0030 210 33 18 483

Agim Basha: Pse doja të kandidoj për kreun e Federatës së Shoqatave

Robert GORO 29 Shtator 2017

Para disa ditësh Agim Basha më dha një lajm të mirë: Do të kandidonte në zgjedhjet për kryetar të Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi, zgjedhje që siç është njoftuar do të zhvillohen më 1 tetor. Më gëzoi ky lajm, pse konsideroj që Agimi do të ishte me të vërtetë një përzgjedhje mjaft e përshtatshme për atë detyrë. Pasi kreu studimet e larta për gjuhë-letërsi, punoi si mësues e më pas si gazetar në shtypin pluralist shqiptar. Eshtë një poet që shquhet për nivelin e lartë cilësor dhe krijimtaria e tij me të drejtë bashkangjitet me atë që është quajtur “shkolla poetike e Tepelenës”, prej nga ka origjinën edhe vetë Agimi. Në vitin 1997 iu bashkua valës së bashkatdhetarëve që u detyruan të emigronin në Greqi dhe dalëngadalë këtu e ngriti jetën e vet nga e para. Me mund e vështirësi të shumta. Iu desh madje edhe të përballej sy ndër sy me vdekjen për shkak të një aksidenti në punë, por fati dhe vullneti i vetë Agimit bënë që ta kalonte me sukeses atë sprovë rraskapitëse që i la gjurmë për një kohë të gjatë. Krahas punës së rëndë të mbijetesës u aktivizua në shtypin shqiptar në Greqi dhe në vitin 2008 iu bashkua gazetës tonë Tribuna, ku botoi në mëyrë sistematike analizat e veta javore. Analiza me një tematikë të larmishme, por gjithmonë me theks në problematikën e e komunitetit shqiptar në Greqi. Një problematikë që pena e Agim Bashës e shqyrton gjithmonë me kompetencë, objektivitet dhe largpamësi. Kontributi i tij në gazetën Tribnuna ishte ndoshta arsyeja subjektive që më krijoi gëzim kur mësova se do të kandidonte në zgjedhjet e FSHSHG. Dhe prandaj i propozova të bënim një intervistë, nisur më shumë nga ideja se ai ka gjithmonë diçka interesante për të thënë. Por vetëm pak orë pasi kishim bërë intervistën, Agimi me njoftoi se komisioni zgjedhor e kishte skualifikuar emrin e tij për arsye se nuk kishte një dëshmi për gjuhën greke, paçka se greqishten e zotëron mjaft mirë dhe e ka përdorur në biseda e veprimtari me intelektualë grekë... Nuk mund ta komentoj skualifikimin e tij, nga respekti për statutin e FSHSHG dhe nga obligimi që duhet të ketë çdo qytetar i ndërgegjshëm për t’i zbatuar me rigorozitet statutet dhe rregulloret... Megjithatë, edhe pse tashmë me titull paksa të ndryshuar në kohën e foljes “doja”. Mendoj se intervista e Agim Bashës ia vlen të lexohet. Robert Goro INTERVISTA / BASHA: TE NDERTOJME BESIMIN E MUNGUAR BRENDA NESH! PYETJE: Agim, ju keni kandiduar edhe më herët për kreun e FSHSHG. ’farë ju shtyn që të provoni sërish? Dhe përse mendoni se jeni një kandidaturë e përshtatshme për postin e kryetarit? AGIM BASHA: Po, së pari ju falënderoj që e bëtë pjesë të gazetës suaj, TRIBUNA, dikur gazeta më e dashur për komunitetin shqiptar emigrant, këtë çështje të madhe në interes të komunitetin shqiptar në Greqi...! Së dyti: pikërisht për mundësinë që më jepet përmes faqeve të gazetës tuaj të shpreh Pikëpamjen time për një gamë të gjerë çështjesh dhe problematikash që shqetësojnë të gjithë komunitetin shqiptar emigrant sot në shtetin Grek. Së treti: t’ju falënderoj që edhe më parë kjo gazetë ka qenë dhe mbetet përsëri një mejdan ku ballafaqohen pikëpamjet e ndryshme, pa ndikuar në to. Kjo tregon seriozitetin e botuesve të saj çiftit simpatik Diana e Robert Goro. Ky i fundit, njëri prej profesionistëve më të mirë bashkëkohorë në fushë të