0030 210 33 18 483

Ambasadori Dervishi kujton: 25vjet marrëdhënie me Vatikanin tre takimet e mia me Atin e Shenjtë

Dashnos DERVISHI 08 Dhjetor 2016

Në fillim të viteve 90, kishte filluar të interesohej për Shqipërinë edhe Komuniteti Sant’Egidio. Komuniteti Sant’Egidio është një lëvizje laike me frymëzim kristian katolik dhe përbën një shoqatë ndërkombëtare të besnikëve të së drejtës pontifike, që vepron në rreth 73 vende të botës. Si një nga komunitetet më të mëdha në Itali, është i ndërtuar në dy plane: në atë laik dhe fetar. Presidenti i Komunitetit ishte dhe vazhdon të jetë prof. Andrea Riccardi, ndërsa mons. Vincenzo Paglia ishtë këshilltar shpirtëror i Komunitetit të Sant’Egidios. Prof. Andrea Riccardi ishte profesor në disa universitete si Universiteti i Barit, Universiteti La Sapienza i Romës dhe Universiteti Roma Tre, si studiues i kishës në kohën moderne. Në rrethin e tij kishte shumë profesorë, akademikë dhe studjues të teologjisë dhe shkencave shoqërore. Një prej tyre ishte edhe prof. Dammacco, në universitetin e Barit. Prof. Dammacco, në kuadër të bashkëpunimit midis Universitetit të Barit dhe atij të Tiranës, kishte kohë që shkonte në Tiranë, për të dhënë leksione dhe kishte krijuar një rreth të gjerë shoqëror. Nëpërmjet tij u njohëm edhe me prof Andrea Riccardi. Me prof. Andrean patëm shumë takime e biseda mjaft intersante që zhvillonim herë në zyrën e tij, e herë në bibliotekën pa fund që ndodhet në sheshin Sant’Egidio mbi Trastevere. Në këto biseda, herë pas here do ishin të pranishëm edhe autoritete të larta të Vatikanit, midis të cilëve edhe peshkopë e kardinalë. Në mënyrë të natyrshme doli propozimi për të dërguar në Shqipëri disa profesorë të rinj, për t’u njohur me realitetin shqiptar, gjë që u pranua me kënaqësi nga ana jonë. Një nga profesorët, Roberto Morozzo della Rocca, do të shkruante dy vjet më vonë një nga librat e tij të titulluar “Kombi dhe Feja në Shqipëri”, që u përkthye edhe në gjuhën shqipe dhe pati një jehonë e përhapje të madhe në vendin tonë. Kjo veprimtari dhe frymë bashkëpunimi, krijoi bazat dhe atmosferën, që i hapi rrugën udhëtimit në Shqipëri të Monsinjor Vinçenco Paglia-s, i cili udhëtonte për herë të parë me veladonin e priftit. Përveç se këshilltar shpirtëror i Komunitetit të Sant’Egidios, Mons. Paglia ishte edhe famullitar në Bazilikën e Santa Maria in Trastevere. Ai merrte pjesë aktive në shoqatën “Njerëz dhe fe” të Komunitetit Sant’Egidio, që organizonte takime ekumenike dhe ndërfetare. Mons. Paglia ishte prifti i parë që u lejua të udhëtonte në Shqipëri përpara zgjedhjeve të para të lira të marsit 1991. Ai u prit edhe nga presidenti Ramiz Alia. Nuk e di përse Paglia në atë takim u paraqit si civil, por takimi dhe biseda dihej që bëhej me një predikues të fesë katolike dhe simbas Paglias, biseda ishte mjaft impresionuese. Në vijim të këtij aktiviteti, në nëntor 1990, mora takimin e parë zyrtar me mons. Celli, që ishte në pozicionin e Zv. Ministrit të Jashtëm të Vatikanit. Kështu, u hodh hapi i parë i rëndësishëm i diplomacisë klasike të Vatikanit. Mons. Celli më kërkoi takim, në emër të arqipeshkopit Angelo Sodanos, që në atë kohë ishte Prosekretar i Shtetit (gjashte muaj më vonë, u emërua nga Papa Giovanni Paolo II, Kardinal Sekretar Shteti). Takimi me arqipeshkopin Angelo Sodano u realizua në mesin e muajit dhjetor 1990. Meqënëse Shqipëria dhe Vatikani nuk kishin marrëdhënie diplomatike, për të qenë korrekt, simbas protokollit strikt të Vatikanit, vendi i takimit u caktua selia e ambasadës së Vatikanit në Romë, si një vend asnjanës. Në këtë takim ishin të pranishëm arqipeshkopi Angelo Sodano, mons. Celli dhe ambasadori i Vatikanit në Romë. Arqipeshkopi Sodano, mbas komplimenteve të rastit më parashtroi një kërkesë. Në emër të Papa Papa Giovanni Paolo II, ai më dorëzoi një letër, që i drejtohej njërit prej dishepujve të besimit katolik në Shqipëri, peshkopit të Durrësit Nikolla Troshani. Troshani