Ankaraja dhe Moska normalizojnë marrëdhëniet
29 Qershor 2016
Presidenti rus, Vladimir Putin urdhëroi të mërkurën heqjen e sanksioneve kundër Turqisë në fushën e turizmit dhe normalizimit të marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve, në përfundim të një bisede telefonike me homologun turk, Recep Tayyip Erdogan.
“Do të kërkoja fillimin e çështjeve që lidhen me turizmin. Ne do të heqin kufizimet administrative në këtë fushë kundër Turqisë”, deklaroi Putin, gjatë një takimi të kabinetit qeveritar rus.
“I kërkoj qeverisë të nisë procesin e normalizimit të tregtisë dhe të marrëdhënieve tona ekonomike”, vijoi ai.
Kreu i shtetit rus u shpreh pas bisedës së parë telefonike me Erdoganin prej hyrjes në fuqi të sanksioneve ruse kundër Turqisë, shkaktuar pas rrëzimit të një avioni bombardues rus nga pala turke mbi hapësirën ajrore siriano-turke.
Normalizimi i marrëdhënieve mes Turqisë dhe Rusisë ka filluar, tha kryeministri turk Binali Yildirim. Kjo ndodh një ditë pasi Turqia normalizoi marrëdhëniet diplomatike me Izraelin dhe pasi Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i dërgoi një letër homologut të tij rus Vladimir Putin, në të cilën i kërkonte falje për rrëzimin nga Turqia të një avioni ushtarak rus. Rrëzimi i avionit në nëntor të vitit të kaluar shkallëzoi tensionet mes dy vendeve duke ndezur një luftë tregtare dhe diplomatike mes dy vendeve.
Kryeministri Binali Yildirim tha sot se normalizimi i marrëdhëneve me Rusinë është pjesë e përpjekjeve të Ankarasë për të përmirësuar lidhjet me vendet e Detit të Zi dhe ato të Mesdheut.
"Ne do të shtojmë miqtë dhe do të pakësojmë armiqtë tanë. Përpjekjet tona në këtë drejtim do të vazhdojnë pa u ngadalësuar. Jo vetëm me Rusinë apo Egjiptin, por edhe përmirësimin e lidhjeve me të gjitha vendet në Detin e Zi dhe vendet e Mesdheut do të jetë qëllimi ynë më i rëndësishëm", tha kryeministri Yildirim para anëtarëve të partisë AK në pushtet.
Zoti Yildirim foli një ditë pasi Turqia rivendosi marrëdhëniet diplomatike me Izraelin dhe pas dërgimit nga presidenti turk Tajip Erdogan të një letre për presidentin rus Vladimir Putin, në të cilën ai shprehu keqardhje në lidhje me rrëzimin e një avioni ushtarak vitin e kaluar. Në letrën e zotit Erdogan bëhej thirrje për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
"Komunikimi mes të dy udhëheqësve, që ka qenë i vazhdueshëm, më në fund ka dhënë rezultat. Duket se korrespondenca reciproke ka shkrirë marrëdhëniet e ngrira mes Rusisë dhe Turqisë. Prandaj, ne mund të themi normalizimi i marrëdhënieve me Rusinë ka filluar", tha kryeministri Yildirim.
Megjithatë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u tha gazetarëve në një konferencë shtypi sot se do të duhen më shumë se disa ditë për riparimin e marrëdhënieve të Rusisë me Ankaran.
Presidenti rus Vladimir Putin kishte thënë se një kërkim i faljes nga zoti Erdogan ishte kushti për riparimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat u tensionuan pas rrëzimit nga Turqia të një avioni ushtarak rus në afërsi të kufirit të Turqisë me Sirinë.
Ndaje me miqte