 9:03, një aeroplan tjetër pasagjerësh përplaset mbi kullën jugore, duke krijuar një lëmsh të madh zjarri.
- ORA 9:17. Administrata Federale e Aviacionit urdhëron mbylljen e të gjitha aeroporteve në New York. Pak minuta më vonë, mbyllen edhe urat dhe tunelet në New York.
- ORA 9:30, Presidenti Bush që ndodhej në Florida, informon popullin amerikan se vendi ka përjetuar një sulm terrorist.
Ndërkohë, Administrata Federale e Aviacionit, ka pezulluar të gjitha fluturimet, hera e parë kjo në historinë amerikane, që pezullohet transporti ajror.
- ORA 9:37 e mengjesit. Vetëm pak kilometra jashtë Washingtonit, një aeroplan pasagjerësh përplaset mbi ndërtesën e Pentagonit, duke e mbuluar atë në flakë. Disa qindra vetë vriten ose plagosen.
- ORA 10:05. Kulla jugore e Qendres Botërore të Tregtisë rrëzohet, duke shkaktuar re të dendura pluhuri që mbulojnë qytetin e New Yorkut.
- ORA 10:10 e mëngjesit, Aeroplani i linjës United Airlines numër 93, rrëzohet në shtetin Pensylvania.
- ORA 10:22, Departamenti i Shtetit dhe i Drejtësisë evakuohen dhe më pas edhe Banka Botërore dhe ndërtesa e kongresit.
- ORA 10:28 Kulla veriore e Qendres Botërore të Tregtisë rrëzohet! Kullat e famshme binjake të New Yorkut nuk janë më.
- ORA 10:45, të gjitha zyrat kryesore të qeverisë federale evakuohen.
- ORA 11:59, agjencia ajrore, United Airlines konfirmon se aeroplani me numer fluturimi 175, i linjës nga Bostoni për në Los Angeles është rrëzuar me 56 pasagjerë dhe 9 pjestarë të ekuipazhit. Më pas mësohet se ky ishte aeroplani që u përplas mbi kullën jugore të Qendrës Botërore të Tregtisë.
Ndaje me miqte