0030 210 33 18 483

Athina: kënaqësi por edhe rezerva për konkluzionet e samitit mbi refugjatët

19 Shkurt 2016

Athina zyrtare është shprehur e kënaqur nga përmbajtja e konkluzioneve të ditës së parë të samitit të BE, konkluzione që u publikuan pas orës 03,30 të ditës së premte. Siç kanë deklaruar për agjencinë ANA-MPA burime diplomatike greke, Athina ka mundur të sigurojë katër arritje -që i synonte qysh në fillim- lidhur me çështjen e refugjatëve. Posaçërisht, burimet shprehën kënaqësinë për referimin që përmbajnë konkluzionet lidhur me garantimin e integritetit të marrëveshjes Shengen, fakt që sipas burimeve, u jep fund skenarëve për përjashtimin e Greqisë nga zona e qarkullimit të lirë. Në konkluzionet thuhet shprehimisht se “është e rëndësishme të rehabilitohet në mënyrë të koordinuar funksionimi normal i zonës Shengen, me mbështetjen e plotë ndaj gjithë vendeve anëtare që po ndeshen me rrethana të vështira”. Sipas burimeve, është gjithashtu i rëndësishëm theksimi i nevojës e shmangies së veprimeve të njëanshme dhe akteve jo të koordinuara nga vendet anëtare, nevoja për përshpejtimin e procesit të rivendosjes së refugjatëve në vendet e tjera të BE-së, si dhe risistemimin e refugjatëve direkt nga territori i Turqisë. Burime diplomatike greke vunë në dukje se, pavarësisht faktit se konstatimet e konkluzioneve vlerësohen si tepër të kënaqshme për Greqinë, Athina u rezervua para përfundimit që të jepte miratimin e vet për rezolutën përfundimtare (që ka të bëjë sa me çështjen e refugjatëve, aq edhe me raportet BE-Britani), por të mos kishte një angazhim kategorik se asnjë prej vendeve anëtare nuk do t’i mbyllte kufijtë e veta. Pas kësaj, Gjermania propozoi të bëhet më 6 mars një samit i jashtëzakonshëm me pjesëmarrjen edhe të Turqisë. U angazhua gjithashtu që nuk do të ketë asnjë ndreyshim në raport me regjimin e sotëm të kontrollit të kufijve. Ky zhvillim konsiderohet pozitiv nga ana e diplomacisë greke, pasi - siç vunë në dukje burime diplomatike- deri më 6 mars është kohë e mjaftueshme për të funksionuar plotësisht marrëveshja BE-Turqi, si dhe për të patur rezultate vendimi për implikimin e NATO-s nël kufizimin e flukseve të refugjatëve dhe trafikimi i tyre nëpërmjet detit. Mbi bazën e gjithë këtyre, Greqia pritet të kërkojë nga gjithë vendet e implikuara një abngazhim të ngjashëm me atë të Gjermanisë; pra se deri më 6 mars nuk do të ketëndryshim në statusin aktual sa i përket kufijve. Në rast të kundërt, nuk do të japë - siç garantonin të premten burime diplomatike greke- miratimin për tekstin e rezolutës përfundimtar, shpallja e së cilës kërkon unanimitet nga të gjitha vendet anëtare. Tribuna

Ndaje me miqte