0030 210 33 18 483

26 vjet PD Basha: Për një model të ri ku pushteti do të jetë i kufizuar dhe qytetari do të jetë i fuqizuar

TRIBUNA 11 Dhjetor 2016

Partia Demokratike festoi të dielën 26 vjetorin e themelimit të saj dhe në këtë ditë të shënuar, kryetari i PD-së Lulzim Basha, vendosi të hapë dyert e selisë blu për qytetarët. “Partia Demokratike lindi e madhe,PD-ja me përpjekjet e saj u solli shqiptarëve më shumë liri e demokraci dhe i solli ata më afër Evropës”, tha Basha në përshëndetjen e tij. “Por nderimi dhe respekti për arritjet tona nuk na bëjnë ne të verbër dhe as nuk i fshehin ato që s’kemi bërë apo ato që kemi bërë. Shqipëria e vitit 1990 dhe kjo e sotmja janë larg njera-tjetrës, por kanë dhe të përbashkëta. Shqipëria e 1990, ishte ajo e një regjimi të kalbëzuar, kurse sot, pas 26-vjetësh ka në krye një kastë kriminale të korruptuar, që ka në sistem drogën, krimin. Ky është kalbëzimi që i nxin jetën çdo shqiptari dhe i vret shpresën dhe i shtyn në arrati”, deklaroi Basha. Basha, deklaroi se, PD-ja do të sjellë një “model të ri politik”. “Ne mund t’i ofrojmë qytetarëve një model të ri politik, ku levat e fuqishme të kontrollit në demokraci të kenë hapësirën dhe mundësinë të kontrollojnë çdo vendim të qeverisë së ardhshme. Modeli i ri nuk duhet të mbështetet në fasadë dhe propagandë, por në punë dhe interesin publik”, tha Basha. Kreu i demokratëve shtoi se PD-në “e kanë mbajtur të madhe veprat e saj në dobi të shqiptarëve”. “Shqipëria e vitit 1990 dhe kjo e vitit 2016 janë larg njëra-tjetrës, por kanë edhe të përbashkëta. 26 vite më parë ishte në fundin e një sistemi të kalbëzuar, me shqiptarët që iknin ku t’i çonte anija e fatit. Sot është në fund të qeverisjes së kalbëzuar, që ka korrupsionin dhe blerjen e votës në sistem. Ortakëria mes politikanëve dhe medias ka dobësuar mekanizmat e kontrollit ndaj qeverisë. Etja për pushtet me çdo kusht ka sjellë kriminelë në majat e pushtetit. Viktimat e kësaj politike janë njerëzit e thjeshtë”, u shpreh Basha. Kryetari i PD-së theksoi se kjo parti do të krijojë mundësinë për konkurrencën e alternativave brenda partisë, në mënyrë që çdokush që ka vizion të konkurrojë që vizioni i tij të bëhet i partisë. Basha shtoi edhe se do të shkurtohet mandati i kryetarit. Në ambientet e brendshme të selisë së Partisë Demokratike është çelur edhe një ekspozitë, e cila tregon përmes fotografive rrugëtimin 26 vjeçar të kësaj partie. Fjala e plotë e Lulzim Bashës: Mesazhet e 26 vjetorit të krijimit të pluralizmit dhe të Partisë Demokratike Mirë se keni ardhur në shtëpinë e Partisë Demokratike. Ju uroj të gjithëve gëzuar ditën e lindjes së pluralizmit. Gëzuar festën e Partisë Demokratike. Për ne demokratët është burim krenarie që Partia Demokratike lindi nga e njëjta aspiratë dhe nga e njëjta ëndërr me të cilën lindi liria dhe pluralizmi. Për ne është kumptimplotë që Partia Demokratike mori jetë nga e njëjta përpjekje dhe nga të njëjtët njerëz që u ngritën kundër diktaturës: nga studentët e dhjetorit, qytetarët e thjeshtë dhe intelektualët që para 26 vitesh u bashkuan me njëri-tjetrin dhe vranë frikën për të kërkuar liri, demokraci dhe Shqipëri europiane. Nga ky shesh dua t’ju shpreh secilit prej tyre mirënjohjen e thellë për dritën dhe