45 vjetori i revoltës së Spaçit, Meta: Të përballemi me të shkuarën komuniste
ATSH
21 Maj 2018
TIRANË, 21 maj /ATSH- I. Vata/ – “Tragjeditë e së kaluarës komuniste nëse harrohen janë të destinuara të rikthehen në një formë apo mënyra të tjera, prandaj përballja me të shkuarën është prioritet i shoqërisë dhe politikës”, deklaroi sot presidenti Ilir Meta në ceremoninë e 45 vjetorit të revoltës së Spaçit.
Në fjalën e tij, Meta tha se jemi në rrënoja e amfiteatrit të burgut të Spaçit më të përgjakur të krimeve të diktaturës në Shqipëri, për të prekur nga afër të vërtetën e një historie të pazakontë qëndrese heroike dhe për t’u takuar me ju familjet tuaja që keni përjetuar përndjekje dhe dhimbjet e një diktaturë nga më të egrat në botë.
“Spaçi, si të gjithë burgjet dhe kampet e diktaturës ka gjurmët e një persekucioni të pa mëshirshëm, por dhe të një qëndrese që na bën krenarë si popull. Akti vetëmohues i martirëve të demokracisë, Skënder Dajës, Dervish Bejkos, Hajri Pashajit dhe Pal Zefit dhe gjithë kryengritësve të revoltës së Spacit ishte shkreptima që ndriçoi në errësirën e kohës të vërtetën e hidhur të shtetit totalitar. Heronjtë e Spaçit, sakrifikuan jetën dhe vitet e tyre më të bukura. Në kujtesën e kombit, ata do jenë shembull i vetëdijes qytetare dhe kombëtare për të ardhmen”, tha ai.
Po ashtu, Meta tha se “disidenca shqiptare duhet jo vetëm të kujtohet në ngjarje të veçanta si kjo e sotmja por të shkruhet dhe të plotësohet e gjithë historia e saj. Ngritja e përmendoreve në kujtim të disidencë, të viktimave të pafajshme të diktaturës, është një detyrim i të gjithë shoqërisë ashtu siç është detyrim gjetja e eshtrave të të zhdukurve gjatë kësaj periudhe” .
Ndaje me miqte