kishte qenë për një kohë të gjatë në burg, si gjithë besimtarët e persekutuar nga regjimi dhe ato kohë banonte i lirë në rrethin e Lezhës. Ai ishte i moshuar dhe me plot probleme shëndetësore. I mësova këto gjëra nga ai takim, pasi më parë nuk kisha asnjë njohuri. Në letër shprehej mirënjohja për qëndrimin dhe vuajtjen e tij gjatë viteve të gjata të persekutimit. Aty i kërkohej Mons. Troshanit që të shfrytëzonte edhe ai kanalin e ofruar të komunikimit nga ambasadori i Tiranës në Romë, për një përgjigje të tij. Në letër shpjegohej që Shenjtëria e tij Papa, pret me ankth lajme për gjëndjen e tij të shëndetit dhe dëshiron që të mësojë drejtpërdrejt prej tij, se cilat janë mundësitë e favorshme për të ardhmen e Kishës në Shqipëri. Me anë të letrës Mons. Troshani ftohej në Vatikan me rastin e 50 vjetorit të shugurimit të tij si prift. Më vonë, gjatë një vizite në Otranto, mësova se Mons. Troshani ishte lejuar nga qeveria shqiptare për t’u dërguar në një nga spitalet e Vatikanit në Otranto, për kurime. Pranimi i letrës pa asnjë hezitim dhe dërgimi në destinacion, u perceptua si një gjest i vullnetit të mirë për bashkëpunim dhe për të ecur më përpara drejt institucionalizimit të marëdhënieve midis Shqipërisë dhe Vatikanit. Në janar 1991, me kërkesën e tij u takova me arkipeshkopin Jean-Louis Tauran, që ishte Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet. Takimi u bë në selinë e ambasadës së Vatikanit në Romë. Mons. Tauran shprehu kënaqësinë për zhvillimet demokratike në Shqipëri, të cilat po ndiqeshin me interes nga selia e Shenjtë dhe nga vetë Papa, i cili në predikimin e tij me rastin e vitit të ri, kishte përmëndur proceset që po ndodhnin në Shqipëri, duke shprehur urimet që ato të vazhdonin kështu. Sipas Tauran, Papa kishte vlerësuar lart deklaratën e Presidentit Alia, qysh në majin e vitit të kaluar, sipas së cilës, ushtrimi i fesë të mos quhej më krim kundër shtetit. Gjithashtu ai tha që është vlerësuar lart edhe pritja që iu bë Nënë Terezës dhe premtimi i Presidentit Alia për hapjen e misionit të saj në Shqipëri. Ai kërkoi që sa më parë të dërgonin një nga funksionarët e lartë të Vatikanit, për të takuar peshkopin Troshani dhe për të mundësuar ndihmën me objekte meshe të domosdoshme. Në vijim të këtij takimi, në 20-23 mars 1991, u organizua edhe vizita e një delegacioni të Selisë së Shenjtë, i kryesuar nga zëvendës-sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Celli. Ai u prit nga të gjitha personalitetet e larta në Shqipëri. Gjatë bisedave u shpreh dëshira për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë. Në pranverën e vitit 1991 pata një ftesë nga Mons. Sodano, MPJ i Vatikanit, praktikisht zyrtari më i lartë në piramidën hierarkike të Shtetit. Atë ditë, në Romë binte një shi në formë litari, i pa parë ndonjëherë. Poshtë kolonave kryesore të hyrjes po priste Mons. Celli me një çadër në dorë. Mbas përshëndetjeve të mirëseardhjes, Mons. Celli më thotë me shaka: “Më në fund, mbas 500 vjetësh, në shkallët e Vatikanit po ngjitet një ambasador nga Shqipëria, ndaj edhe qielli sot po qan”. “Në Shqipëri, ashtu si kudo, qahet si nga hidhërimi ashtu edhe nga gëzimi; sot qielli po gëzon”, ishte përgjigja ime me humor. Përshtypjet gjatë ecjes nëpër korridoret e larta e të mbuluara me pikturat më të famshme të njerëzimit ishin mbresëlënëse. Vetja të dukej fare i vogël dhe i pafuqishëm, aq sa M. Sako, këshilltari i ambasadës që më shoqëronte, më thotë nëpër dhëmbë: “Po ai joni ç’pati që u hapi luftë këtyre?”