shpresën që ata zgjuan në zemrat e një populli të shtypur e të vuajtur. Partia Demokratike lindi e madhe nga zgjimi dhe revolta e shqiptarëve kundër shtypjes, varfërisë dhe izolimit komunist, nga ëndrra e tyre për liri, demokraci dhe dinjitet, nga aspirata e tyre e flaktë për t’iu bashkuar Europës së kombeve të lira. Gjithë këtij vlimi të rrallë popullor i dhanë shprehje politike me mençuri, me guxim dhe në kushte shumë të vështira themeluesit - studentët e Lëvizjes së dhejtorit, intelektualët që u bashkuan më ta, Azem Hajdari, Sali Berisha, Gramoz Pashko të gjithë ata që janë sot e do të jenë përgjithmonë në panteonin e demokracisë shqiptare. Partia Demokratike lindi e madhe, por atë e kanë mbajtur të madhe veprat e saj në dobi të Shqipërisë dhe shqiptarëve; Këtë çerek shekulli, Partia Demokratike ndërmori disa nga reformat më kurajoze dhe më të thella për çlirimin e njerëzve, liberalizimin e ekonomisë dhe hapjen e Shqipërisë, vendit më të izoluar në botë ku për 50 vjet nuk depërtonte liria, dija, përparimi njerëzor. Partia Demokratike ishte faktor kyç për ndërtimin e institucioneve të tregut, të infrastrukturës, të lëvizjes së lirë, të integrimit europian, të anëtarësimit në NATO. Po! Partia Demokratike me përpjekjet e saj u solli shqiptarëve më shumë liri, më shumë demokraci dhe i afroi ata më shumë me Europën. Por nderimi për të shkuarën dhe respekti për arritjet tona nuk mund të na bëjnë të verbër ndaj të tashmes ku jemi dhe të ardhmes ku duam të shkojmë. ?farëdo që ne kemi bërë mirë, nuk mund të fshehë apo justifikojë ato që nuk kemi bërë, apo ato që kemi bërë gabim. Të dashur miq, Shqipëria e vitit 1990 dhe kjo e vitit 2016 janë sigurisht larg njera-tjetrës por kanë edhe të përbashkëta. E kam fjalën për kalbëzimin. 26 vjet më parë Shqipëria ishte në fundin e një sistemi të kalbëzuar, të dështuar që po mbyllej me ikjen e shqiptarëve nga sytë këmbët, ku ti çonte anija e verbër e fatit. 26 vjet më vonë Shqipëria është përsëri në fundin e një politike të kalbëzuar dhe një qeverisje që ka në themel interesat e një kaste politike-ekonomike dhe kriminale në krye të pushtetit, ka korrupsionin në sistem, ka drogën në sistem, ka sundimin në sistem, ka blerjen e votës në sistem. Ky është moçali, ky është kalbëzimi që ju vështirëson dhe ju nxin jetën çdo ditë shqiptarëve, që ju vret shpresën dhe i shtyn në arrati, njësoj si 26 vjet më pare. Mungesa e llogaridhënies dhe mosndëshkueshmëria e ka shtyrë politikën e kalbëzuar drejt çdo lloj mjeti e mekanizmi të paligjshëm dhe kriminal për të siguruar dhe mbajtur pushtetin. Ortakëria mes politikanëve dhe klientëve të partisë ka shkatërruar çdo mundësi për një ekonomi të lirë të tregut. Ortakëria mes politikanëve dhe medias e shoqërisë civile ka dobësuar mekanizimat e mbikqyrjes dhe kontrollit ndaj qeverisë. Etja për të marrë pushtetin me çdo kusht, e shtyu politikën në kthetrat e krimit dhe solli kriminelët në majat e pushtetit. Viktimat e kësaj politike janë njerëzit e thjeshtë, të cilët janë sot të tradhtuar dhe të braktisur në varfërinë dhe pamundësinë e tyre. Prandaj sot sfida jonë më e madhe, sfida vendimtare e Partisë Demokratike është kthimi i besimit të njerëzve tek politika, që është kusht për të kthyer besimin e njerëzve