26 të vrarë në një kishë në Teksas. Autori i masakrës ishushtarak
06 Nentor 2017
Të paktën 26 vetë gjetën vdekjen pasi një person i armatosur hapi zjarr të dielën gjatë një ceremonie kishtare në komunitetin e vogël Sutherland Springs të Teksasit. Viktimat ishin të moshave nga 5 deri në 72 vjeç. Zyrtarët e quajtën ngjarjen më të rëndën e këtij lloji në historinë e Teksasit.
Mes lotëve dhe lutjeve, familjarët e viktimave u mblodhën për të mësuar mbi fatin e njerëzve të tyre.
"Nuk ka fjalë për ta përshkruar. Sepse këto gjëra ndodhin në Nju Jork, në qytetet e mëdha,” thotë një grua.
Një ceremoni e zakonshme kishtare në këtë qytet të vogël të Teksasit u shndërrua papritur në një tragjedi.
Zyrtarët thanë se një person i armatosur me pushkë hapi zjarr jashtë kishës Baptiste në Sutherland Springs dhe vazhdoi të qëllonte ndërsa hynte brenda saj.
Guvernator i Teksasit Greg Abbott u shpreh: "Eshtë ngjarja më e rëndë e këtij lloji në historinë e shtetit tonë... Janë kaq shumë familje që kanë humbur njerëzit e tyre, baballarë, nëna, bij dhe bija. Tragjedinë e rëndon më shumë fakti që ajo ndodh në një kishë, në një vend lutjesh".
Njeriu i armatosur u gjet më vonë i vrarë në automjetin e tij pas një konfrontimi me në civil.
Presidenti Donald Trump, i cili ndodhej në Japoni, ndalesa e parë në udhëtimin e tij në pesë vende të Azisë, shprehu ngushëllime.
"Ne bashkojmë duart, bashkojmë krahët dhe, përmes lotëve dhe trishtimit, qëndrojmë të fortë, shumë të fortë!” tha zoti Trump.
Në Teksas, pjestarët e komunitetit thonë se nuk heqin dorë nga besimi ndërsa luftojnë me humbjen e rëndë.
Mediat amerikane thonë se autori i masakrës quhet Devin Patrick Kelley, 26 vjeç. Kelley mësohet të jetë shkarkuar nga forcat ajrore në vitin 2014, pasi përfundoi në mesin e një gjyqi ushtarak për agresion ndaj të shoqes dhe fëmijës së tij.
26-vjeçari, sipas autoriteteve të Departamentit të Sigurisë Publike, ishte i veshur i gjithi me të zeza dhe mbante në trup një jelek antiplumb. Ai fillimisht hapi zjarr me një pushkë gjysmë-automatike në ambientet përpara kishës e më pas hyri brenda. Në kohën kur po largohej prej andej, një qytetar i zonës rrëmbeu armën e tij dhe nisi të qëllonte mbi të dyshuarin, që e hodhi pushkën e u largua me makinë. Shtypi tregon se qytetari ka vazhduar ta ndjekë agresorin që më pas doli nga rruga dhe e përplasi automjetin ku policia e gjeti më pas të vdekur.
Nuk është e qartë megjithatë nëse i riu është vetëvrarë apo ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga plumbat e qytetarit lokal. Në makinë u gjetën disa armë të tjera. Pastori i kishës së mësyrë, Frank Pomeroy, tha për “ABC News” se në mesin e të vrarëve ishte edhe vetë vajza e tij 14-vjeçare, Annabelle. 23 prej viktimave u vranë jashtë kishës, dy brenda saj dhe një tjetër vdiq më vonë në spital.
Kelley kishte qenë gjithashtu një mësues i studimit të shkrimeve të Biblës, por faqja e tij në Facebook tregon gjithashtu një adhurim të frikshëm të tij për armët.
Ndaje me miqte