. Më pas, duke reflektuar për këtë shkëmbim batutash miqësore, na rezultonte se mbas vdekjes së Skënderbeut, marrëdhëniet diplomatike me Vatikanin ishin ndërprerë qysh me pushtimin e Shqipërisë nga Perandoria islamike Otomane; gjatë regjimit të mbretit Zog, si një vend mysliman ato u ruajtën në nivel konsullor; ndërsa pas instalimit të regjimit komunist marrëdhëniet jo vetëm që u ndërprenë, por u bënë armiqësore. Pra, i binte që vërtet mbas 500 vjetëve të ngjiste shkallët e Vatikanit një zyrtar i lartë shqiptar, me atributet e ambasadorit. Biseda që vazhdoi me Sodanon ishte mjaft miqësore dhe e ngrohtë. Ai shprehu mirënjohjen për mirëkuptimin e palës shqiptare, për gjithë përpjekjet që ishin bërë deri në ato momente, duke përmendur disa prej tyre, si vizita e nënë Terezas, ajo e Cellit, etj. Kishte mbetur vetëm legalizimi i marrëdhënieve diplomatike midis Shtetit të Vatikanit dhe atij shqiptar. Ato u nënshkruan më 7 shtator të vitit 1991. Në 5 korrik 1991, me rastin e vizitës në Romë të një delegacioni në nivel të lartë nga qeveria shqiptare, të kryesuar nga kryeministri, Ylli Bufi, u bë edhe takimi i parë me Papën. Në këtë takim, u bisedua për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë. Ishte një takim mbresëlënës. Megjithëse biseda kokë më kokë me të gjithë antarët e delegacionit (veç e veç) zgjati pak minuta, dolëm nga ai takim të emocionuar dhe me përshtypjen se Ati i Shenjtë ishte vërtet shumë i angazhuar për të ndihmuar në mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri. Me rastin e përfundimit të misionit tim në Itali, para largimit, në qershor të vitit 1992, bëra takimin e fundit protokollar të ndarjes me Mons. Cellin. Në Shqipëri kishin ndodhur ndryshime radikale. Nuk dihej se si do shkonte fati im. Këtë e pashë edhe në sytë e mikut tim të urtë, Mons. Celli, i cili më tha: “Kudo që të shkosh, çfardo që të ndodhë, dyert e Vatikanit janë gjithmonë të hapura”. Me mendimin se nuk do të takoheshim më, u ndamë me shumë përzemërsi. Por ngjarjet rrodhën në mënyrë të çuditëshme. Në vitin 2000 unë u ndodha në Izrael, si ambasador i Shqipërisë. Ishte viti jubilar i millienumit të kristianizmit, kur pelegrinët nga gjithë bota vërshuan për të shkelur në tokën ku kishte lindur, rritur dhe kryqëzuar Jezu Krishti. Kishte qënë pikërisht Mons. Celli, që me zv. ministrin e jashtëm të Izraelit, kishte nënshkruar që në 1993, dokumentin që zyrtarizonte njohjen e Izraelit nga Selia e Shenjtë. Në 21-26 mars 2000 u realizua vizita historike e Papës Wojtyla, e para vizitë e një Pape në Tokën e Shenjtë, mbas dymijë vitesh armiqësish midis ebrejve dhe katolikëve. Në mitingun e madh, në qytetin Nazareth, pranë lartësisë Golan, ku ishin grumbulluar pelegrinët nga gjithë bota, ishte ftuar edhe Trupi Diplomatik. Do ishte hera e dytë që do takoja Papa Wojtylan, këtë radhë fare shkurt, vetëm me një shtrëngim duarsh, gjatë përshëndetjes që ai bëri me të gjithë Trupin Diplomatik, të vënë në rrjesht, sipas protokollit të shtetit. Por ishte thënë që unë të kthehesha përsëri në Vatikan e të takoja për herë të tretë dhe të fundit Papën. Në tetor të vitit 2001, kryeministri shqiptar Ilir Meta do të pritej në një audiencë nga Ati i Shenjtë. Në përbërje të delegacionit isha edhe unë, këtë radhë, si këshilltar diplomatik i Kryeministrit. Protokolli i Vatikanit përmbante një takim prej disa minutash me kryeministrin dhe më pas një kalim në radhë përpara Papës duke u përshëndetur me të. Kur erdhi radha ime, unë qëndrova pak, i shtrëngova dorën dhe i thashë: “Eshtë hera e tretë që po takohemi, kur unë mendova se nuk do ju shikoja më; por me sa duket ringjallja ekziston”. Dhe Papa më tha: “Asnjëherë mos e humb shpresën”. Me kthimin në Shqipëri, qëndrimi pak më gjatë se antarët e tjerë të delegacionit, me sa duket kishte rënë në sy të gazetarëve. Ata kërkuan të më intervistonin e të më kërkonin se çfarë biseduam me Papën, por unë nuk ua shuajta kuriozitetin, duke e mbajtur për vete atë bashkëbisedim të shkurtër, si diçka tepër personale timen. E tregova “sekretin” tim vetëm në prill 2005, gjatë një bisede që u organizua nga studio e “News 24”, pak ditë mbas vdekjes së Papa Vojtyla. Në trasmetimin direkt ku, së bashku me disa persona të tjerë, që kishin kujtime nga takimet me Papën, isha ftuar edhe unë, gazetari që drejtonte emisionin, nuk kishte harruar të shuante kuriozitetin.

Ndaje me miqte