0030 210 33 18 483

Athina përgënjeshtron gazetën amerikane që thotë se janë zhdukur 13.000 refugjatë

TRIBUNA 09 Dhjetor 2016

Komisioni Europian ka vendosur që gjithë refugjatët të cilët hyjnë në territorin europian nëpërmjet Greqisë, të kthehen sërish në tokën greke. Masa do të fillojë të zbatohet vitin e ardhshëm për gjithë ata që në mënyrë të vërtetuar do të hyjnë pas 15 marsit 2017. Në njoftimin e KE-së theksohet se Greqia ka shënuar progres të rëndësishëm për procedurat me refugjatët dhe emigrantët që kanë hyrë në vend dy vitet e fundit. Progresi është evidentuar në përmirësimin e kushteve të pritjes dhe të regjistrimit të refugjatëve, si dhe në funksionimin e sistemit të azilit. Identifikimi dhe regjistrimi i refugjatëve funksionon tashmë 100%, duke i dhënë fund edhe procedurave për shkeljet e rregullave Shengen nga Greqia, që ishin hapur në 2015. Fjalët e mira nga Komisioni Europian erdhën në të njëjtën ditë që gazeta Wall Street Journal njoftonte se 13.000 refugjatë dhe emigrantë, të regjistruar gjatë hyrjes së tyre në Greqi, janë zhdukur pa lënë gjurmë. Gazeta citon zyrtarë europianë të emigracionit, sipas të cilëve 13.000 personat mund të kenë depërtuar në veri të Europës. Por ministria greke e emigracionit ka përgënjeshtruar “në mënyrë kategorike” gazetën amerikane. “Të dhënat e Wall Street Journal se nuk dihen gjurmët e 13.000 refugjatëve nuk i përgjigjen ralitetit”, thekson ministria e emigracionit, duke shtuar se strukturat e pritjes së refugjatëve janë të hapura dhe se ata mund të mos ndodhen çdo ditë prezent në momentin e numërimit. Gazeta amerikane u referohet shifrave zyrtare sipas të cilave në qendrat e pritjes ndodhen aktualisht 63.000 refugjatë dhe emigrantë. Por Wall Street Journal vëren se vetëm për 50.000 prej tyre dihet se ku janë, pasi të tjerët kanë muaj pa dhënë shenja jete dhe prandaj emërtohen si “të padukshëm”.

Ndaje me miqte