0030 210 33 18 483

3 shqiptarë në grupin më të madh të vjedhjes së makinave

09 Tetor 2016

Policia greke thotë se ka asgjesuar një nga organizatat më të mëdha kriminale, që aktivizohej në vjedhjen e makinave dhe trafikun e drogës. Si pjesëtarë të kësaj organizate janë arrestuar shtatë persona: tre shtetas shqiptarë, mes të cilëve një femër, një shtetas grek, si dhe tre të tjerë nga Nigeria, Somalia dhe Kameruni. Njeri prej shtetasve shqiptarë u arrestua në afërsi të Janinës ndërsa po transportonte për në Athinë një sasi të madhe kanabisi. Dy bashkatdhetarët e tij u arrestuan pranë Agrinios, ndërsa të tjerët në Athinë. Sipas komunikatës së policisë, orgnizata ishte specializuar në vjedhjen e makinave, kryesisht të furgonave. Makinat e sjella nga zona të ndryshme të Athinës, ata i çonin në Aspropirgos, ku mbanin një magazinë skrapi. Shumica e tyre çmontoheshin dhe shiteshin pjesë-pjesë, ndërsa të tjerat i dërgonin për shitje, ashtu siç ishin në qytete të ndryshme të Greqisë së veriut dhe kryesisht në Selanik. Në raste të tjera, pjesët e këmbimit i ngarkonin në konteinera dhe i dërgonin në vendeve të ndryshme të Afrikës. Një tjetër aktivitet i organizatës ishte trafiku i drogës. Policia thotë se droga sillej nga Shqipëria me mushka, përmes rrugëve në terren të thyer të kufirit shtetëror. Prej andej, droga merrej dhe magazinohej në Athinë, për t’u shitur në kryeqytet dhe në qytete të tjerë të Greqisë. Policia ka sekuestruar 72,9 kg kanabis, 4 makina dhe 4 motoçikleta, të gjitha të vjedhura, automjete të çmontuara, qindra pjesë këmbimi, 50 leje drejtimi dhe 50 çelësa makinash, dy pistoleta dhe një sasi fishekësh.

Ndaje me miqte