0030 210 33 18 483

ASHE prezanton në Athinë kandidatët për kryetarë bashkie të Sarandës Himarës dhe Konispolit

01 Qershor 2015

Aleanca për Ardhmërinë Europiane ka prezantuar para emigrantëve në Athinë, disa prej kandidatëve për kryetarë bashkie në zonat jugore të vendit. Florjana Koka për Sarandën, Jorgo Goro për Himarën dhe Shuaip Beqiri për Konsipolin, kanë shpalosur programet e tyre, duke premtuar zgjidhjen e të gjitha problemeve të komunitetit. Ata gjithashtu kanë theksuar se do të kenë vëmendje më të madhe ndaj banorëve të tyre që ndodhen si emigrantë në Greqi e vende të tjera. Në këtë kuadër, ata u kanë bërë thirrje emigrantëve që të shkojnë e të hedhin votën në zgjedhjet e 21 qershorit. Kandidati Jorgo Goro e ka argumentuar këtë kërkesë me faktin se sipas tij, “emigrantët janë aksionerë që ndihmojnë ekonominë e Shqipërisë, dhe prandaj duhet të kenë kontributin e tyre në vendimmarrje”. “Qeverisja e PS e ka kthyer si asnjëherë tjetër vëmendjen nga zona e Bregut, duke i kushtuar një volum të madh investimesh. Bashkia e Himarës me burimet që ka, me potencialin natyror por edhe me zgjerimin e ndarjes së re territoriale ka mundësinë që të kthehet në motor të zhvillimit ekonomik. Me investimet e qeverisë, projektet e Bashkisë por edhe investimeve tuaja që tani do të jenë shumë të sigurta dhe shumë më të leverdisshme se më parë, për shkak të sigurisë ligjore, klimës së biznesit dhe vendosjes së rregullit në territorin e zonës, Himara do të jetë Bashkia ku më shumë se kudo tjetër do të rilindë turizmi i krahasueshëm dhe i konkurrueshëm me fqinjët”, - theksoi Goro. Vetë emigrantët, kanë vlerësuar kandidaturat, kryesisht për faktin se i ka caktuar forca politike që ata përkrahin. Por nga ana tjetër, emigrantët i kanë pritur me skepticizëm premtimet e kandidatëve. Ata kanë theksuar se partitë kujtohen për emigracionin vetëm sa herë ka zgjedhje dhe vetëm për t’iu kërkuar votën. Gjithsesi, një pjesë e emigrantëve të pranishëm janë shprehur se do të shkojnë të votojnë, me qëllim siç thanë, të dëshmojnë se, edhe pse janë larg atdheut, ata nuk qëndrojnë të shkëputur nga jeta dhe zhvillimet madhore në Shqipëri.

Ndaje me miqte