Athina kërkon mbështetjen e Shqipërisë dhe Italisë për refugjatët
05 Prill 2016
Qeveria greke do të kërkojë mbështetjen e Italisë dhe të Shqipërisë, por edhe të vendeve të tjera fqinje në përballimin e problemit të refugjatëve.
Sipas burimeve vendase, përjekjet do të zhvillohen në dy faza.
Së pari do të synohet në një marrëveshje tripalëshe midis Athinës Tiranës dhe Romës dhe më pas, në organizimin e një takimi në nivel ministrash, me pjesëmarrjen e Greqisë, Shqipërisë, FYROM dhe Bullgarisë.
Këto propozime janë diskutuar në takimin e para dy javëve të ministrit të jashtëm grek, me homologun e vet shqiptar Ditmir Bushati, thonë të njëjtat burime.
Lëvizja e Athinës në drejtim të Tiranës dhe Romës vjen pasi Shqipëria dhe Italia arritën në muajin mars një marrëveshje, e cila ndër të tjera parashikon edhe monitorimin e përbashkët të kufirit shqiptaro-grek.
Burime në Athinë bëjnë të ditur se të enjten, më 7 prill, në kryeqytetin helen do të takohen për të diskutuar mbi modalitetet e bashkëpunimit, përfaqësues nga ministritë e jashtme dhe të brendshme të Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë.
Sipas burimeve diplomatike greke, Athina do të propozojë që fillimisht të funksionojë bashkëpunimi i autoriteteve policore të të tre vendeve dhe shkëmbimi i informacioneve mbi refugjatët. Kjo është diçka që është kërkuar me këmbëngulje prej gati një viti, edhe nga Shtetet e Bashkuara, për shkak të penetrimit të xhihadistëve.
Në rast se ky bashkëpunim tripalësh do të arrihet, Athina shpreson të organizojë një takim rajonal, me pjesëmarrjen e ministrave nga Greqia e Shqipëria, por edhe FYROM e Bullgaria, dy vende që i kanë mybllur tashmë kufijtë e tyre për refugjatët.
Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, deklaroi se ky takim do të mbahet në fund të muajit prill, në Selanik, por nuk ka dhënë asnjë detaj tjetër.
Tribuna
Ndaje me miqte