medias së shkruar dhe vizive. Tani të vijmë tek pyetja juaj: Eshtë e vërtetë se është një përpjekje e dytë, kjo e së dielës që vjen, 1 tetorit. Nuk e fsheh se e kam përsëri po atë motiv dhe atë sadisfaksion ndoshta një shkallë më lart për t’i shërbyer, për të kontribuar në një komunitet në të cilin ndajmë fate, fitore, (nëse ka të tilla) dështime dhe fatkeqësi të përbashkëta(fatkeqësisht këto të fundit më të shumta) Vetë përvoja e gjatë e aktivizmit tim në evente dhe stade të ndryshme të rrugëtimit të komunitetit tonë shqiptar në Greqi, është një motiv i pashmangshëm që të çon drejt. kësaj “gijotine’’... Më tej, ndoshta ngjan paksa poetike por ka një të vërtetë të madhe brenda saj në atë vargun e famshëm të Majakovskit. “Njëshi është zero dhe fyl”. Por duhet shmangur vargu tjetër i tij ku thoshte “Kur themi Partia nënkuptojmë Lenini” dhe e kundërta. Ndoshta edhe vetë ky poet rus nuk ka qenë i bindur kur e lexoi pas botimit. Dhe për të sjellë një argument tjetër më shumë, në përgjigje të pyetjes suaj, të jem i sinqertë nuk e mbaj mend kohën kur kam menduar për herë të parë se shoqëria si kolektivitet homo apo heterogjen vetëm e bashkuar, në bashkëpunim, ndihmë dhe bashkëpunim i ka zhvilluar dhe rritur progresivisht përmasat, të mirat materiale, cilësinë e jetës dhe dimensionet e saj drejt së mirës së individit dhe asaj shoqërore. Sot jam më i bindur se kurrë se “tregu shoqëror” ka nevojë për ide të reja dhe domosdoshmëri implementimin e tyre. Shpresoj që, pasi të kalojnë nëpër filtrat e vetë të interesuarve dhe procesit zgjedhor, idetë dhe bindjet e mia, të jenë një risi në kohën dhe në vendin e duhur! PYETJE: Tashmë është një fakt i njohur se përfaqësimi i komunitetit shqiptar në Greqi lë shumë për të dëshiruar. Këtë nuk e them unë, por e thonë shumica e bashkatdhetarëve-mjafton të lexosh komentet e tyre në Facebook, por edhe në biseda të përditshme. Sigurisht që përgjegjësia e kësaj situate nuk rëndon një person apo një grupim. Si kandidat për kryetar i FSHSHG do të ishte me interes të dinim edhe mendimin tuaj, aq më tepër që kjo ka qenë një temë të cilën analisti Agim Basha e ka trajtuar gjerësisht dhe në vazhdimësi. AGIM BASHA: Askush nuk mund t’i “arratiset” kësaj të vërtete, kësaj plage të rëndë shoqërore, faktit që:një komunitet qindra dhe mijra zemrash dhe mendjesh (jo numra siç na konsiderojnë partitë politike) sot ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm, pa "sinjalistikën e domosdoshme" të orientimit për kah duhet të shkojë. Sot një pyetje vrasëse ngrihet në mendjen e gjithsecilit: Quo Vadis ? Ose më thjesht pyetja:Ku shkon komuniteti shqiptar sot?! Eshtë një nyje e rrezikshme historike, një kapërcyell që duhet kaluar mundimshëm. Më në fund duhet të bëhemi seriozë. mos të na vijnë në mendje gjithmonë vargjet Migjeniane “Ah që s'kam një grusht të hekurt”, etj., etj . Dhe më tej as mos të shpërdorojmë shumë të mëdhenjtë e kombit tonë Ismail Qemalin, Konicën, Nolin, Fishtën, Naimin, etj., etj. Tani e gjithë kjo situatë e rëndë ka shumë përgjegjës. Së pari nisin që nga “shtëpia e madhe”nga u nisëm, pra atdheu që shpesh me indiferencën e tij të ftohtë, me pamundësinë, dhe më shpesh mungesën e dëshirës i eskalon në shtetin tjetër, përgjegjës të madh natyrisht në Greqi. Për të përfunduar me vetë komunitetin i cili vetë e bën dhe po vetë e pëson. Unë nuk kam ndërmend të analizoj këtu përgjegjësinë e pashmangshme të periudhës së diktaturës. Me teorinë e saj