0030 210 33 18 483

17.09.2019 / Zhvillimet kryesore të ditës

TV TRIBUNA 17 Shtator 2019

LAJMI KRYESOR

Situata në tregjet ndërkombëtare, pas sulmit me dron kundër rafinerive të naftës në Arabinë Saudite, mund të shkaktojë rritje të çmimit të karburantit në Greqi.

Paralajmërimi është bërë nga drejtuesit e federatës së tregtarëve të karburantit të Greqisë (POPEK).

Sipas tyre, ka gjasë që çmimi i benzinës të arrijë në 2 euro për litër dhe çmimi i naftës për ngrohje në 1,40 euro për litër.

Të hënën, sapo ndodhi rritja galopante e çmimit të naftës Brent në bursat ndërkombëtare, çmimi mesatar i benzinës në tregun grek ishte përgjithësisht i pandryshuar.

Por tregtarët paralajmërojnë se presin “nga e mërkura, një rritje të konsiderueshme të çmimit” të shitjes në pikat e karburantit.

 

GREQI

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis do të takohet më 24 shtator me presidentin amerikan, Donald Trump, në kuadër të punimeve të asamblesë së përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Lajmi është dhënë nga agjencia zyrtare e lajmeve ANA-MPA.

Më pas, Mitsotakis do të takohet me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

Në Athinë ende nuk konfirmojnë nëse Mitsotakis do të takohet edhe me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

 

Hiqet shkrimi i besimit fetar dhe i nënshtetësisë në dëftesat dhe regjistrat e shkollës së mesme, por edhe në sistemin informatik “myschool”.

Ministrja greke e arsimit, Niki Kerameos, deklaroi me këtë rast se dokumentacioni shkollor mbahet që të pasqyrohet përparimi i nxënësit në mësime.

 “Objektivi ynë është që të kultivojmë një mjedis shkollor të dijes, të lirë, krijues, pa përjashtime. Duke luftuar çdo lloj diskriminimi dhe duke respektuar bindjet fetare dhe kombësinë”, deklaroi ministrja.

 

Këshilli bashkiak i Athinës i ka nxjerrë dy “kartona të kuq” përfaqësuesve të Agimit të Artë.

Në mbledhjen e parë të këshillit, sa kryetari i bashkisë, Kostas Bakojanis, aq edhe rivalët e tij Nasos Iliopoulos dhe Pavlos Geroulanos, u larguan në mënyrë demonstrative nga salla kur fjalën e mori përfaqësuesi i Agimit të Artë në këshillin bashkiak, Ilias Katsidiaris.

Pak më vonë, këshilltarët bashkiakë të të gjitha formacioneve, përjashtuan me votën e tyre, pjesëmarrjen e kandidatëve të propozuar nga Agimi i Artë për bordet e organizmave dhe shërbimeve të bashkisë.

 

MOTI

TË MËRKURËN: Përgjithësisht mot i kthjellët. Shikueshmëria në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes në perëndim do të jetë vende – vende e kufizuar.

Temperatura nuk do të shënojë ndryshim të ndjeshëm.

 

SHQIPËRI

Pas kthimit nga Gjermania, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se vendet anëtare të BE kanë një debat të brendshëm që nuk lidhet më Shqipërinë apo me vlerësimin e bërë ndaj vendit tonë.

“Këto do e marrim vesh në 18 tetor dhe pse jemi në fund të rrugës. Por dhe pse është ende shumë e gjatë ka dhe shumë vendime për të marrë.”- tha Rama, gjatë një interviste për televizionin Klan.

Kryeministri është shprehur i gatshëm që të bashkëpunojë me opozitën, por thekson se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, pasi sipas tij, zgjedhjet do të zhvillohen në 2021.

Rama tha gjithashtu se Kuvendi do t’i shkojë deri në fund nismës për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

 “Kjo shumicë qeverisëse nuk është krijuar për të bërë presion ndaj askujt,. Procesi në fjalë është një proces të parlamentit dhe tani është në dorë të parlamentit.”- tha kryeministri.

 

Platformë online për të raportuar problemet në ambasadë

Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj ka kërkuar nga të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit që të raportojnë çdo problem që mund të hasin gjatë shërbimeve konsullore, duke shkarkuar aplikacionin “Ambasada Ime”.

“Pasi të shkarkoni aplikacionin Ambasada Ime, me një një klik zgjidhni rubrikën “Raporto”. Pasi të keni bërë zgjedhjen e vendndodhjes dhe shërbimit që keni marrë, në hapësirën “raportimi juaj” paraqisni hollësisht shqetësimet tuaja dhe raportoni drejtpërdrejtë për probleme të çfarëdolloj natyre”, shkruan Cakaj në rrjetin social.

“Rubrika e re “Raporto” garanton tashmë që shqetësimet tuaja të përcillen drejtpërdrejtë në të gjitha nivelet drejtuese në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Le të përpiqemi së bashku për një shërbim sa më llogaridhënës, funksional dhe dinjitoz”, mbyllet postimi në Facebook i Gent Cakajt.

 

Partia Demokratike ka publikuar prova që sipas saj faktojnë që Mark Babani, kreu aktual i Bashkisë së Vaut të Dejës, është i dënuar në Itali për vjedhje makinash. Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi tha se Babani është arrestuar në datë 4 prill të vitit 1994, në zonën e Sicilisë me emrin e rremë, Marq Babaj

Vetë Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Mark Babani, ka reaguar duke hedhur poshtë akuzat. “Kurrë në jetën nuk kam qenë as i arrestuar dhe as i ndaluar”, tha Babani.

Ai paralajmëroi se do të bëjë denoncim penal për Gazment Bardhin, duke e akuzuar për shpifje ndaj figurës së tij.

 

UEFA Champions League nis sonte sezonin e ri, me ndeshjet e para të fazës së grupeve. Të martën dhe të mërkurën, do ngjiten në skenë 32 skuadrat më të mira të kontinentit, për të nisur rrugëtimin drejt finales së madhe që këtë vit do të zhvillohet në Stamboll, në stadiumin “Ataturk”.

Të martën, 17 shtator do të luhen ndeshjet e grupeve, E, F, G dhe H.

 

“Napoli”- “Liverpool” 2:0

 “Red Bull Salzburg”-“Genk” 6:2

“Inter”-Slavia Praha” 1:1

“Borusia Dortmund”-“Barcelona” 0:0

“Lyon”-“Zenit San Peterburg” 1:1

“Benfika”-Liepzig” 1:2

“Ajax”-“Lille” 3:0

“Chelsea”-“Valencia” 0:1

Të mërkurën:

“Clube Brugge”-“Gallatasaray”

“Olympiacos” -“Tottenham”

“Bayern Munchen”-“Crvena Zvezda”.

“Dinamo Zagrebi”-“Atalanta”

“Shaktar Doneskt”-“Manchester City”.

“Atletico Madrid”-“Juventus”

“Bayern Leverkusen”-“Lokomotiva Moskë”.

Ndaje me miqte