0030 210 33 18 483

4 shqiptarët tentojnë futjen me dron të drogës në burgun e Larisës

Tribuna 06 Shtator 2016

Katër shtetas shqiptarë akuzohen si organizatorë të një tentative për të futur drogë dhe telefona celularë, me qëllim shitjen, në burgun e Larisës në Greqi. Operacioni do të kryhej duke përdorur një dron dhe policia greke vlerëson se përfitmi nga shitja e drogës dhe e celularëve do të ishte më shumë se 150.000 euro. Katër shtetasit shqiptarë aktualisht po vuajnë dënime të tjera në burgun e Larisas dhe që andej kishin organizuar gjithë aksionin. Njeri prej të katërve, me moshë 24 vjeç, që kishte dalë me leje, u arrestua në afërsi të burgut të Larisës, bashke me një shtetas greke, të moshës 19 vjeç. Në makinën e tyre u gjet droni me gjithë pajisjet e tij, si dhe gjashtë telefona celularë bashkë me karikueset. Në një operacion paralel të policisë, në agjencinë e autobusave në Larisa, u arrestua një shtetase greke e moshës 24 vjeç, që kishte patur për detyrë të sillte nga Athina drogën dhe celularë të tjerë. Në posedim të 24 vjeçares u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës: Një sasi heroine prej 211 gramësh, 418 gramë kanabis të paketuara në 3 qese plastike, dhjetë telefona celularë me karikueset, 25 karta SIM. Siç rezultoi nga hetimet kreu i tentativës për të futur dronin në brendësi të burgut ishte një prej të burgosurve shqiptarë, me moshë 36 vjeç, të tjerët, me moshë 33, 26 dhe 24 kishin role të ndryshme Policia greke vlerëson se nga shitja brenda në burg e drogës dhe të celularëve, grupi do të përfitonte rreth 150.000 euro.

Ndaje me miqte