të famshme të -krijimit të njeriut të ri. Brenda fizikut, biologjisë së njeriut, ndoshta në fillim vitet ’90 njeriu ishte në grahmat e fundit brenda biologjisë së tij. Përgjegjësi kanë edhe disa prej atyre që, ndërsa kanë premtuar bashkimin kanë sjellë përçarjen, në një masë të madhe prej fodullëkut tonë shqiptar që është identikja e mungesave në nivelin e kulturës dhe dijes. Dhe kjo është shumë e rrezikshme, dhe me pasoja të rënda. Ka mendime të tjera që nisen nga vetë komuniteti shqiptar në Greqi dhe unë pajtohem deri diku me të se:komuniteti shqiptar ka në një masë të madhe një indiferencë të gradës së lartë, një mungesë ndjeshmërie shoqërore. për shkak të mungesës së besimit tek individi dhe po kështu tek kolektivi, bashkësia. Janë ndërthurur një mijë faktorë. Të cilët do të ishte e vështirë që brenda kufijve të një interviste të besosh se mund ti shterosh. Si njëri prej intelektualëve kam detyrimin moral të kontribuoj në këtë aspekt. Më kishte mbetur në mendje një thënie e mençur e kohës së Iluminizmit francez e cila cilësonte “Intelektualët janë koka e popullit”. Pa pjesëmarrje dhe aktivizim, a mund të jesh dhe quhesh i tillë?! (kërkoj ndjesë nëse sa më sipër përmenda, tingëllon paksa më lart se “steka e modestisë” sime). Për të cilën, unë i mbështetur dhe nxitur nga shumë miq dhe shokë aktivistë vendosa që të kandidoj si njëri prej “Terapistëve” të mundshëm ndaj kësaj sëmundjeje. Natyrisht, sikurse e theksova edhe më lart, duhet një punë e mirë me një ekip të përkushtuar. Dhe ne i kemi të gjitha mundësitë që ta bëjmë këtë. Duke qenë se vetë jeta është një provë e madhe. Unë besoj tek Përpjekja! PYETJE: Besoj që pajtoheni se komuniteti shqiptar në Greqi ka pësuar ndryshimet objektive cilësore. A mendoni se edhe grupimet apo shoqatat që kanë marrë përsipër përfaqësimin kanë avancuar krahas këtij ndryshimi cilësor të komunitetit? AGIM BASHA: Kam plotësuar dekadën e dytë në këtë vend dhe, për shkak se fillimet këtu koincidonin me vitin e “çmendur shqiptar ‘97” edhe nëse nuk do kishe ndjeshmërinë e aktivistit, gjithë ai zemërimi popullor përzier me dëshpërim që kishte shpërthyer në Athinë, do të të rrëmbente me vete, pa dyshim. Ato vite kishte njerëz që guxonin. Edhe pse ishte një situatë e rëndë me policinë greke. E cila kishte kohë që organizonte në intervale të caktuara operacionet e famshme “fshesa" të cilat të drithërojnë edhe sot. Isha njëra prej "viktimave operacionale", sapo më kishte përfunduar viza dhe më duhej i lidhur të udhëtoja me kokën ulur poshtë lartësisë së dritares së "Kluvës policore" nëpër disa prej qyteteve Perla të vërteta, dhe një peizazhi që më bëri "t’ia falja fajin" policisë. Sepse u bë shkaku që të udhëtoja si një turist i çuditshëm. nëpër peizazhet dhe viset e bukura dhe të panjohura greke. Sot, sidomos këtë dekadën e fundit kam udhëtuar me makinën time, ose me agjencitë turistike. Nuk e di në se kjo parantezë është në gjendje të kënaqë një pjesë të përgjigjes së pyetjes suaj, i nderuar! Sot, ndryshimi është dukshëm i madh. Por a është kjo, ajo që duhet të arrinim?!Gjithsecili sot ka arritur të bëjë ndryshime drastike në jetën e vet dhe të familjes. Po në tërësi komuniteti a ka nevojë për një bashkëpunim dhe solidaritet? Po, ka nevojë urgjente për një platformë që të funksionojë realisht, jo se të tjerët më parë nuk e kanë synuar diçka të tillë, por fakti që komuniteti shqiptar sot në Greqi ndodhet në gjendje të përçarë, dhe larg njeri tjetrit, e