0030 210 33 18 483

&ldquoArogjiPërkrahja&rdquo zgjeron urat e bashkëpunimit

25 Janar 2016

Në vazhdën e punës për krijimin e bashkëpunimit institucional me autoritetet qendrore në të dy anët e kufirit, Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahje” ka zhvilluar një takim me ambasadorin shqiptar në Athinë Dashnor Dervishi. Qëllimi i takimit ishte një “prezantim më zyrtar” i organizatës, i veprimtarisë dhe përbërjes së saj, por edhe shkëmbimi i mendimeve lidhur me problematikat më akute që preokupojnë komunitetin shqiptar në Greqi dhe jo vetëm. Në kushtet e globalizimit të krizës së refugjatëve, “Arogji” u informua nga ambasadori Dervishi edhe mbi kapacitetet që disponon shteti shqiptar për t’u ofruar kushte optimale qëndrimi një numri refugjatësh, nëse kjo kërkohet nga Bashkimi Europian. Në takim ndodheshin përveç kryetarit të Arogjisë, Fatos Malaj, edhe anëtari i kryesisë dhe biznesmen Adrian Rakipi, Katerina Llano, Brunilda Beqiraj, botuesi i gazetës “Intervista”, Artan Kristo, Pavllo Sota, gazetarët Artur Bibe e Robert Goro, operatori i njohur Ilia Poçi, avokati Ilia Bello, aktori i njohur Armando Dauti, Eriona Paragoni, Anastas Kallojeri, editori i “albanians.gr” Gaston Sanxhaku, biznesmeni dhe aktivisti i suksesshëm Petrit Selmani, ish futbollisti i “Vllaznisë” dhe Kombëtares, sot trainer në Greqi Adri Barbullushi, Migena Paragoni, Eranda Muskaj, Migena Muskaj. Që në fillim duhet thënë se ishte një takim i ngrohtë, pa protokolle e rrahje shpatullash, ku gjërat u thanë pa doreza e nganjëherë u ngritën edhe tonet. Pjesëmarrësit e morën që të gjithë fjalën, dhe secili kishte diçka interesante për të thënë. Siç e tha në mënyrë shumë të saktë njera prej diskutanteve, deri më tani “Arogji” ka qenë një urë lidhëse ndërmjet emigrantëve dhe autoriteteve greke; tashmë ka ardhur koha që kjo urë “të zgjatohet” edhe në drejtim të shtetit shqiptar. Përgjigjja e ambasadorit Dervishi ndaj kësaj oferte shoqërore ishte e drejtpërdrejtë dhe angazhuese. Ambasadori madje shpjegoi me durim edhe se çfarë po bëhet për zgjidhjen e çështjeve si lëshimi i çertifikatave nga shërbimet konsullore në Greqi (ka filluar tashmë në Itali), si dhe vështirësitë për arritjen e marrëveshjeve përkatëse me autoritetet greke, (gjë për të cilën po punohet intensivisht, siç e kemi konfirmuar edhe nga burime të tjera). “Arogji” gëzon një ekspertizë shumë të vyer për çështjet e emigracionit. Në kushtet që më shumë se një e treta e popullsisë shqiptare ndodhet në emigracion dhe vëmendja e shtetit amë ndaj bashkatdhetarëve të tyre të mërguar po rritet (së shpejti fillon procesi i regjistrimit të emigrantëve), ekspertiza e “Arogjisë” mund të jetë një instrument shumë efektiv për t’u përmirësuar vazhdimisht puna në dobi të emigrantëve. Në këtë fushë, siç theksoi edhe kryetari i Arogjisë, Fatos Malaj, nuk ka vend për rivalitet me grupime të tjera emigrantësh, por të gjithë duhet të bashkojnë forcat në drejtim të një qëllimi të vetëm, informimin, orientimin dhe shërbimin e bashkatdhetarëlve emigrantë, si nga autoritetet greke, ashtu edhe ato shqiptare. Arogji, një vit me aktivitete serioze Si pjesë e takimit ishte edhe një prezantim i shkurtër i veprimtarisë së Arogjisë, që nga krijimi, prezantim që e kreu Migena Parangoni. Tribuna e boton të plotë tekstin e prezantimit, me qëllim që të njihen edhe edhe lexuesit: Arogjia u krijua në 2012, me qëllim mbështetjen e grupeve në nevojë dhe informimin më të mirë të tyre për çështje të tilla si: arsimimi, edukimi profesional, kultura., shoqërizimi dhe njohja e të drejtave të njeriut. Njerëzit që besuan dhe e mbështetën Arogjinë në fillimet e saj, nuk kishin absolutisht asnjë interes personal përtej vullnetit të tyre që të ndihmojnë realizimin e idesë së një grupimi solidarizues, që do t’u qëndrojë pranë emigrantëve në vështirësi. Në grupimin tonë kemi akademikë grekë dhe emigrantë, që hulumtojnë mundësitë inssitucionale të emigrantëve dhe mënyrat e integrimit të tyre në vendin pritës. Gjithashtu kemi emigrantë të brezit të dytë që ose kanë lindur në Greqi, ose kanë ardhur këtu në moshë të vogël dhe po luftojnë për njohjen e tyre. Kemi gjithashtu konsulentë