0030 210 33 18 483

26 vjet nga vdekja e Martin Camajt

ATSH 12 Mars 2018

PRISHTINE, 12 Mars/ATSH/.- Sot bëhen 26 vjet nga vdekja e shkrimtarit dhe albanologut shqiptar, Martin Camaj në Munih. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45-vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë te proza. Martin Camaj u lind në Dushman të Dukagjinit më 13 korrik 1927. Datëlindja 1925 duket të jetë një gabim shtypi. Vendlindja e tij është “- në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’, kaq i thyeshëm ashtë ky vend”, sipas vetë Camajt. Në vendlindje kaloi dhjetë vitet e para të jetës së tij. Fitoi në mënyrë autodidakte njohuritë e para në shkrim e lexim shqip dhe matematikë. Kjo gjë do t’i binte në sy ish-pagëzuesit P. David Pepës OFM, duke e nxitur të ndërmjetësojë pranë instancave eprore në Shkodër që të ndërmerrnin përpjekje për arsimimin dhe përgatitjen, pse jo, për meshtari. Në vitin 1935 vendoset përfundimisht në Shkodër dhe fillon të marrë arsim të rregullt pranë kolegjit jezuit “Xaverianum”, ku do kalonte edhe tuberkulozin. Pesë vitet në vijim ai ndoqi rregullisht gjimnazin, gjë që i dha të drejtën për të vijuar studimet në liceun klasik të kolegjit. I ati vdes pak vite pasi Martini i vogël u fut në kolegj. Studimet detyrohet t’i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946 - mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës. Ai themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948. Camaj mori pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë me çetën e kapiten Gjon Destanishtës dhe u detyrua të jetonte në ilegalitet derisa ia arriti të ikte në Jugosllavi bashkë me At Daniel Gjeçajn OFM dhe grupin e përbërë prej 36 vetash. Kreu për tre muaj një kurs intensiv për mësuesinë në Pejë (1 korrik - 30 shtator 1949), më pas punoi një vit (1949-’50) mësues në Tuz në shkollën “Mahmut Lekiç”. Viti 1950 e gjen Martin Camaj në Beograd, ku u regjistrua në universitetin e kryeqytetit jugosllav. Diplomohet pas pesë vitesh më 2 korrik 1955 duke dhënë provime diplome në degën e filologjisë romane me fusha kryesore gjuhë dhe letërsi italiane. Pas mbylljes së studimeve në Beograd, Camaj përgatitet për formimin pasuniversitar në albanologji pranë fakultetit filozofik të Universitetit të Sarajevës, i udhëhequr nga albanologu prof. Henrik Bariç - kryetar i Institutit Albanologjik në Sarajevë. Zhvendoset në Itali ku nën udhëheqjen e Koliçit më 15 mars 1960 mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit të Romës, tezën e doktoratës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistës “Shêjzat”. Prej 1965 deri në 1971 qenë vitet vendimtare për konsolidimin e vatrës albanologjike duke e vështruar si fushë komplekse të kërkimit shkencor. Më dt. 16 korrik 1971 merr emërimin si profesor joordinar në albanologji, ndërsa më 14 shtator 1978 emërohet ordinar me marrëdhënie punësimi të përhershëm, më 30 shtator 1990 lirohet nga detyra si profesor i merituar. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindur. Vdes më 12 mars të vitit 1992 në Munih. Vepra e Martin Camaj Eshtë përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45- vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza. Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer. Këto u ndoqën nga “Djella”, Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive “Legjenda”, Romë 1964 dhe “Lirika mes dy moteve”, Munich 1967, kishte disa poezi nga “Kânga e vërrinit”, që u ribotuan në “Poezi” 1953-1967, Munich 1981. Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti. Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij. Një përzgjedhje e poezive të tij u përkthye në gjuhën angleze nga Leonard Fox në vëllimet “Selected Poetry”, New York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe “Palimpsest”, Munich & New York 1991./KosovaPress/

Ndaje me miqte