0030 210 33 18 483

2019, sa shqiptarë janë me leje qëndrimit në Greqi?

TV Tribuna 06 Prill 2019

Shqiptarët përbëjnë 2/3 e shtetasve të huaj që ndodhen në Greqi me leje qëndrimi.

Kjo rezulton nga të dhënat më të fundit, të marsit 2019, që ka bërë publike ministria e politikës së emigracionit.

Kështu, nga 551.458 shtetas të huaj që kanë marrë leje qëndrimi të gjithë tipave, 364.574 janë shqiptarë.

Ndër bashkatdhetarët tanë, numri më i vogël i lejeve të qëndrimit është dhënë për punë të varur.

Janë 43.622 shtetas shqiptarë që kanë leje qëndrimi për punë të varur.

Pjesa më e madhe, 181.810 kanë leje qëndrimi të tipave të tjera, veç asaj për bashkim familjar.

Por jo i vogël është dhe numri i atyre që kanë leje qëndrimi për bashkim familjar: 139.043.

Ndërkohë, janë dhe 99 shtetas shqiptarë, që kanë leje qëndrimi për arsye studimi.

Por vetëm epërsia numerike është ajo që i dallon shqiptarët nga komunitetet e tjera.

Sepse radhët e gjata, pritjet pa fund dhe sorollatjet janë njëlloj për të gjithë, pavarësisht vendit të origjinës dhe kombësisë...

Dhe më e keqja, dita ditës, situata do të bëhet dhe më e rëndë...

Parashikimi vjen nga Ilias Hronopoulos, drejtor i drejtorisë së shtetasve të huaj dhe emigracionit në Athinë.

Vetë hallexhinjtë duket se janë mësuar me situata të tilla, janë regjur tashmë.

Përndryshe, 21 vjet pas fillimit të procesit të lejeve të qëndrimit, intervalet e funksionimit normal kanë qenë tepër të pakta...

Ndaje me miqte