juridikë që u ofrojnë falas asistencë ligjore grupeve sociale në nevojë, emigrantëve dhe refugjatëve. Pjesëtarë të Arogjisë janë gjithashtu gazetarë, njerëz nga fusha e politikës, artistë dhe sportitë, që kanë marrë përsipër promovimin e frymës së artit dhe të kulturës. Arogji, në bashkëpunim me OJQ të tjera dhe universitete greke, ka marrë pjesë në programe që kanë të bëjnë me edukimin, me objektiv përmirësimin e arsimimit të emigrantëve. Duke folur me dorë në zemër, mund të themi se Arogji është ndoshta organizata që ka kontribuar më shumë se çdo homologe tjetër në përmirësimin e legjislacionit dhe praktikave të legalizimit të emigrantëve. Këtu duhet theksuar roli i zotit Fatos Malaj, themeluesit të Arogjisë që është njëkohësisht edhe ndërmjetës ndërkulturor. Përvoja e tij e gjatë, njohja deri në detaje e problematikës dhe raportet e tij bashkëpunuese me administratën dhe organet drejtuese të shtetit grek, janë shndërruar në një kapital jetik për organizatën. Më poshtë po ndalemi shkurt në disa prej veprimtarive më të rëndësishme që uzhvilluam vitin që sapo u mbyll, krahas punës tonë thuajse të përditshme për informimin e sa më shumë emigrantëve dhe takimet konsultative me instancat shtetërore, gjithmonë në dobi të përmirësimit të shërbimit ndaj emigrantëve. Më 19 maj 2015, Arogji organizoi një diskutim të hapur lidhur me dispozitat e projektligjit për nënshtetësinë, ku pati një pjesëmarrje mjaft të madhe, jo vetëm nga komuniteti shqiptar, por edhe nga komunitetet e tjera. Gjatë takimit dha sqarime dhe iu përgjij pyetjeve nga salla sekretari i përgjithshëm i ministrisë së brendshme për politikën e emigracionit, Vasilis Papadopulos. Si një shprehje të integritetit dhe reputacionit të Arogjisë, do të veçonim faktin se në panel ndodheshin gjithë drejtuesit e politikës së emigracionit të qeverive greke, nga 2007 deri në 2015. Gjë që, siç e thanë edhe vetë nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Pak ditë më vonë, në një takim në parlamentin grek, me deputetë dhe ministrin e brendshëm Nikos Vutsis, dhe në emër të gjithë emigrantëve, zoti Fatos Malaj kërkoi nga shteti helen të marrë seriozisht parasysh zgjidhjen e disa problemeve që mbartnin dispozitat e projektligjit. Qëllimi ishte që të mos përsëriteshin gabimet e të kaluarës, të mos sorrollaten edhe më emigrantët nëpër radha të gjata dhe natyrisht, drafti për nënshtetësinë që do të miratohej, të mos ishte diçka provizore, por që t’i rezistonte kohës. Më 24 qershor, Arogji u gjend në parlament, ditën e votimit të projektligjit dhe nëpërmjet pronocimeve para deputetëve, dha ndihmesën e vet në ndryshimet që iu bënë dispozitave. Për t’u arritur kjo, Arogji ishte në kontakt të vazhdueshëm me ministrinë e brendshme dhe ministrinë për politikën e emigracionit. Para zgjedhjeve të 20 shtatorit 2015, Arogji komunikoi me ministren alternate të punëve të brendshme dhe decentralizimit administrativ, Tasia Hristodulopulu, duke kërkuar që fushata elektorale të mos krijonte vonesa në vënien në zbatim të ligjit për nënshtetësinë. Një kërkesë që u muar parasysh menjëherë. Më 22 dhjetor 2015, Arogji u takua me sekretarin e përgjithshëm të ministrisë së brendshme, i ngarkuar me çështjet e emigracionit, të cilit i prezantoi problemet më të mprehta në procesin e legalizimit të emigrantëve, sidomos për vonesat në aplikimin për leje qëndrimi. Gjithashtu i prezantoi disa ide të reja se si mund të përmirësohet më tej procesi, nëpërmjet një shpërndarjeje më të mirë të punës në administratën e decentralizuar të periferive. Faktikisht, shumica e propozimeve që paraqitëm kanë filluar të konsiderohen nga ministria e brendshme dhe të materializohen. Në fillim të dhjetorit 2015, zhvilloi një vizitë në Bruksel, parlamentin Europian. Ky institucion hapi dyert dhe përshëndeti nxehtësisht përpjekjet tona. Raportet që krijuam me eurodeputetë të ndryshëm gjatë takimeve tona, synojnë në një përqasje të re të problemeve të emigrantëve nga ana e institucioneve që mund të ndihmojnë shumë në ecurinë pozitive të kësaj problematike. Mbi bazën e kësaj veprimtarie që e konsiderojmë të pasur dhe cilësore, do të vazhdojmë edhe gjatë këtij viti.

Ndaje me miqte