0030 210 33 18 483

Athina ende larg marrëveshjes me partnerët

02 Maj 2015

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, ka deklaruar se “Greqia është dhe do të mbetet pjesë integrale e eurozonës”. Por Juncker ka theksuar se në këmbim të qëndrimit në eurozonë, Greqia duhet të zbatojë marrëveshjet e arritura me partnerët. Juncker i ka bërë këto deklarata në një intervistë të zgjeruar që publikohet të shtunën në gazetën Rheinische Post, e cila i ka bërë tri pyetje rresht për Greqinë. “Greqia duhet të zbatojë marrëveshjet me Eurogrupin dhe të adoptojë politika fiskale dhe financiare me kredibilitet”, ka shtuar Juncker, duke paralajmëruar qeverinë e Aleksis Tsipras që, “nëse don të realizojë programin e vet elektoral, atëherë duhet të sigurojë edhe financimin përkatës”. Deklaratat e kreut të Komisionit Europian janë bërë në kohën që janë shpeshtuar përsëri zërat për një dalje të mundshme të Greqisë nga eurouzona. Presidenti i eurogrupit, Jeroen Dijsselboelm tha të premten, se eurozona ka një plan B për Greqinë, duke shkaktuar shqetësim, por edhe indinjatë në Athinë. Gjithsesi, Dijsselbloem, është shprehur se ka progres në negociatat që po zhvillohen aktualisht mes Greqisë dhe përfaqësuesve të kreditorëve. Negociatat kanë në qendër arritjen e një marrëveshjeje që do të mundësojë vazhdimin e financimit ndërkombëtar për Greqinë. Pavarësisht progresit, kreu i eurozonës, Dijsselbloem, nënvizoi se është ende shumë herët për të thënë nëse bisedimet me Greqinë kanë arritur në një pikë kthese. “Në fund, ne do të shohim vetëm rezultatet, dhe nuk kemi arritur ende kaq larg”, shtoi i njëjti sipas agjencisë Bloomberg. Deklaratat e Jeroen Dijsselbloem, por edhe të zyrtarëve të tjerë nga Brukseli, bien ndesh me optimizmin që shprehu kryeministri grek, Aleksis Tsipras se marrëveshja mund të arrihej madje edhe këtë fundjavë. Pala greke shpresonte në një takim të jashtëzakonshëm të Eurogrupit të hënën, 4 maj, ku do të evidentohej progresi i negociatave. Mirëpo, presidenti jean-Claude Juncker e ka bërë të qartë se kjo nuk do të ndodhë. “Kemi ende shumë rrugë për të bërë, nuk kemi ende qartësinë e nevojshme për disa prej reformave”, i deklaroi Juncker gazetës gjermane, Rheinische Post, duke theksuar gjithsesi, se “po lëvizim në drejtimin e duhur”.

Ndaje me miqte