20 vjet nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001
Tribuna TV
11 Shtator 2021
20 vjet më parë, në 11 shtator 2001, u shënua një ngjarje tragjike që ndryshoi përgjithmonë historinë e botës.
Brenda dy orësh, kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë (World Trade Center) u kthyen në një grumbull inkandeshent pluhuri dhe çeliku, ndërkohë që u godit edhe Pentagoni.
Atentatet u morën përsipër nga 19 anëtarë të al-Kaedës, të cilët ndryshuan drejtimin e katër avionëve për t’i rrëzuar mbi simbolet ekonomike, ushtarake dhe politike të SHBA-së.
Dy avionë sulmuan WTC-në, një i tretë Pentagonin.
Avioni i katërt kishte vënë në shënjestër Shtëpinë e Bardhë ose Kongresin, sipas komisionit të hetimit mbi 11 shtatorin, por pas një ndërhyrjeje të pasagjerëve ai rrëzohet në një fushë të Pensilvanisë.
Bilanci tragjik ishte 2.753 të vdekur.
Së bashku me imazhet e asaj tragjedie që televizionet vazhdojnë të riprodhojnë në emisione speciale, dokumentarë, intervista: avionët që përplasen me qiellgërvishtësit, tymi që errëson qiellin, kullat e shndërruara në pluhur, të plagosurit në arrati, heronjtë në flakë.
Sot, në përvjetorin e 20-të të asaj tragjedie të pashembullt, presidenti amerikan, Joe Biden mori pjesë në ceremoninë përkujtimore në New York, duke pasur në krah ish presidentit Barack Obama dhe Bill Clinton.
Më herët, me një fjalim drejtuar kombit, presidenti Biden theksoi që “Ndërsa vazhdojmë të shërohemi nga kjo tragjedi, ne e dimë me siguri se nuk ka gjë që Amerika nuk mund ta kapërcejë. Farat e kaosit, të mbjella atë shtator nga ata që donin të na lëndonin, në vend të kësaj kanë lulëzuar në fushat e shpresës për një të ardhme më të ndritshme”.
Ishte një sulm i paimagjinueshëm ndaj simboleve të fuqisë financiare dhe ushtarake të Amerikës, një goditje e paparë për demokracinë amerikane dhe atë të të gjitha vendeve perëndimore, që jehon edhe sot e kësaj dite me krizën afgane.
“Akte frikacake të lindura nga urrejtja perverse, që kanë ndryshuar kombin tonë përgjithmonë”, pranoi presidenti, duke vënë në dukje se 20 vjet pas asaj dite terrori, “traumat, dhimbjet dhe kërkimi i drejtësisë, qoftë personal apo kolektiv, vazhdojnë të përndjekin kujtimet tona”, tha presidenti Biden gjatë fjalimit të tij.
Biden premtoi se 2 977 viktimat “nuk do të harrohen kurrë”, së bashku me “të njëjtën këmbëngulje me të cilën ne mbrojmë vlerat amerikane që janë rrënja e forcës sonë”, duke ftuar të gjithë që të reflektojmë mbi lirinë dhe tolerancën, “pjesë e karakterit tonë amerikan”.