0030 210 33 18 483

Ambasadori grek në Vlorë për programet e partneritetit

17 Mars 2016

Ambasadori i Greqisë në Tiranë, Leonidhas Rokanas, zhvilloi të enjten një vizitë në qytetin e Vlorës, ku u takua me drejtues të qeverisjes vendore, mes të cilëve Kryetarin e Bashkisë, Dritan Leli, Prefekten e Qarkut, Etjona Hoxha, si dhe Kryetarin e Këshillit të Qarkut, Sadrit Danaj. Në këto takime u nda i njëjti qëndrim, ai i nivelit të mirë të marrëdhënieve që ekzistojnë mes dy vendeve dhe popujve respektivë, me histori të lashtë dhe me tradita. Në këtë kuadër, u shtrua nevoja e forcimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët dhe me përfitim të ndërsjelltë. Një formë konkrete e këtij bashkëpunimi, janë Programet e Komunitetit Evropian, në të cilat ka mjaft projekte të përbashkëta ku janë përfshirë edhe Bashkia dhe Qarku i Vlorës, me partnerë qytete dhe rajone të Greqisë. Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, bëri një prezantim të historikut dhe resurseve të Bashkisë së Vlorës, duke nënvizuar profilin turistik të saj. Ai theksoi se, fakti që jemi pranë njeri tjetrit, ka bërë që të krijojmë mjaft pasuri të përbashkëta, por, mes tyre, vlera më e madhe është ajo e marëdhënieve njerëzore. Sipas tij, ndihma dhe mbështetja e Greqisë, është një faktor shumë i rëndësishëm në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë. Prefektja, Etjona Hoxha, u ndal gjithashtu në marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, ndërkohë që shtoi se, Qarku i Vlorës, si zonë kufitare me Greqinë, ka mjaft resurse që janë një faktor nxitës në forcimin e bashkëpunimit me interes të ndërsjelltë. Kryetari i Këshillit të Qarkut, Sadrit Danaj, nënvizoi se, vija bregdetare prej 244 km që nis nga gjiri i Vlorës dhe vazhdon në jug deri në kufi me Greqinë, përbën një mundësi zhvillimi por edhe investimi. Ambasadori i Greqisë në Tiranë, theksoi se e njeh mjaft mirë historinë e Vlorës, që nis prej 26 shekujsh dhe që është shumë e pasur. “Kam ardhur në Shqipëri me dëshirën dhe këmbënguljen time, sepse më pëlqen vendi juaj, më pëlqen historia juaj, më pëlqen natyra, njerëzit”, u shpreh Rokanas. Ai theksoi se, mbështetja e Greqisë për Shqipërinë në rrugën e saj evropianë, ka qenë e vazhdueshme dhe do të jetë e tillë edhe në të ardhmen, deri në finalizimin e saj, me anëtarësimin në BE. “Anëtarësimin në BE, ju duhet ta konsideroni një shans dhe jo një detyrim”, theksoi Rokanas, duke shtuar se, programet e Komunitetit Evropian, përbëjnë instrumenta të rëndësishëm në këtë drejtim. Harilla Koçi

Ndaje me miqte