Ambasadori Lu: Qeveria e SHBA u ka ndaluar hyrjen disa gjykatësve të korruptuar
03 Mars 2016
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Donald Lu është shprehur se qeveria e SHBA-se u ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara disa gjykatësve të korruptuar, duke iu refuzuar apo anulluar vizat.
Këtë deklaratë ambasadori Lu e ka dhënë gjatë përgjigjes së pyetjes së një qytetari në programin e ri të Ambasadës Amerikane të Video Pyetjeve & Përgjigjeve në YouTube, se, kur SHBA e di shumë mirë që politikanët tanë janë kaq të korruptuar, përse nuk ndërhyn drejtpërdrejtë në ta?
Ambasadori Lu është përgjigjur se, “lufta kunder korrupsionit është prioritet kryesor i qeverisë së SHBA në Shqipëri. Ne jemi duke ndërmarrë masat tona, por edhe me shoqërinë civile dhe udhëheqësit shqiptarë”.
“Vitin e kaluar, ne pamë se si partitë politike hoqën disa kandidatë kriminelë nga zgjedhjet. Politikanë të tjerë të korruptuar apo me të shkuar kriminale janë arrestuar apo kanë dhënë dorëheqjen. Ne, gjithashtu, mbështesim zbatimin e plotë të ligjit për dekriminalizimin”, është shprehur ambasadori Lu.
Së fundmi, ka theksuar Lu, “qeveria e SHBA u ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara disa gjykatësve të korruptuar, duke iu refuzuar apo anulluar vizat”.
“Ky është vetëm fillimi. Ne kemi shumë më tepër punë për të bërë për të luftuar korrupsionin”, përfundon përgjgjen e tij ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Donald Lu.
ATSH
Ndaje me miqte