0030 210 33 18 483

5 arsye për të vizituar Beratin në çdo kohë

Maela MARINI / ATSH 19 Mars 2017

Berati, qyteti i “Një mbi një dritareve” mbetet një nga grishjet më të forta për turizmin e historisë, artit e kulturës. Për shkak të vlerave të veçanta historike e kulturore Berati, në vitin 1961 u shpall qytet muze, ndërsa që nga viti 2008 është në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Qyteti i Beratit vazhdon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara për turistët e huaj, pa lënë pas edhe ata vendas. Fakti që qyteti i Beratit tashmë është pjesë e UNESCO-s, por dhe vlerat e veçanta kulturore dhe historike që kjo zonë mbart ndër vite kanë tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve për ta vizituar. Berati ndërthur në mënyrë harmonike kulturën perëndimore me atë lindore dhe dëshmon më së miri traditën e harmonisë fetare në vend. Vetëm 90 minuta larg nga Tirana, Berati mund të ofroj ushqim të shijshëm, akomodim të lirë, mikpritje dhe histori. Më poshtë po rendisim 5 destinacione për t’u vizituar në Berat: Kalaja Lagjja brenda mureve të kalasë është ende e banuar. Nëse do të ecni këtu mos u çudisnni t’a gjeni veten në oborrin e dikujt, duke menduar se është kishë ( rreth 40 kisha mendohet të kenë ekzistuar brenda në kala). Në pranverë dhe verë aroma e kamomilit përhapet në të gjithë lagjen e kalasë. Një piknik nën hijen e pishave dhe me peizazhin e lagjes Goricë, do të ishte një mënyrë e mirë për t’u shplodhur, pasi të keni ecur në rrugët e pjerrëta me kalldrëm. Muzeu i Onufrit Kalaja tradicionalisht ka qenë lagje ortodokse, por shumë pak kisha kanë mundur t’i qëndrojnë kohës. Kisha më e madhe është “Fjetja e Shën Mërisë”, aty ku është vendosur edhe Muzeu i Onufrit. Daton prej 1797 dhe është ndërtuar mbi themelet ekzistuese të një kishe të shek. X. Veprat e Onufrit janë të ekspozuara këtu. Mangalemi Kompleksi i lagjes “ Mangalem” është unik në artin e ndërtimeve. Ka formën e një piramide që imiton siluetën e kodrës, në majën e së cilës është ngritur kështjella. Mangalemi është një nga pikat më të fotografuara, pikturuara, gdhendura në dru e gurë; është emblema e Beratit. Shtëpitë e bardha duket sikur i mbivendosen njëra-tjetrës, prandaj ndryshe Berati quhet “qyteti i një mbi një dritareve”. Gorica Lumi Osum ndan lagjen Goricë nga lagjja Mangalem. Të dyja qëndrojnë përballë njëra-tjetrës dhe janë sa të ndryshme aq edhe të ngjashme. Ura e Goricës, e ndërtuar në vitin 1780 e lidh me pjesën tjetër të qytetit. Vizitorëve u tërheqin vëmendjen rrugicat intime, me errësirën e tyre duket sikur sfumojnë godinat e lagjes. Muzeu Etnografik Sapo zbret nga kalaja është muzeu etnografik, i vendosur në një shtëpi karakteristike të stilit otoman, ndërtuar në shek. e XVIII. Në katin e parë, ashtu si në një ekspozitë janë vendosur veshjet tradicionale, mjetet e përdoruara nga argjendarët dhe endësit. Ndërsa në katin e sipërm ndodhen, dhomat e gjumit, kuzhina dhe dhoma e mysafirëve, areduar në stilin tradicional.

Ndaje me miqte