Athina kërkon shpjegime nga FMN pas publikimit të Wikileaks
02 Prill 2016
Qeveria greke ka kërkuar shpjegime nga FMN, pasi Wikileaks publikoi transkriptin e një telekonference midis tre zyrtarëve të Fondit, ku thuhet se Athina mund të vihet në lëvizje vetëm nëse i kanoset rreziku i falimentimit.
Në bisedën e zhvilluar më 19 mars, shefi i departamentit europian të FMN-së, Paul Thomsen, kërkon të vonohen e negociatat aktuale me qeverinë greke. Sipas tij, qëllimi është që vendi të gjendet sërish nën rrezikun e falimentimit dhe atëherë Athina të detyrohet të pranojë kërkesën e FMN-së për masa të reja të ashpra, që nuk përmbahen në marrëveshjen për paketën e tretë të shpëtimit.
Shefja e misionit të FMN-së për Greqinë, Delia Velculescu duhej të vinte të shtunën në Athinë, ku të hënën, më 4 prill, pritet të fillojë një raund i ri negociatash midis qeverisë greke dhe kreditorëve.
Synimi i të dy palëve është që negociatat të përfundojnë sa më shpejt dhe vlerësimi për programin grek të finalizohet më së voni deri në fund të këtij muaji.
Por shefi i departamentit europian të FMN-së kërkon që negociatat të shyhen deri në korrik, kur do të mbahet referendumi për qëndrimin e Britanisë së madhe në BE. Ai shprehet i sigurt se zyrtarët europianë nuk do të mund të marrin vendime për Greqinë para zhvillimit të këtij referendumi të rëndësishëm.
Thomsen gjithashtu i referohet edhe strategjisë që duhet ndjekur për të bindur kancelaren gjermane Angela Merkel të pranojë një lehtësim të borxhit publik të Greqisë, çka Fondi e ka vënë si kusht për të vazhduar pjesëmarrjen e tij në programin grek. Sipas Thomsen, Merkel duhet të vendosë se çfarë është më e kushtueshme: të vazhdojë pa FMN-në dhe t’i nënshtrohet kritikave në Bundestagun gjerman, apo të pranojë lëehtësimin e borxhit grek.
Sapo Wikileaks publikoi transkriptin e bisedës së zyrtarëve të FMN, kryeministri Aleksis Tsipras komunikoi me presidentin e republikës, si dhe me liderët e partive parlamentare. Tsipras tha se do të informojë drejtuesit e shteteve dhe të institucioneve eurooiane. “Disa duan të krijojnë një krizë të re në Greqi për të influencuar referendumin britanik dhe për të plagosur Europën”, deklaroi Tsipras dhe shtoi se nuk do të lejojë askënd të luajë me zjarrin dhe as do ta lerë të pambrojtur Greqinë dhe Europën.
Zëdhënësja e qeverisë greke doli me një deklaratë për shtyp, ku bëhej e ditur se Athina “kërkon shpjegime nga FMN nëse synimi për të krijuar kushte falimentimi në Greqi pak para referendumit në Britani, përbën një qëndrim zyrtar të Fondit Monetar ndërkombëtar”.
Tribuna
Ndaje me miqte