0030 210 33 18 483

18.09.2019/ Zhvillimet kryesore të ditës

TV TRIBUNA 18 Shtator 2019

LAJMI KRYESOR

Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk tha se Shqipëria është më afër objektivit të hapjes së bisedimeve dhe se e meriton, në përputhje dhe me rekomandimin e Komisionit europian. Zoti Tusk i bëri këto komente në Tiranë, në përfundim të takimit me kryeministrin Edi Rama. Sipas tij anëtarësimi i Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor është në interes të vetë Europës prandaj “askush nuk po i bën favor askujt”, nënvizoi Tusk.

Presidenti i Këshillit Europian theksoi se “Shqipëria duhet trajtuar me të njëjtin respekt dhe sipas meritave të veta, ashtu siç janë trajtuar dhe të gjitha vendet e tjera dhe do trajtohen vendet tjera të rajonit, të cilët ndajnë me ju objektivin e të qenit vend anëtar në BE”.

Për kryeministrin Edi Rama, i cili i dha zotit Tusk medaljen “Ylli i Madh i mirënjohjes” procesi i integrimit të Ballkanit perëndimor në BE ka qenë “një prej pikave të palëvizshme të referimit të udhëheqjes së Presidentit të Këshillit europian” i cili përfundon mandatin në fund të këtij viti.

 

“PD ka përgjegjësi për të nxjerrë vendin nga kriza”, ka deklaruar kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga Shkodra, ku ka zhvilluar një takim me disa drejtues lokalë të PD dhe ish-deputetë demokratë.

 

Komisioni Hetimor Parlamentar për shkarkimin e presidentit Ilir Meta miratoi kërkesën e kryetarit të komisionit, Ulsi Manja për shtyrjen e punimeve deri në daljen e opinionit të Venecias.

Në seancën e sotme të Komisionit, u miratua zgjatja e punimeve me 2 muaj, sipas kërkesës së Manjës.

Kërkesa erdhi për shkak se konkluzionet e komisionit të Venecias do të dalin më 12 tetor, disa ditë pas mbylljes së afatit ligjor të strukturës hetimore që ishte data 8 tetor.

Ndërkohë, informacioni sekret i presidentit Ilir Meta, për tentativën për djegien e Kuvendit më 8 qershor, është tashmë në duart e drejtuesit të Komisionit Hetimor.

Ulsi Manja konfirmoi se materiali i është vënë në dispozicion nga Presidenca dhe deputetët e Komisionit do të njihen nëse kanë nivelin e duhur të çertifikatës së sigurisë.

 

GREQI

Çmimet e naftës kanë nisur të bien në bursën e Londrës e të Nju Jorkut, në kohën që Arabia Saudite garantoi se prodhimi do të rikthehet në nivelet e mëparshme deri në fund të shtatorit.

Ndërkohë, në Greqi, çmimi i benzinës mbeti i qëndrueshëm.

Sipas ministrisë së Zhvillimit, çmimi mesatar i benzinës pa plumb ishte 1,592 euro për litër, kundrejt 1,589 që ishte një ditë më parë.

 

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka asistuar në prezantimin e 12 masave që do t’i shërbejnë përmirësimit të situatës së punësimit, sigurimeve shoqërore dhe  luftimit të punës së padeklaruar, gjatë një vizite në ministrinë e Punës.

“Puna e padeklaruar do të luftohet sistematikisht nga kjo qeveri. Ky është një angazhim i imi dhe së shpejti do të shikojmë rezultate të prekshme”, deklaroi kryeministri grek.

Më tej, Mitsotakis shtoi se një nga synimet e tjera është forcimi i mëtejshëm i rrjetit të solidaritetit social, me një sërë masash ekonomike dhe institucionale, ku përfshihet edhe kompensimi me 2.000 euro për çdo fëmijë që lind në Greqi.

 

Në 6 vjetorin e vrasjes së këngëtarit antifashist, Pavlos Fyssas, mijëra njerëz u tubuan të mërkurën në Keratsini, duke hedhur parulla kundër fashizmit dhe partisë Agimi i Artë.

Aty, 34 vjeçari Fyssas u godit për vdekje me thikë nga një aktivist i Agimit të Artë. Ishte duke u gdhirë 18 shtatori 2013.

Reagimi i autoriteteve ishte i menjëhershëm dhe në ditët në vijim u arrestua gjithë piramida udhëheqëse e Agimit të Artë, mes të cilëve shumë deputetë të kësaj partie.

Që atëherë ata po përballen me akuza si organizatë kriminale, në një proces gjyqësor që ende nuk ka mbaruar...

Pavlos Fyssas kishte krijuar personalitetin e vet artistik, nëpërmjet koncerteve në Athinë dhe zona të tjera të vendit. Këngët e tij kishin si temë kryesore emigrantët dhe refugjatët.

 

SELANIK: Që nga dita e sotme në rrugën Monastiriou qarkullimi i mjeteve do të bëhet me devijime, për shkak të punimeve që kanë filluar dhe do të vazhdojnë për katër muaj.

Të enjten do të mbyllet dhe rruga Venizelou.

 

MOTI

Të enjten parashikohet ndryshim i motit me shira dhe shtrëngata lokale në pjesën veriore të detit Jon, në Epir, Thesali, Maqedonia si dhe në zona të Greqisë Qendrore dhe Peloponezit.

Në Atikë parashikohen vranësira që në orët e pasdites do të dendësohen dhe mund të shënoehn shira të dobët.

Temperatura në Athinë do të jetë nga 20 deri 31 gradë celsius.

Në Selanik priten fillimisht vranësira që do të dendësohen në mesditë dhe do të pasohen nga shtrëngata shiu.

Temperatura në Selanik: nga 18 deri 26 gradë celsius.

 

Sot është dita e dytë e ndeshjeve të turit të parë të Champions League.

Olympiakos pret në “Karaiskaki” Tottenham-in dhe traineri i “djemve të Pireut”, Pedro Martins, deklaroi se ekipi i tij synon fitoren.

Ndeshjet e të mërkurës:

“Clube Brugge”-“Gallatasaray” (ora 19,55)

“Olympiacos” -“Tottenham” (Ora 19,55)

“Bayern Munchen”-“Crvena Zvezda” (Ora 22,00)

“Dinamo Zagrebi”-“Atalanta” (Ora 22,00)

“Shaktar Doneskt”-“Manchester City” (Ora 22,00)

“Atletico Madrid”-“Juventus” (Ora 22,00)

“Bayern Leverkusen”-“Lokomotiva Moskë” (Ora 22,00).

 

Rezultatet e ditës së parë:

“Napoli”- “Liverpool” 2:0

 “Red Bull Salzburg”-“Genk” 6:2

“Inter”-Slavia Praha” 1:1

“Borusia Dortmund”-“Barcelona” 0:0

“Lyon”-“Zenit San Peterburg” 1:1

“Benfika”-Liepzig” 1:2

“Ajax”-“Lille” 3:0

“Chelsea”-“Valencia” 0:1

Ndaje me miqte