0030 210 33 18 483

Berisha: PD dhe opozita po përgatisin mbrojtjen e të drejtës së votës së shqiptarëve

Tribuna News 14 Maj 2025

TIRANË, 14 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, Partia Demokratike dhe opozita po përgatisin luftën e fuqishme për mbrojtjen e të drejtës së votës së shqiptarëve.

“Çdo orë që kalon, nxjerr fakte, dokumente shkatërrimtare për farsën elektorale të 11 majit”, tha ai në një konferencë për mediet.

Berisha gjithashtu shprehu vlerësimin “për të gjithë ata komisionerë dhe numërues, vëzhgues të opozitës”, që, shtoi ai, “në kushtet e një presioni të gjithanshëm, në kufijtë e një terrorizmi shtetëror, po kryejnë detyrën e tyre dhe i ftoj ata ta kryejnë gjer në fund”.

Berisha theksoi se, “kjo është rruga më e mirë për të mbrojtur votën e shqiptarëve, në kuptimin që ne jemi të detyruar, ligjërisht dhe me Kushtetutë, të mbrojmë çdo votë të hedhur nga qytetarët shqiptarë”.

Por, shtoi kreu i PD, “kjo është rruga gjithashtu për të faktuar para shqiptarëve dhe botës, farsën e paprecedentë që po kundërmon në të katër anët, farsën elektorale që organizoi narkoregjimi i Tiranës në datën 11 maj të vitit 2025”.

Në këtë kuadër, vijoi Berisha, “Partia Demokratike dhe opozita po përgatit luftën e fuqishme për mbrojtjen e të drejtës së votës së shqiptarëve”.

Berisha gjithashtu shprehu vlerësimin për raportet paraprake, të cilat, u shpreh ai, “de facto në parimin më themelor ndërkombëtar dhe kombëtar të zgjedhjeve, atë të barazisë së palëve, i kanë rrëzuar përtokë zgjedhjet”.

Sipas tij, 11 maji janë zgjedhje të kapura nga organizata kriminale më të fuqishme të Shqipërisë dhe rajonit, të cilat disponojnë në kontot e tyre të nëndheshme, miliarda euro dhe që luftojnë në këto zgjedhje për lëkurën e tyre. Kjo, siç u shpreh ai, “sepse i kisha garantuar dhe vazhdoj t’i garantoj se ato me PD në pushtet, do të shpallen organizata terroriste, çka do të thotë, ligji do të jetë i tmerrshëm për to”.

Në këtë kuadër, Berisha dënoi me forcë atë që e cilësoi si “terror policesk”, ndaj numëruesve dhe komisionerëve të PD.

“Dënoj akte të tjera të falangave të krimit që kanë terrorizuar demokrate e demokratë, opozitarë dhe opozitare që kanë dorëzuar filmime, dokumente mbi dhunimin masiv të këtyre zgjedhjeve”, tha Berisha.

Kreu i PD ftoi demokratët dhe demokratet e mbarë opozitarët që të vazhdojnë misionin për mbrojtjen dhe rikthimin e votës së lirë.

“Ata të cilët injorojnë se këto zgjedhje u grabitën, u plaçkitën në mënyrat më kriminale dhe antidemokratike, do të zhgënjehen më vonë, kur ne të kemi faktuar para çdo shqiptari dhe në çdo kryeqytet të Evropës dhe botës, shëmtinë e kësaj farse elektorale”, theksoi Berisha.

Berisha shtoi se, faktet dhe dokumentet e asaj që ai e cilësoi si, “farsë elektorale” do t’u dërgohen kancelarive evropiane si dhe Senatit e Kongresit të SHBA.

“PD ka më shumë se kurrë fakte dhe dokumente”, tha Berisha.

Por, shtoi ai, “fakti është se vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR në kushte jo të lehta, arritën në një vlerësim paraprak, në tërësi real”.

“Por, natyrisht me ODIHR dhe OSBE, sikundër me të gjitha kancelaritë evropiane, me Senatin, Kongresin dhe administratën e SHBA, ne në mbrojtje të votës së qytetarëve shqiptarë do të kemi paraqitje dhe shkëmbime intensive mendimesh, dokumentesh dhe faktesh të pakundërshtueshme”, tha Berisha. /r.e/j.p/

 

Ndaje me miqte