0030 210 33 18 483

Aksidentohet autobusi i linjës AthinëTiranë plagosen 28 pasagjerë

TRIBUNA 22 Shtator 2016

Një autobus që bënte linjën Athinë-Tiranë, është aksidentuar në orët e para të së enjtes 22 shtator, në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë. Thuajse gjithë pasagjerët janë plagosur. Autobusi me targa Tr 5631 me 41 pasagjerë i linjës Tiranë -Athinë është aksidentuar rreth orës 04:40 të mëngjesit, teksa po kthehej nga Greqia. Shoferi i mjetit I.F., 50 vjeç ka humbur kontrollin e autobusit dhe për pasojë ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore dhe më pas është përmbysur. Sipas informacioneve policore raportohet për 28 persona të plagosur, ndër të cilët një fëmijë 1 vjeç, që janë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Gjirokastrës ku po marrin edhe ndihmën e nevojshme mjekësore. Roland Karalli, kirurgu i spitalit të Gjirokastrës deklaroi se asnjë nga të plagosurit nuk është në rrezik për jetën, transmeton agjencia “Noa.al.”. Pasagjerët nga ana tjetër kanë treguar tmerrin që kaluan, rrezikun që u erdhi nga përplasja e autobusit me bordurën anësore të rrugës, kthimin e mjetit përmbys dhe copat e xhamave që u binin. Shkaku i aksidentit dyshohet të ketë qenë lagështia në rrugë dhe shpejtësia. Policia e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve. Sipas dëshmive të para të dhëna nga pasagjerët e autobusit, që cituara nga ABC NEWS, drejtuesi i mjetit ka qenë duke ecur “pak shpejt, por nuk ka qenë nën efektin e alkoolit”.

Ndaje me miqte