0030 210 33 18 483

Alfred Peza: Kriza e mediave shqiptare

16 Shkurt 2016

Në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, dëgjesa e sotme me drejtuesit e Unionit të Gazetarëve, Aleksandër ipa dhe Xhovani Shyti, nxorri edhe më në pah krizën e thellë në të cilën ndodhet pushteti i katërt në Shqipëri. Sipas raportit të paraqitur prej tyre, aktualisht në industrinë e medias shqiptare punojnë mbi 5700 vetë, nga të cilët mbi 2300 janë gazetarë. Plot 1290 prej tyre, kanë mbi 4 vjet që jetojnë me këtë profesion. Vetëm në mediat elektronike sot numërohen mbi 3700 punonjës, ndërsa në mediat e shkruara numri i punonjësve është gjithnjë në ulje, për shkak të krizës globale që po kalojnë mediat e printuara, ku aktualisht numërohen rreth 670 të punësuar. Një “boom” gati me shpërthim po njohin çdo ditë mediat online. Sot numërohen rreth 600 media shqiptare në internet, ku janë të punësuar 980 persona. Ajo që binte në sy në raportin zyrtar të Unionit ishte fakti se 95% e të gjithë atyre që punojnë aktualisht në mediat shqiptare, marrin me vonesë pagat e tyre nga punëdhënësit dhe se 30% e tyre, kishin 3-4 ose më shumë muaj vonesa në marrjen e pagave për punen e kryer. Kjo ka bërë që shumë punonjës të medias, të kërkojnë në gjykata të drejtat e tyre, ku aktualisht numërohen 135 procese gjyqësore me këtë objekt. "Puna në të zezë dhe mungesa e kontratës kolektive të punës ka sjellë këtë situatë alarmante",- tha Kryetari i Unionit të Gazetareve, z. ipa. Kjo situatë bëhet edhe më e errët, kur mëson se për 50% të punonjësve të medias, nuk janë derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore që atyre u janë mbajtur ndër vite. Sipas z. ipa "informaliteti, ilegaliteti, mungesa e strukturave sindikale të punonjësve të medias dhe njehësimi i pronësisë së medias me drejtimin editorial, janë disa nga shkaqet kryesore të krizës së thellë në të cilën është zhytur media shqiptare sot." Ulja e përfaqësuesve të punonjesve të medias, organizatave të të drejtave të tyre dhe e pronarëve në një tryezë dialogu, me praninë edhe të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Inspektoriatit Kombëtar të Punës, anëtarëve të Komisioni Parlamentar të Medias dhe ndërkombëtarëve që monitorojnë fushën e mediave tona, u sugjerua si një nga rrugët për fillimin e daljes nga kjo krizë. Përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës në Komisonin Parlamentar, u shprehën se do ta vijojmë procesin e dëgjesave në lidhje me këtë temë, duke ftuar në seanca të posaçme, të gjitha grupet e interesit. Bashkë me iniciativat e mundshme ligjvënëse në këtë fushë, të mund të ndihmojmë apo të mund të ushtrojmë një presion pozitiv, që të ndikojmë sa më shumë të jetë e mundur, në zgjidhjen e kësaj situate tejet të rëndë në të cilën ndodhet media shqiptare sot. Kjo mund të jetë një nga rrugët që do të çonte në shëndoshjen ekonomike dhe profesionale të medias, në shtimin e gradëve të lirisë e pavarësisë së gazetarëve dhe në rritjen e legalitetit financiar edhe në këtë fushë. E gjitha kjo, po të kemi parasysh se media shqiptare, është një ndër pasuritë më të mëdha të shoqërisë e demokracisë sonë të 25 viteve të fundit, por edhe në vijimësi. Alfred Peza*)Autori është gazetar, aktualisht deputet i Partisë Socialiste

Ndaje me miqte