kompromenton gjithë sa është bërë. Sot komuniteti, në letër ka një organizim goxha të mirë. Janë bërë dhe bëhen takime me administratën dhe përfaqësues të qeverisë greke për shumë prej problemeve që shqetësojnë komunitetin tonë si pjesë e shoqërisë. . Por, takimet pothuajse në tërësi kanë mbetur tek "shtrëngimet e duarve" dhe rrahja e krahëve. Ndërsa "guri në trastë", thotë populli. Takime pa bukë. Por, shoqatat kanë avancuar ndjeshëm në koktejle festash dhe koncertesh. . Ky mund të quhet një zhvillim, por është vetëm njëra anë e medaljes. Pjesa tjetër është diçka krejt e panjohur për shoqatat dhe përfaqësinë e tyre, pra për FSHSHG. I cili në këtë pothuajse dekadën e fundit është dominuar nga dy emra që, për katër vjet secili prej tyre kanë avancuar vetëm elitat e përzgjedhura prej tyre. ka dëshmon se përfaqësimi i shoqatave nuk ka qenë realist. Një pjesë e madhe e të zgjedhurve, janë të emëruar në fakt nga kryetari i federatës. Besoj se kjo ka qenë një mënyrë e gabuar, përzgjedhja sipas "midesë" së kryetarit pa kërkuar edhe kriteret bazë . atë të aktivistit që punon për komunitetin. Duke e parë komunitetin shqiptar në këtë gjendje të vështirë, i përçarë, i sunduar prej klanesh, dhe, në anën tjetër duke shmangur, larguar e anashkaluar sidomos aktivistët, ata që vënë përkushtimin e tyre vullnetar në shërbim të prioriteteve dhe problematikës së komunitetit emigrant. Ndërkohë që, jo vetëm ne, (në gjendjen gati primitive që jemi, por edhe çdo shoqëri tjetër shumë më e zhvilluar demokratike, e emancipuar, e ka të domosdoshme. Do të ishte marrëzi e pafalshme ti sfumoje ata, rolin primar të tyre. Në këto kushte nuk mund të bësh indiferentin, sehirxhiun. Ndërkaq, kjo gjë s'ka për të ndodhur nëse, me zgjedhjet e reja unë do të jem në forumet drejtuese! PYETJE: A keni një platformë si kandidat që do të shpalosni ditën e zgjedhjeve dhe që mund ta bënit publike qysh tani? AGIM BASHA: Kjo është një nga pyetjet ndoshta më të rëndësishme. “Shiu që shkoi nuk do më gunë”, thotë populli. Synimi im do të ishte: Ndërtimi i besimit mes njeri-tjetrit dhe brenda komunitetit. Pra, Integrimi brenda vetë shoqërisë sonë, nëse mund të shprehemi kështu. Ky Besim, nuk ndërtohet teorikisht, me diskutime të kota me letra dhe fjalime. Për këtë kërkohet obligimi i një sërë faktorësh relevantë shoqërorë dhe shtetërorë. Me krijimin e entit të diasporës në qeverinë Rama ndoshta edhe ndihmesa, pas premtimeve që vetë kryeministri ka dhënë në takimin diasporal. besojmë se nuk do të mungojë. Dhe kjo mund të ndodhë jo se qeveria e dytë e kryeministrit Rama është bërë më punëtore, por për shkak të ndjeshmërisë më të lartë të ministrit që e ka atë portofol. Mbetet për t’u parë. Ajo që ne mendojmë se mund të jetë si hap i parë në këtë ndërmarrje të krijimit forcimit dhe konsolidimit të besimit mes njeri tjetrit dhe brenda komunitetit. ne, mendojmë të bëjmë ca gjëra të “vogla” në dukje por të domosdoshme dhe të rëndësishme praktikisht në jetët njerëzore. dhe atë të komunitetit. Ne e dimë mirë se shoqatat kanë natyrë lokale në përgjithësi. Dhe këto kanë mbetur “Domene” të pjesës Rurale. Pa përfshirë në to edhe pjesën Urbane. Duket paksa si ekstremizëm, por në fakt nuk është fajtorë përcaktori që unë përdora. Me shumë ndikim është mungesa e pjesës qytetare. Shoqatat janë krijuar në bazë fshatrash dhe pa pjesëmarrjen e qyteteve. Ne do ndikojmë që të bëhet hapje edhe në këtë drejtim. Kam parasysh mbështetjen në traditat