38 të vdekur dhe 155 të plagosur pas një shpërthimi në Stamboll
TRIBUNA
11 Dhjetor 2016
Dy shpërthime në afërsi të një stadiumi futbolli në Stamboll, lanë pas vetes 38 të vrarë nga të cilët 30 pjesëtarë të policisë dhe 155 veta të plagosur.
Shpërthimet u shënuan të shtunën në mbrëmje, para stadiumit Vodafone Arena, ku luan ekipi i Beshiktashit dhe pak pasi kishte përfunduar ndeshja me Bursasporin.
30 pjesëtarë të policisë, shtatë civilë dhe një person ende i paidentifikuar u vranë në sulmin e dyfishte, sipas ministrit të brendshëm Sulejman Soylu.
“Sipas informacionit më të fundit që kemi marrë, 38 nga djemtë e kombit tonë janë bërë dëshmorë pas sulmit të djeshëm”, tha Soylu gjatë një konference shtypi të dielen, ndërsa shtoi se ka gjasë që sulmet të jenë vepër e militantëve kurdë.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, tha se qëllimi ishte që të "rritet maksimalisht numri i viktimave".
"Askush të mos ketë mëdyshje që me vullnetin e Zotit, ne si vend dhe si komb do të ngadhënjejmë mbi terrorin, organizatat terroriste dhe forcat që qëndrojnë pas tyre", tha ai.
Askush nuk e ka marrë ende përgjegjësinë.
Por gazetari i Zërit të Amerikës në Stamboll, Dorian Jones, thotë se natyra e sulmit, që shënjestroi policinë pas përfundimit të ndeshjes dhe jo masën e shikuesve, lë të kuptohet se mund të jetë kryer nga militantët kurdë.
Partia Punëtore Kurde (PKK) e shpallur e jashtëligjshme për dekada me radhë ka luftuar kundër qeverisë turke për një autonomi në juglindje të Turqisë.
PKK është e njohur për sulme të herëpashershme mbi forcat turke të sigurisë por po ashtu është e njohur për shmangie të sulmeve që vënë në shënjestër apo rrezikojnë civilët.
Stambolli ishte skenë e disa sulmeve gjatë këtij viti, përfshirë edhe sulmin e muajit qershor në aeroportin Ataturk që la pas vetes mbi 40 të vrarë. Më shumë se 200 veta janë vrarë gjatë këtij vitit gjithandej vendit në sulmet e grupit militant Shteti Islamik apo fraksionet e militantëve kurdë në Turqi.
Ndaje me miqte