0030 210 33 18 483

Amnesty International kritikon BEnë për situatën e refugjatëve në Greqi

26 Shtator 2016

Organizata Amnesty International ka nxjerrë një raport mjaft kritik mbi situatën e refugjatëve në Greqi. Amnesty International thekson se plot një vit pas marrëveshjes së liderëve europianë, për programin e rivendosjes së refugjatëve në vende të ndryshme të Unionit, mijëra e mijëra refugjatë vazhdojnë të mbeten në Greqi, në kushte mjaft të mjerueshme. Në planin e shifrave, është realizuar vetëm 6% e angazhimit europian për rivendosjen e refugjatëve. “Me ritmet aktuale do të nevojiten 18 vjet që të konkretizohet programi që miratuan para një viti liderët europianë”, ka vënë në dukje Monica Costa, përgjegjëse e emigracionit në Amnesty International. “Eshtë turp fakti që Europa nuk mundet të lerë mënjanë politikën dhe ta zgjidhë këtë krizë humanitare, me një shpërndarje të drejtë të përgjegjësisë, për një numër relativisht të vogël refugjatësh”, vazhdon Costa. Sipas të dhënave zyrtare që u referohet organizata, rreth 47 mijë refugjatë janë bllokuar në pjesën kontinentale të Greqisë. Pjesa më e madhe e tyre kanë ardhur nga Siria, Iraku e Afganistani dhe në mesin e tyre ka mjaft fëmijë, njerëz me probleme serioze shëndetësore, gra shtatzëna dhe foshnje. Shumica dërrmuese e refugjatëve janë strehuar prej muajsh në kampe, ku flejnë drejt e në tokë. Ata ndodhen në një situatë konstante pasigurie, madje edhe nëse do të ketë çdo ditë ushqim të mjaftueshëm, vëren raporti i Amnesty International. Në një vjetorin e vendimit të samitit të BE-së të 22 shtatorit Organizata ka përgatitur në broshurë të titulluar “Kemi humbur çdo shpresë”. Në faqet e broshurës janë përfshirë edhe komentet e vetë refugjatëve. “do ditë vdesim 100 herë”. “ Ajri nuk është i mirë këtu, ushqimi nuk është i mirë, këtu ka ndotje”. “As kafshët nuk do të mund të jetonin këtu”. “Nuk vdiqëm në vendin tonë, por mund të vdesim këtu, po të vazhdojmë të jetojmë në këtë mënyrë”. Këto janë disa nga komentet e refugjatëve. “Nëse Greqia dhe partnerët europianë nuk veprojnë urgjentisht në drejtim të përmirësimit të kushteve, shpërndarjes së përgjegjësisë dhe ofrimit të sigurisë për mijëra njerëzit që ndodhen të ngujuar në Greqi, situata këtu do të shndërrohet në një tragjedi afatgjatë”, konkludon Amnesty International.

Ndaje me miqte