0030 210 33 18 483

A do të kalojnë nga Shqipëria refugjatët?

11 Mars 2016

Mediat greke paralajmërojnë mbi mundësinë e hapjes së “korridorit të Adriatikut” për refugjatët. Ky korridor nënkupton kalimin e refugjatëve në Shqipëri dhe prej andej në Itali. Sipas mediave greke, Komisioni Europian dhe qeveria italiane ndodhen në gatishmëri, megjithëse ende nuk ka shenja se kjo do të ndodhë. Gjithsesi, citohen burime nga Komisioni Europian, sipas të cilave, Brukseli po “përgatit një plan emergjence”, dhe se ministri i brendshëm italian do të vizitojë ditët e ardhshme Tiranën. Në fakt, vetë ministri i brendshëm italian, Angelino Alfano, e paralajmëroi vizitën e tij në Tiranë. I ndodhur në Bruksel, Alfano tha se deri tani nuk ka shenja për një fluks të madh emigrantësh përmes detit Adriatik. “Eshtë e zakonshme të bëjmë parashikime dhe të monitorojmë realitetin. Logjika sugjeron që pas mbylljes së rrugës ballkanike do të hapet një tjetër rrugë. Por faktet në terren nuk e konfirmojnë këtë në këto momente”, shtoi Alfano. Duke theksuar se Roma po bashkëpunon me Tiranën, ministri i brendshëm italian paralajmëroi se “ditët e ardhshme unë do të vizitoj Shqipprinë për të vazhduar punën e përbashkët”. Mediat greke ndërkaq kanë komentuar edhe vendimin për patrullime të përbashkëta të policisë shqiptare dhe asaj italiane në kufirin me Greqinë. Nën titullin intrigues, “Karabinierë italianë në kufirin Greqi-Shqipëri”, e përditshmja Kathimerini shkruan të premten se “është hera e parë që nga lufta italo-greke e vitit 1940, që në kufirin greko-shqiptar po dislokohen njësi të armatosura italiane”. Gjithsesi, mediat greke nënvizojnë se Italia po nxiton t’i ofrojë ndihmë Tiranës, pasi Roma është e shqetësuar që një përzgjedhje e mundshme e Shqipëprisë si vend tranzit nga karvanet e refugjatëve, do t’i shpinte ata, përmes detit Adriatik, në territorin italian. Ndërsa refugjatët po qëndrojnë të bllokuar brenda kufijve të Greqisë, edhe Bullgaria fqinje po merr masa që të përballojë një tentativë të mundshme për futjen e refugjatëve në territorin bullgar. Bullgaria ka shtuar forcat në kufirin me Greqinë, ndërsa po përgatitet edhe për masa të tjera më drastike. Ministri bullgar i mbrojtjes, Nikolay Nenchev, deklaroi se Bullgaria po përgatitet të ndërtojë një gardh në kufirin me Greqinë, “me qëllim që të përballojë një rritje të mundshme të trysnisë migratore”. Tribuna

Ndaje me miqte