tona më të mira lokale dhe kombëtare, në përshtatjen e tyre në kushtet e reja. Kur them traditat kam parasysh, respektin e motivuar prej bashkëpunimit, ndihmës, ndjenjave të solidaritetit mes njeri-tjetrit, komunitetit në përgjithësi dhe më gjerë, gjithë shoqërisë. Në gamën e madhe të problematikës së një shteti në krizë, ballafaqimi me aktet e humanizmit dhe njerzillëkut është i pashmangshëm. Kam parasysh se disa përpjekje të tilla janë bërë edhe më parë, por kanë mbetur ishuj të izoluar pa organizim dhe më keq edhe të përfolura. Këto dy koncepte: Besim - Integrim, janë hallka të një procesi të gjatë dhe të vështirë. Për më tepër nuk do ushtrohen në kushte shkolle. Praktikisht vetë jeta na ka përballur të gjithëve me fatkeqësinë. A nuk është akt njerëzor dhe fisnik të ndihmosh dikë që ka rënë në fatkeqësi. Në një komunitet qindra mijërash si ky i joni fatkeqësitë nuk mungojnë (pavarësisht se gjithmonë uroj që të mos kemi asnjë fatkeqësi). Humbjet e jetëve njerëzore janë të rënda, dhe prezenca e shokut, mikut, shoqatës në këtë rast e lehtëson sidoqoftë dhimbjen. Por janë me dhjetëra rastet e familjeve në vështirësi të madhe ekonomike apo sëmundjesh, të cilat çojnë në prishje në dëshpërim familjet. Sigurisht ne nuk jemi as psikologë dhe as përfaqësuesit e ligjit. Por jemi shokët dhe miqtë që ndajmë dhimbjen e fatkeqësisë me ta. Realisht ka shumë raste problemesh me drejtësinë, dokumentacionin, sëmundjet e spitalet, si edhe lejet e qendrimit. Po kështu në problemet me narkotikët, Në Angli dhe shtete të tjera të zhvilluara e demokratike psikologu kalon nga shtëpia etj. Ne mund të mos kemi mundësitë e tilla, por kemi ndikim sidoqoftë në lehtësimin e situatës. Këto të gjitha përfshihen në atë slloganin që ne e kemi quajtur: Njëqind mijë Shqiptarë të bashkuar. Të cilët do të kontribojnë për krijimin e një fondi me karakter human. Sot, kjo gjë ndoshta duket ide shumë e avancuar, utopi. Por në fakt nuk është kështu. Të tillë mund ta quajnë vetëm ata që janë zhgënjyer, ose dembelët dhe indiferentët. Askush nuk ka të drejtë morale t’i shmanget përgjegjësisë që ka në mjedisin dhe vendin ku jeton. Të bëhemi inisiatorë të lëvizjeve që ofrojnë vullnetarizëm. Sepse të gjitha këto lëvizje dhe akte çojnë detyrimisht në afrime dhe komunikime njerëzore. Ne këtë qëllim kemi:Të përpiqemi ta humanizojmë individin, komunitetin, shoqërinë. do mohim i kësaj strategjie, nuk është veçse shterpësi mendimi, dhe veprimi. Më tej ne do kërkojmë të afrojmë intelektualët, të vijnë të japin kontributin e tyre. Sigurisht që do e çmojmë vlerat intelektuale dhe njerëzore. Do identifikojmë nxënësit dhe studentët e shkëlqyer. Ata që nesër do të jenë shkencëtarët e ardhshëm, dhe do ti inkurajojmë me vlerësime të caktuara. Hap tjetër pune do të jetë :Ofrimi i konsulencës ligjore dhe teknike për gjithkënd që do të ketë nevojë. PYETJE: Në rast se zgjidheni, cila do të jetë puna e parë që do të bënit në Federatë dhe me Federatën? AGIM BASHA: Një pyetje me shumë interes. Ne, sapo të jemi kompletuar si strukturë. si hap i parë do të jetë: Një Ftesë për takim me gjithë organizmat shoqërorë shoqata dhe Unione, intelektualë, dhe shkencëtarë, akademikë, aktivistë dhe biznesmenë të dalluar në shërbim të idesë së forcimit të besimit, ruajtjes së identitetit, integrimit. Dhe krijimit të një diaspore që të përcjellë mesazhe paqeje, demokracie dhe stabiliteti. Një diasporë që të imponohet përmes veprës së saj.

Ndaje me miqte