Agjencitë e huaja të lajmeve për protestat në Kosovë
10 Janar 2016
Manifestimet e zhvilluara të shtunën në kryeqytetin e Kosovës kundër një marrëveshjeje me Serbinë u komentuan gjerësisht edhe nga agjencitë e huaja:
AFP:
Opozita kosovare mblodhi në Prishtinë mijëra manifestues, të cilët hodhën bomba molotov kundër selisë së qeverisë duke kërkuar braktisjen e një marrëveshjeje të arritur me Serbinë nën drejtimin e Bashkimit Evropian, sipas një gazetari të AFP-së.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ka arritur të shpërndajë manifestuesit. “Të paktën dy policë janë plagosur”, sipas korrespondentit të AFP-së. Opozita kosovare vazhdon protestat që prej muajit tetor dhe ka bllokuar punimet në Parlament duke kërkuar braktisjen e marrëveshjes me Serbinë arritur në vitin 2013 nën drejtimin e Bashkimit Evropian. Kjo marrëveshje parashikon normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.
BBC:
Protestuesit antiqeveritarë në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë u përplasën sot me forcat e policisë gjatë një manifestimi të zhvilluar kundër një marrëveshjeje në lidhje me minoritete serbe. Protestuesit hodhën bomba molotov dhe gurë. Një pjese të ndërtesës së qeverisë iu vu zjarri, por flakët janë shuar menjëherë. Një fushatë bombardimesh nga NATO kundër Serbisë në vitin 1999 detyroi qeverinë të hiqte dorë nga kontrolli mbi Kosovën.
DPA:
Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës gjatë manifestimit të organizuar sot në Prishtinë kundër një marrëveshjeje me Serbinë. Protestuesit hodhën gurë dhe bomba molotov kundër godinës së Parlamentit. Opozita qeveritare e drejtuar nga lëvizja shqiptare kosovare “Vetëvendosja” kërkon të bllokojë marrëveshjen që synon t’i japë më shumë autoritet bashkive me maxhorancë serbe në Kosovë.
ANSA:
Përplasje të dhunshme mes policisë dhe manifestuesve u regjistruan sot në Prishtinë, Ku mijëra mbështetës të opozitës dolën sërish në rrugë për të protestuar kundër marrëveshjeve të arritura nga qeveria me Serbinë dhe Malin e Zi. Për të shpërndarë manifestuesit, të cilët hodhën bomba molotov, gurë dhe objekte të tjera kundër selisë së qeverisë, policia përdori gaz lotsjellës.
ANADOLU:
Manifestimi i opozitës së bashkuar, Vetëvendosjes (VV), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës për Kosovën (NISMA) që u zhvillua sot në Prishtinë dhe ku morën pjesë disa dhjetëra mijëra protestues, në përfundim të tij u shndërrua në një demonstratë të dhunshme me hedhje gurësh dhe bombash molotov kundër ndërtesës së Qeverisë, njoftoi agjencia turke e lajmeve, Anadolu Agency
Ndaje me miqte