tek e ardhmja. Me këtë barrë të rëndë jemi sot të gjithë bashkë në këtë përvjetor. Parti të mëdha janë ato që dinë të kuptojnë dhe të përballen me sfidat e popujve të tyre. Ne sot ndeshemi sërish me një tjetër moment të vështirë për Shqipërinë dhe shqiptarët të cilët kërkojnë ndryshimin rrënjësor të politikës. Partia Demokratike ka kurajon dhe largpamësinë të përballet me këtë sfidë: ne do të ndryshojmë veten sot, që të ndryshojmë nesër Shqipërinë. Ne duhet dhe do të bëjmë sot atë që bëmë një 26 vjet më parë: të jemi partia e mundësive për të gjithë. Ka vetëm një rrugë për ta arritur këtë: ajo është rruga e lirisë, demokracisë dhe e vlerave europiane. Partia Demokratike duhet dhe do të jetë një parti e lirisë së mendimit, e mundësive për të gjithë dhe e vlerave të përbashkëta. Muajt e fundit kam biseduar e diskutuar me mijëra demokratë kudo në Shqipëri dhe me forumet drejtuese të partisë për këtë sfidë që shtrihet para nesh. Për hapjen e Partisë Demokratike në kuptimin me të gjere të fjalës. Hapjen e mendjeve, hapjen e radhëve, hapjen ndaj aleatëve dhe aleancave, hapjen ndaj shoqërisë, hapjen ndaj vlerave, hapjen ndaj rregullave, hapjen ndaj garës, hapjen ndaj mendimit të lirë. Duhet t’u ofrojmë e mund t’u ofrojme shqiptarëve një model të ri politik e shoqëror, ku pushteti do të jetë i kufizuar dhe qytetari do të jetë i fuqizuar. Ku deputetët do të zgjidhen përmes vendimmarrjes me anëtarësinë dhe votuesit, që nesër ata të jenë përfaqësues në radhë të parë të qytetarëve dhe jo të partisë. Ku instrumentet e kontrollit të pushtetit të mos jenë thjeshtë figurina, e Parlamenti thjesht një noter i kryeministrit, por të jenë përfaqësues të qytetarëve dhe llogarikërkues të qeverisë së ardhshme dhe ku levat më të fuqishme të kontrollit që ka një demokraci, opozita e ardhshme, mediat dhe shoqëria civile, do të kenë të gjithë hapësirën dhe mundësitë të kontrollojnë përmes transparencës, kritikës, denoncimit çdo vendim të qeverisë së ardhshme. Duhet tu ofrojmë e mund tu ofrojmë shqiptarëve një model të ri të politikëbërjes, që nuk mbështetet në furinë e paradave, fasadave dhe propagandës, por mbështetet në punën dhe interesin publik, mbështetet në transparencën e vërtetë, mbështetet në respektin e thellë ndaj qytetarëve të shprehur përmes konsultimit të tyre për çështje të rëndësishme. Jam i lumtur që ne jemi të gjithë të vetëdijshëm dhe të vendosur për hapat që duhet të hedhim. Për hapjen, për lirinë dhe demokracinë e brendshme, për mundësitë që duhet të jenë të çdo anëtari dhe jo vetëm të një grushti drejtuesish. 1. Ne do të krijojmë mundësitë për konkurrencën e alternativave brenda partisë. Ne do të shkurtojmë kohëzgjatjen e mandatit të kryetarit dhe drejtuesve në dy vjet. Në këtë mënyrë, çdokush që ka një vizion apo një alternativë tjetër, do të ketë mundësinë të konkurrojë që vizioni i tij apo i saj të bëhet vizioni i partisë. 