0030 210 33 18 483

8 ushtarakët turq e arratisur në Greqi: Kërkojnë azil rrezikojnë ekstradimin

TRIBUNA 17 Korrik 2016

Qeveria greke ka thënë se do të shqyrtojë me procedura të përshpejtuara kërkesën e 8 ushtarakëve turq që u arrastisën të shtunën me një helikopter dhe kërkuan azil politik në Greqi. Edhe pse vetë presidenti Erdogan kërkoi ekstradimin e tyre gjatë një bisede telefonike me kryeministrin Tsipras, ky i fundit iu përgjigj se autoritetet greke do ta shqyrtojnë çështjen e tyre duke respektuar gjithë sa parashikon e drejta ndërkombëtare dhe konventat për të drejtat e njeriut. Më herët, zëdhënësja e qeverisë greke kishte deklaruar se nuk mund të injorohet fakti se tetë ushtarakët akuzohen për shkelje të kushtetutës dhe tentativë të përmbysjes së sistemit politik në Turqi. Të dielën, 8 ushtarakët e forcave ajrore turke dolën para prokurorit lokal, në qytetin verior Aleksandropolis. Ata akuzohen për hyrje të paligjshme në Greqi dhe tentativë për tensionimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit. Sipas procedurës formale, prokurori duhet më pas të urdhërojë ektradimin e tyre, por kjo nuk mund të bëhet kaq shpejt, pasi të tetë ushtarakët, sapo zbritën në tokën greke, deklaruan se kërkojnë azil politik në Greqi. Kërkesat e tyre për azil do të fillojnë të shqyrtohen të hënën, më 18 korrik. Procesi parashikohet të zgjasë rreth dy javë. Paralelisht, do të zhvillohet edhe procedura për shqyrtimin e kërkesës së Ankarasë për ekstradimin e tyre, që do të zgjasë po rreth dy javë. Sipas vlerësimit të juristëve, nëse vërtetohet se të tetë ushtarakët ishin pjesë e tentativës për grusht shteti, do të jetë shumë vështirë që të evitohet ekstradimi i tyre. Juristët shënojnë se konventat për të drejtat e njeriut e ndalojnë ekstradimin e personave në vendet ku ata mund të dënohen me vdekje. Mirëpo autoritetet turke kanë thënë se ky lloj dënimi është shfuqizuar prej vitesh në Turqi. Tetë ushtarakët që ndodheshin në bordin e një helikopteri Black Hawak, u futën mesditën e të shtunës në hapësirën ajrore të Greqisë dhe njoftuan se kishin defekt teknik dhe prandaj u lejuan që të uleshin në aeroportin e Aleksandropol. Menjëherë pas uljes ata thanë se kërkonin azil politik në Greqi.

Ndaje me miqte