2. Vendimet e rëndësishme do t’iu besohen anëtarëve, duke e lidhur fatin politik dhe karrierën politike të çdokujt me anëtarët dhe jo me kryetarin. Jo vetëm kryetari dhe drejtuesit e lartë do të zgjidhen me votën e të gjithë anëtarësisë, por edhe të gjithë kandidatët që konkurrojnë për funksione publike, përfshirë kryetarët e bashkive dhe deputetë, do të përzgjidhen me një anëtar një votë. Ne do të punojmë që në zgjedhjet e ardhshme për përzgjedhjen e kandidatëve përmes votës së anëtarëve në disa zona elektorale, për ta shtrirë më vonë në të gjithë vendin. Le ta dinë të gjithë: përfaqësimi politik i PD do të vendoset nga anëtarët e saj. 3. Ne do të krijojmë një strukturë partiake perëndimore, të çliruar nga ofiqet dhe pushtetet, duke ndërtuar një platformë moderne që ka për qëllim ti ofrojë mundësitë çdo anëtari dhe çdo anëtare për karrierë dhe garë elektorale, por jo të ushtrojë pushtet mbi anëtarësinë. Partia Demokratike është e vendosur të ndryshojë sot veten dhe kështu të ndryshojë nesër gjithë Shqipërinë. Unë e ndjej që sot ka kudo dëshpërim dhe mosbesim. Ajo që unë ju kërkoj të gjithë qytetarëve, jo vetëm demokratëve por çdokujt, nuk është të besoni verbërisht tek premtimet e mia, por të bëheni pjesë e këtij ndryshimi duke kontribuar me pjesëmarrjen tuaj, përfshirjen tuaj, idetë tuaja, aktet tuaja publike. Ndokënd e ka zënë meraku se kush i ka thënë këto i pari. Sot ju them se këto vlera janë te vjetra sa vetë demokracia. Sfida nuk është kush i thotë i pari. Por kush ka kurajën dhe forcën ti bëjë realitet. Ndaj ju kërkoj të bëheni nxitës dhe mbështetës të ndryshimit, nga i cili do të përfitojë e gjithë Shqipëria. Një Parti Demokratike e hapur dhe e lirë është një e mirë publike për të gjithë shqiptarët. Nëse edhe partitë e tjera hapen dhe ndahen nga autokracia e brendshme kjo do të jetë një arritje e madhe për Shqipërinë. Unë isha 17 vjeç kur lindi Partia Demokratike. Sot jam kryetar i saj. Ndihem pafundësisht i privilegjuar dhe thellësisht i përunjur para kësaj përgjegjësie. Por unë jam i vetëdijshëm se kam arritur këtu vetëm sepse Partia Demokratike në momente të caktuara kuptoi rëndësinë e hapjes së saj ndaj njerëzve dhe vlerave që ata sjellin. Nëse ka diçka që unë jo vetëm besoj por edhe jam provë e gjallë e saj është se hapja sjell fryte, liria sjell mundësi. Tani është radha ime jo vetëm të kontribuoj për të hapur Partinë Demokratike por për të garantuar që ajo do të jetë përherë e hapur dhe përherë e lirë: një parti ku të gjithë ata që duan të kontribuojnë në politikën dhe qeverisjen e vendit do të gjejnë përherë një mundësi dhe ku fati dhe karriera e tyre do të varet vetëm nga aftësia, talenti dhe kontributi i tyre. Kështu do të jetë. Partia Demokratike e Shqipërisë, lindi e madhe prej rrethanave. Qëndroi e madhe prej punëve të mira në dobi të Shqipërisë dhe demokracisë. Do të bëhet edhe më e madhe prej hapjes, prej bashkimit, prej ndryshimit dhe modernizmit të saj. Kështu Partia Demokratike do të jetë gjithmonë ajo që u krijua: Partia e Lirisë, Partia e mundësive, Partia e të gjithë njerëzve. Dua ta mbyll me disa fjalë thënë dje nga Donald Trump: "Me të vërtetë po jetojmë në një kohë ndryshimesh të mëdha. Skenari nuk është shkruar akoma. Nuk e dimë se çfarë do të sjelle e nesërmja. Por për të parën herë pas një kohe të gjatë, e dimë se autor do të jetë secili prej jush. Ju, populli do ta keni në dorë. Zëri juaj, dëshirat tuaja, shpresat dhe ëndrrat tuaja, kurrë më nuk do të bien në veshë të shurdhër - ju do te jeni zotët e fatit tuaj". Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ndaje me miqte